Ballkani, nga dikur “tjetri” i Evropës, sot në pritje të integrimit

Ballkani dhe BE-jaKroacia është Shteti i fundit i Ballkanit – pas Greqisë, Sllovenisë dhe Bullgarisë – i cili është integruar në Bashkimin Evropian. Pas një procesi 5-vjeçar si kandidat për t’u anëtarësuar, më 1 korrik 2013-të Kroacia u integrua me të drejta të plota duke u bërë kështu shteti i 28-të i Unionit. Ndërkohë jashtë kanë mbetur Turqia – kandidate që prej vitit 1999-të, në negociata që prej 2006-ës – Maqedonia – kandidate që prej vitit 2005-së – Mali i Zi – kandidat që prej vitit 2010-të, në negociata që prej 2013-ës – Serbia – kandidate që prej vitit 2012-të, në negociata që prej këtij viti – Shqipëria – kandidate që prej vitit 2014-të – Bosnje-Hercegovina dhe Kosova – në fillim të procesit të Stabilizim-Asocimit. Përgjithësisht nga politika e këtyre vendeve është parë një frymë e përbashkët për t’u integruar në Bashkimin Evropian, por procesi, për të ardhur deri këtu, ka qenë shumë i gjatë e i vështirë për Evropën.

Ballkani është karakterizuar prej konfliktesh të hershme, të cilat datojnë që përpara shtet-formimeve të epokës moderne. Prej këtyre luftërash nga Evropa, Ballkani është parë si Lindja edhe pse realisht Lindje nuk është. Ky identifikim i kësaj pjese të Evropës është krijuar ndër shekuj për shkak të karakteristikave, që Evropa i ka njohur si jo të sajat. Studiues të ndryshëm kanë përshkruar fenomenin ballkanik si një fenomen unik në Evropë, ndërkohë që po të tjerë studiues kanë analizuar vetë Evropën me qasjet krejt margjinalizuese të saja kundrejt Ballkanit. Një ndër to është akademikja bullgare Maria Todorova, e cila bën një analizë të thellë të kësaj qasje në librin e saj të titulluar “Ballkani imagjinar” (M. Todorova, 1997). Ajo mbron idenë se ekziston një diskurs, në të cilin termi “ballkanizim” ka krijuar një stereotip ndër perëndimorë mbi gadishullin e Ballkanit aq sa politika e përgjithshme dhe vetë historia e këtij rajoni ka pasur ndikimet e saj. Sipas Todorovas, Ballkani është parë si “tjetri” i Evropës tek i cili “Kontinenti i vjetër” ka veshur të gjitha anët pezhjorative.

“Duke qenë kaq gjeografikisht i pandashëm nga Evropa, e megjithatë kulturalisht i konstruktuar si “tjetri” i brendshëm, Ballkani ka qenë në gjendje të absorbojë ashtu siç duhet një sërë frustrimesh politike, ideologjike e kulturore të projektuara jashtë saj, të cilat burojnë nga tensione e kontradikta inherente të rajoneve e shoqërive joballkanike. Me kohë, ballkanizmi u bë një zëvendësues i përshtatshëm për shkatërrimin emocional që sillte orientalizmi, duke e liruar Perëndimin nga akuzat për racizëm, kolonializëm, eurocentrizëm dhe intolerancë të krishterë kundrejt Islamit. Gjithsesi Ballkani është në Evropë, është i bardhë, është kryesisht i krishterë dhe rrjedhimisht, projektim i frustrimeve mbi të mund t’i bishtnojë akuzave të zakonshme për njëanshmëri raciale ose fetare. Sikurse në rastin e Orientit, Ballkani ka shërbyer si bartës i karakteristikave negative kundrejt të cilave është konstruktuar një imazh pozitiv i vetëlavdues i “europianes” e i “Perëndimit”.”[1]

Ajo thotë se identifikimi i Ballkanit gjithmonë me luftërat e ndodhura në këtë gadishull ka ndodhur prej një “gazetarie fodulle”. Todorova përmend përcaktimin e ndryshëm të luftës në Bosnje ku në vend se të identifikohej si Lufta në ish-Jugosllavi apo si Lufta e Bosnjes, krejt ndryshe bëhej pas raportimeve mediatike ku ajo ishte njohur si “Luftë Ballkanike”. Todorova shkruan: “Disa gazetarë kanë shkuar aq larg sa të shuajnë cdo histori ballkanike duke e reduktuar te historia serbe. Kështu mund të lexosh se më qershor 1389, në fushë-Kosovë “ndodhi akti i parë i masakrës nga i cili do të rridhte tashembrapa krejt historia ballkanike”, është e papërfillshme që, me përjashtim të serbëve, beteja e Kosovës nuk ka ndonjë rëndësi për kombet e tjera ballkanike, që kanë pasur Kosovat e veta krejt të ndryshme”. Todorova vazhdon të filozofojë më tej duke paralelizuar çështjet nën një logjikë të shëndoshë: “Pse duhet që lufta të jetë ballkanike? Lufta civile spanjolle ishte spanjolle dhe jo Iberike, apo evropiane jugperëndimore”.

Todorova e përmbyll librin e saj teksa shkruan: “Nëse Evropa ka përftuar jo vetëm racizëm, porse edhe antiracizëm, jo vetëm mizogini, porse edhe feminizëm, jo vetëm antisemitizëm, porse edhe mohimin e tij, atëherë ajo çka mund të quhet ballkanizëm, ende nuk është çiftëzuar me të kundërtën e saj komplementare e fisnikëruese”.

Në kohën kur Todorova shkruante “Ballkanin Imagjinar” – 1998 – Bashkimi Evropian nuk ishte unifikuar në formën që paraqitet sot, po kështu vendet kishin akoma konflikte – Lufta e Kosovës – ndërkohë që panorama ka ndryshuar ndjeshëm. Në njëfarë mënyre “ballkanizmi” është çiftëzuar me integrimin si mënyra më e mirë për të hequr dorë nga margjinalizimet e shekujve të kaluara. Sot Evropa nuk sheh aspektet fetare në kohën kur hyn në bisedime. Vendet si Shqipëria – e cila përcjell një tolerancë të theksuar fetare – kanë marrë gjithmonë e më shumë rol referues në këtë këndvështrim: tkurrjen e konfliktualiteteve fetare në raportet mes shteteve. Sot liderët e Ballkanit pranojnë të ulen e të diskutojnë mes tyre zgjidhjet e problemeve rajonale, njëjtë sikurse diçka e tillë ndodh në Evropë. Po kështu aspiratat e Ballkanit duken më shumë se kurrë të qarta pro-perëndimore dhe rajoni ka treguar se mund t’i zgjidhë problemet vetë pa pasur nevojë për ndërhyrje të forcës nga struktura sikurse NATO, mjafton që kushtet dhe negocimet të piqen mirë – normalisht këtu edhe në saj të mbështetjes së BE-së. Pra Ballkani duket në një rrugë të përbashkët drejt integrimit, çka do t’i jepte fund një herë e mirë damkës që shoqëron ballkanizmin.

Nëse do t’i referoheshim logjikës së analizës së Domenique Moisi (Moisi 2009)[2], i cili e përshkruan gjeopolitikën përmes emocioneve që karakterizon popullatat e qytetërimeve botërore, atëherë do të mund të thoshim se: Kultura e frikës dhe e poshtërimit, karakteristikë e Ballkanit të konflikteve, i ka lënë vend kulturës së shpresës, e cila po e nxit jo vetëm integrimin e rajonit por edhe prosperitetin dhe paqen mes-vetes.


 

[1] Maria Todorova (1997): Ballkani imagjinar – Ballkani si alter ego i Europës. Përkthyer nga anglishtja nga: Bashkim Shehu. IDK 2013. Tiranë. fq. 274

[2] Domenique Moisi (2009): Gjeopolitika e emocioneve. Përkthyer nga: Shpëtim Çuçka. Institutit i Studimeve Ndërkombëtare. Tiranë 2012.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.