Shqipëria dhe aspiratat e saj

pjshQë prej nënshkrimit të MSA-së, por jo vetëm, demokracia shqiptare e ka ndërtuar themelin e politikave të saj mbi një aspiratë madhore: integrimin drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave të NATO-s. Sot pas vitesh të tëra angazhimi, Shqipëria gëzon të drejtat e të qenit anëtare e NATO-s, ndërkohë që është “vend kandidat” për t’u anëtarësuar në BE.

Në rrafshin e përgjithshëm, sikurse thotë Cooper[1] “forca është ajo që i bën të ndihen të sigurta vendet me probleme dhe jo vullneti i mirë”. Në këtë Shqipëria – e cila që prej fillimeve të ekzistencës së saj si Shtet është përballur me një sërë problemesh dhe rreziqesh ekzistenciale – ka rendur me angazhime tejet strikte për të plotësuar kërkesat që i paraqiteshin për t’u anëtarësuar në NATO, një nga instrumentet e politikës së forcës së Shteteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një Ballkan, që gjithmonë në rrezik luftërash, garancia për siguri ka qenë një ëndërr shekullore e shqiptarëve çka e legjitimoi në njëfarë mënyre edhe hiperbolizimin e disa analistëve, të cilët e përshkruan këtë anëtarësim si “Nëntorin e tretë” apo “Njohja e re e Pavarësisë”, po kështu edhe shprehja e famshme e Kryeministrit Berisha: “For me this is a miracle of freedom! – Për mua kjo është një mrekulli e Lirisë! ” është treguese e kësaj ndjesie.

Por tanimë, ajo çka– deri diku – parashikonin studiues të shumtë të marrëdhënieve ndërkombëtare sikurse Zbigniew Brzezinski (Brznezinski Zbigniew, 2012) ka ndodhur. “Perëndimi është në tërheqje” dhe Shtetet e Bashkuara e kanë venitur disi rolin, ndikimin dhe prezencën në politikën e jashtme – sidomos nën Presidencën Obama. Brzezinski, i cili këtë gjë e parashikonte të ndodhte rreth viteve 2025, në “Vizionin e tij strategjik” arsyetonte edhe rrezikshmërinë që mund të shoqërojë dobësimi i Shteteve të Bashkuara. Duke përshkruar sesi kanë ndikuar – me ndërhyrjet e tyre të forcës – në kohëra të ndryshme Shtetet e Bashkuara, Brzezinski thotë se “disa shtete janë parë prej fqinjëve të tyre rajonal më të fuqishëm si simbole të ndërhyrjes fyese amerikane në sferat e tyre rajonale ekzistuese të influencës ose për të cilat kanë pretendime, kësisoj, tundimi për të vepruar me forcë kundë tyre mund të rritet në proporcion me rënien e statusit global të Amerikës”[2].

Në leximin e kësaj atmosfere të gjeopolitikës globale, Shqipëria – kohët e fundit – duket më e pozicionuar drejt Bashkimit Evropian në raportet e saj diplomatike. Në njëfarë mënyre tashmë siguria është e garantuar – paçka se shkëndijat e konflikteve në rajon vazhdojnë të jenë – por tanimë është konsideruar si e kohës, që të sigurohen edhe marrëdhëniet tregtare. Kjo ka diktuar një frymë të re në hierarkitë e diplomacisë së vendit tonë – sidomos pas ardhjes në krye të Qeverisë së re – që me zhvillimet e fundit rajonale ka marrë një pozicion dukshëm më strategjik – për agjendën e integrimit – dhe në njëfarë mënyre ka zbehur në diskursin e saj marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Por ndërkohë mbeten të pa-zgjidhura çështjet e brendshme. Ende mjaftojnë deklarata të tipit: “Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë do të ndodhë në Bruksel – integrimi në BE”. E sërish ambienti politik me Serbinë trazohet menjëherë. Nga ana tjetër Shqipëria duket e pafuqishme për të ndikuar në Maqedoni, paçka se i shfaqet si Shteti më mik për nga situata e bllokuar që ajo ka me Greqinë dhe vendet e tjera të rajonit. Shqiptarëve atje vazhdojnë të mos u respektohen të drejtat. Ndërkohë, që me Greqinë çështje sikurse ajo e të ashtuquajturit “Ligj Lufte” apo “Marrëveshja e Ujërave” ende nuk njohin zgjidhje ndërkohë që “çështjes Çame” nga Athina zyrtare i mohohet ekzistenca. Aspirata e Shqipërisë gjithsesi vazhdon të jetë e njëjtat, ndjekja e shembullit të Kroacisë, integrimi në Bashkimin Evropian.

Në vitin 2015-të, Shqipëria pati disa zhvillime të ndjeshme diplomatike, ku tregues të qartë të tyre ishin vizitat, që i kryen vendit personalitetet të larta, madje edhe për herë të parë në histori.  Në maj, Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan vizitoi Shqipërinë ndërkohë që pas tij, një tjetër vizitë e ngjyrosi vendin më fort si një vend stabiliteti në rajon. Për herë të parë Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shkeli tokën shqiptare duke u vlerësuar si historike, jo vetëm për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, por edhe për stabilitetin në rajon. Vizita e Kancelares gjermane Angela Merkel – më 8 korrik – shënoi gjithashtu një histori për marrëdhënien Shqipëri-Gjermani. Vizita e saj ishte brenda një plani-rajonal, por nga fakti që nisi në Tiranë, ishte e një rëndësie të vecantë. Po kështu në verë u shënua një vizitë e rëndësishme edhe nga Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias – ku përmes tij Shteti grek tregoi se edhe pse është në krizë mban të njëjtat pozicione në planin strategjik të marrëdhënieve me jashtë – i cili dha të njëjtat mesazhe të politikës së jashtme të Greqisë për çështje si ajo e çamëve. Por intensifikimi i dialogut në rajon, me protagoniste Tiranën zyrtare, ushqen panoramën e përgjithshme, që mbart përbrenda aspiratën e pandryshuar – të paktën këto 25 vite – të Shqipërisë, bërjes pjesë të Perëndimit, kjo përmes integrimit në Bashkimin Evropian.


 

[1] Robert Cooper (2003): Shpërbërja e kombeve: Rend dhe kaos në shekullin e njëzet e një. Përkthyer nga: Ilir Gjoni. Botimet Dudaj, 2011. Tiranë. fq. 209

 

[2] Zbigniew Brzezisnki (2012): Vizion strategjik – Amerika dhe Kriza e Fuqisë Globale. Përkthyer nga: Virgjil Muci dhe Jorgji Qirjako. Instituti i Studimeve Ndërkombëtare. Tiranë. fq. 83

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.