E diela e radhës kishte si plan një shtegëtim ndryshe. Klubi kishte parashikuar një marshim drejt “Shpellës së Mirë” në Malin e Brarit. Ky mal njihej me dy emra, Mali i Brarit dhe i Priskës së Vogël, për shkak se me lartësinë e tij (1241m) bënte bashkë dy fshatrat me të njëjtin emër, në Veri të Malit të Dajtit (1613m). Praktikisht është ai mali që shkon deri te diga e Bovillës më në veri të vargut Krujë-Dajt.
Kjo shpellë, ndodhej (në anën lindore) prapa Malit të Brarit. Ajo kishte këtë emër, pasi nga banorët e zonës konsiderohej si vend i mirë. Në të lutej e ndizeshin qiri. Sipas zakonit, ata e vizitonin atë në gusht dhe kryenin një pelegrinazh të atillë sikurse do e bënim ne. Shtegëtimi i tyre bëhej pa aguar, pasi thuhej se dielli duhej të të zinte në hyrje të shpellës, çka ta kurjozonte më tepër vizitën e këtij vendi.
Me grupin, nga Liceu Artistik, u nisëm si zakonisht në 9:00. Me rreth 14 kilometra rrugëtim me furgonë, përshkuam përmes Rrugës së Dibrës, drejtim Tufinës e me rradhë kaluam fshatra si Ferraj e Tujan duke ndjekur atë çka duhej të ishte “Rruga e Arbërit”. Ishte hera e parë që kaloja andej. Rruga ishte për ibret dhe ishte pjesa e vetme që ma trishti udhëtimin.
Ndërtimet e nisura, që në vitin 2008-të, ishin ndërprerë që kush e di prej sa kohësh. Automjetet kërcisnin gropash e 5 kilometra rrugë na u duk sikur ishin 50-të. Kur nisa të shkruaj, bëra kërkime në internet dhe hasa në një shkrim të të ndjerit Ardian Klosi. Imagjinoni! Klosi fliste për barbaritë e kësaj rruge që 7 vite më parë. E sërish këto kohë ajo pluhuroste perlat natyrore të zonës. Shkallët e Tujanit, Malin e Brarit e për më keq akoma, Lumin e Tiranës, të cilin, tanimë e kishin vënë të pastronte guroret.
Si për ironi, shtegëtimi ynë e kishte pikënisjen, buzë fshatit Besh, pikërisht aty ku përfundonte rruga, që ta shihje nga afër të jepte idenë se do mbarojë vetëm kur të ringjallen arbërit. Me dhimbje, në ecje, kryem disa gjarpërime në një kafshim të madh që i kishte bërë Malit të Brarit, “Barbari.shpk” sikurse thoshte Klosi në shkrimin e tij.Në plan parashikohej rreth 9 kilometra ecje (ngjitje/zbritje) me një diznivel 600-700 metra. Dukej që do ishte goxha sfiduese. Si fillim mali ishte i thatë, pa shumë bimë. Më pas në ngjitje e sipër, kur terreni bëhej i thyer, tek-tuk hasnim shkurre të rëndomta, por dhe shqope, nga ato të gurishteve që gëzojnë gjelbërim të përhershëm. Për çdo zik-zake që bënim lart, një panoramë më e qartë hapej dhe që aty shihej Liqeni i Bovillës në veri, Mali me Gropa (1731m) dhe kanionet e Erzenit në juglindje.
Shpella nuk shihej me sy të lirë që poshtë, por në momentin kur ti nuk e prisje, pasi panorama dhe ecja ta kishin marrë mendjen, pas një guri të stërmadh të shfaqej një shpellë edhe më e stërmadhe. Që në hyrje e errët, “Shpella e Mirë”, dukej që ishte e mirë, pasi të priste me ujë, të cilin e pikonte që sipër ngado. Zumë vend. Pushuam mirë e mirë. Mblodhëm frymë dhe nisëm ta vizitojmë duke hyrë brenda.
Ishte shpella e parë (e madhe) që vizitoja. Stalaktiket sipër nuk është se dalloheshin mirë, por stalagmitet ishin më se të dukshme. Poshtë, zhurma currila-currila që bënte uji t’i qartësonte dhe të bënte t’i kuptoje edhe se si ishin formuar. Rreth fundit (60 metra e gjatë), pikasëm të përgjumur edhe lakuriqë nate. Duke i lënë të qetë, ndezëm qiri dhe kryem lutjen tonë. Sigurisht! Në ka Zot! “Bëj mrekulli dhe bëj që rruga të mbarojë!”.
Gjithashtu interesante nga udhëtimi!
E bukura e udhëtimeve, sidomos ato të natyrës, është se bën miq të mirë. Të tillë ishin edhe miqt e huaj që e duan shumë natyrën e Shqipërisë. Në gurpin tonë atë ditë ishin pjesë të shtegëtimit një grua nga Gjermania, një vajzë nga Austria, dhe një djalë nga Kina, por që ky i fundit jetonte dhe punonte në Durrës.
Në “Shpellën e Mirë”, ndërsa i njohëm më tepër, humori që e karakterizoi vizitën, shtyu t’i vinim në lojën e shpejtësisë gjuhësore. E dini se loja “Kupa me kapak, kupa pa kapak” s’është vetëm në shqip? Unë për shembull, s’e dija! U desht kjo lojë e momentit që të kuptoja se të gjitha kulturat dhe gjuhët nëpër botë e paskërkan një lojë të tillë. Mos e humbisni!