Në kërkim të “Shpellës së Fshehur”

“E hongër’ dhe trimi!” – ishte një nga batutat më të famshme të estradës së Tiranës në vitin ’96-të. Aktori Skënder Sallaku e thoshte në parodinë humoristike “Përrallëza Jonë: Pleqtë dhe Lakmia”.

Koço Devole interpretonte “Trimin” që u sillte pleqëve bukë, ndërsa vetë, i thekur nga lakmia dhe kurioziteti se ç’mund të gjendte dhe përfitonte duke vizituar “Shpellën e fshehur”, përfundonte rob i pendesës njëjtë sikurse pleqtë e tjerë vajtonjës, të cilët interpretoheshin nga Vegim Xhani dhe Vasillaq Vangjeli.

Pikërisht këtë shpellë vizituam këtë javë me grupin. Ajo njihej po sikur te komedia “Shpella e fshehur” dhe ndodhej rreth 24 kilometra në jug-lindje të Tiranës. Fillimisht rruga ishte e njëjtë sikurse për te “Syri i Cikllopit” në Skutërrë të Krrabës.

Ndaluam në fshatin Krrabë e më pas nisëm shtegëtimin për te Shpella e Fshehtë. Rruga ishte e ngjashme si për te “Syri i Cikllopit” deri në dalje të fshatit, ku morëm për djathtas e jo për nga lumi. Ishte një ecje disi më e gjatë dhe më e lodhshme krahasyar me “Syrin”. Duke ecur na thanë se po kalonim vijën ndarëse mes Tiranës dhe Elbasanit. Kjo vijë ndarëse përkonte me një ish-repart ushtarak, i cili kishte shenjat e mësyrjeve të vitit 1997-të.

Në fakt teksa kaluam në pjesën që ngjiteshe për në kodrinën që të çonte për te shpella vumë re nga ana jug-perëndimore rrugën e Elbasanit. Në ngjitjen me disnivel rreth 450-500 metra – duke parë nga ana tjetër – dalloheshin qartësisht makinat në autostradën e re ndërsa humbeshin në një kodër aty përballë, që përkonte të ishte me Tunelin e Krrabës.SHPELLA (1)

Ngjitja ishte me panoramë tejet të bukur përqark, ndërsa natyra të mirëpriste me një pyll të vogël me dushqe e lisa. Në këtë pikë na u tha se po afroheshim te shpella. Kur kishim kaluar rreth 2 orë e gjysmë ecje, krejt pa e kuptuar, pamë një të çarë të vogël toke që ishte errësuar nga thellësia dhe bimësia përreth.

“Ja ku erdhëm!”…Fillimisht duhet ta pranoj, ishte disi zhgënjyese, pasi kur shihje atë të çarë të vogël toke, thoje me vete: “Kësaj i thonë shpellë këta?!”

Por pasi bëmë hapat e parë brenda, thellësia dhe zgjerimi që kishte “Shpella e fshehur” të linte pamend. Me mbi 150 metra gjatësi dhe me reliev egërsisht të ndryshueshëm, që arrinte edhe hapësira me mbi 17 metra të larta, ti kallte ndjesitë eksploruese me një miks frike.

Terri dhe zhurmat përbrenda, me llafet mes nesh se mund të kish lakuriqë nate më sollën ndërmend Jim Carrey-in në rolin e Ace Venturas te filmi When Nature Calls, i cili i kishte fobi këto krijesa.

Stalaktitet dhe stalagmitet ishin të stërmëdha në këtë shpellë. Në fakt në një pjesë të mirë të saj duhej të kacavirreshe përmes tyre. Diku kishte dhe aktivitet ujor me currilat që dëgjoheshin tek binin në stalagmite. Mbresat më të mëdha ishin teksa arrije fundin, ku një galeri e stërmadhe formohej në errësirë të plotë. Çfarë nuk të shkonte ndërmend teksa ishe aty brenda. “Si ka mundësi të jetë bërë e gjithë kjo shpellë e madhe?! Po sikur te ketë kafshë, zvarranikë, apo grabitqarë?! Po sikur të dridhë ndonjë tërmet e gjithçka të bjerë?” – sigurisht, mendime këto, pak produkt imagjinate dhe ca frike.

This slideshow requires JavaScript.

Ndejtëm goxha duke eksploruar shpellën, aq saqe kur dolëm që andej, s’kishim bërë aspak kujdes dhe ishim bërë goxha pis. Në dalje teksa rishihje hyrjen e vogël të asaj shpelle rimendoje përshtypjen e parë e të zinte një kënaqësi e vërtetë prej faktit që s’kish qenë ashtu sic e mendoje.

Rrugës në kthim, edhe pse të lodhur, na erdhi ndërmend parodia me Koço Devolen. Ne me siguri s’ishim trima sikurse “Trimi”, pasi “Shpella e fshehur” s’na zuri rob pendesash lakmie dhe vaji.SHPELLA


Fotot janë realizuar nga Fatjon Kapllanaj dhe Klubi Discover Albania.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.