Edhe pse jo të gjithë e dinë, prej një viti e pak punon Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). Ky është formuar sipas ligjit 24/2015-të, dhe është ngarkuar të drejtojë një proces delikat për shqiptarët, proces që vende si Gjermania (1990) dhe Rumania (1999) e kanë nisur prej vitesh.
Bëhet fjalë për hapjen e dokumentave të agjenturës së diktaturës, Sigurimit të Shtetit.
Në Autoritet – përmes një formulari – gjithëkush mund të kërkojë qasje me informacionet e ish-Sigurimit, por jo për gjithkënd. Duhet të kesh lidhje ose miratim nga personi apo familjarët. Ndërsa për politikanët, kurrësesi nuk kërkon dot qasje.
Hapja e mbi 200 mijë dosjeve të Sigurimit në Shqipëri bëhet mbi 20 vite pas komisioneve parlamentare të viteve ’95-’97, – që njihen rëndomtë me mbiemrat e kryetarëve të tyre Hajri Mezini e Nazif Bezhani, – të cilat ishin të vetmet që patën ligjërisht mundësinë të administronin dokumentet e madje të certifikonin individë, kandidatë për poste publike – për garancinë e së ashtuquajturës pastërti të figurës.
Hapja e dosjeve është penguar nga politika e ditës dhe tranzicioni pambarim. “Dosjet” janë përdorur publikisht dhe jopublikisht për shantazhe dhe për të trazuar debate në opinion. Kjo ka nxitur një stereotip paragjykues për çdo proces që ka synuar shqyrtimin dhe ballafaqimin me të shkuarën diktatoriale në Shqipëri. Për këtë Autoriteti i Dosjeve duhet të bëhet gati për trysni të lartë.
Nga ana tjetër ka një perceptim të përgjithshëm se dosjet e rëndësishme, ato që flasin për zyrtarë bashkëpunëtorë apo ish-spiunë nuk do të hapen kurrë, ose akoma më keq, nuk gjenden më. Kjo e bën me pritshmëri të ulët nga interesi publik punën e Autoritetit.
Dosjet e Sigurimit janë çelësi i përshpejtimit të tranzicionit. Por ato mbeten debat i pashtershëm publik për sa kohë politikanët kanë imunitet prej hapjes së tyre.
Shqiptarët kanë dëgjuar plot deputetë t’i drejtohen njëri-tjetrit me nofka të Sigurimit të Shtetit në parlament. Por duket se kjo gjuhë e politikanëve “me nofka” do të dojë edhe më shumë kohë të zbardhet konkretisht, pasi ligji aktual “i Dosjeve” nuk e mundëson “hapjen” e gjerë edhe për zyrtarët.
Pse dhe si, u diskutua gjatë në dy (21-22 shtator) ditët e “workshop”-it me temë “Raportimi mbi dosjet e Sigurimit”, që organizoi Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Me bashkëpunimet e fondacionit Konard Adenauer, OSBE-së dhe Autoritetit u zhvillua, me gjasa, ballafaqimi i parë konkret mbi punën e bërë deri më sot dhe ligjin, jo-të-plotë, sipas mendimit tim.
Viti i parë i aktivitetit të Autoritetit, përkoi me një vit elektoral. U votua për legjislaturën e IX-të të Republikës së Shqipërisë. Pak ditë përpara zgjedhjeve, që u mbajtën në qershor, Kryetarja e Autoritetit Gentiana Sula së bashku me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba bënë thirrje që partitë politike të kryenin procesin e verifikimit të pastërtisë së kandidaturave në lidhje me të shkuarën. Por fakti që asnjë ligj, nuk i detyronte ato të përfshiheshin – sikurse dekriminalizimi – në këtë proces, bëri që në fund, prej 18 partive që u futën në zgjedhje, vetëm 2 prej tyre aplikuan.
Në Parlamentin e ri, emërimi si Kryetar i Ministrit të fundit të Brendshëm të kohës së komunizmit, trazoi edhe më shumë debate. Në media u rishfaq një shkresë ku emri i tij figuronte në një udhëzim ndaj “Degëve të Brendshme” në datën e vrasjes së 4 protestuesve në Shkodër (2 prill 1991). Kjo gjë riktheu edhe njëherë vëmendjen te çështja e pastërtisë së figurave kryesore të politikës së vendit.
Por gjithçka vazhdon “normalisht” pa probleme.
Ndërkohë, sipas një ankete (viti 2015) të Institutit të Kërkimeve dhe Alternativave Zhvillimi në bashkëpunim me OSBE-në, 73 përqind e shqiptarëve besojnë se shumë politikanë aktualë kanë pasur pozicione të rëndësishme gjatë regjimit të mëparshëm. 80 përqind mbështesin hartimin dhe zbatimin e një ligji lustracioni për t’i shkarkuar ata.
Pra perceptimi i opinionit të qytetarëve mbetet ai i fillimeve të “Demokracisë”. Autoriteti thotë se i janë nënshtruar procesit të “pastërtisë së figurës” rreth 600 zyrtarë, por pritshmëritë e qytetarëve nuk duket se janë përmbushur.
Gjermania – sipas Dagmar Hovestädt zëdhënëse e autoritetit për deklasifikimin e dosjeve të STASI-t – pas bashkimit, zgjodhi një qasje disi të lirë. Përgjithësisht u zgjodh që personat publikë të viheshin përballë një dialogu të hapur shoqëror dhe atyre të mos u pengohej kandidimi në poste të ndryshme.
Rumania – sipas Dr. Germina Nagat, Drejtuese e Departamentit të Hetimit në Këshillin Kombëtar për Studimin e Arkivave të Securitate-s – e ka ndryshuar disa herë qasjen e saj, (si shoqërore, ashtu edhe ligjore) për të ardhur te ndëshkimet me vendime gjyqësore për të mos lejuar përjetësisht kandidimin në postet publike për personat që vërtetohet se kanë kryer krime apo kanë bashkëpunuar me strukturat e mbikëqyrjes në të kaluarën diktatoriale.
Shqipëria nga ana e saj, nuk qartësohet se çfarë qasje ka në këtë drejtim, pasi në mënyrë të pa-shpjegueshme politikanët kryesorë kanë marrë “imunitet”.
Neni 29 i ligjit 45/2015, përmend “kërkesat për informim në lidhje me zyrtarët përpara emërimit ose ngritjes në detyrë”, por këtë gjë e bën duke ua lejuar vetëm “institucioneve kushtetuese”, jo individëve, studiuesve apo mediave dhe organizatave jo-qeveritare.
Pra thënë ndryshe, askush nuk mund të kërkojë informacione rreth një zyrtari aktual, të tipit Kryetari i Parlamentit. Kësaj i shtohet edhe fakti se në pikën 4 të këtij neni, thuhet se Autoriteti nuk administron asnjë kërkesë në lidhje me zyrtarët që kanë “certifikatë të pastërtisë së figurës” të përftuara nga Komisionet Mezini e Bezhani.
“Certifikatat” që politika i mundësoi vetes në mesin e viteve ’90, me ligjin në fjalë bëhen aspak të diskutuheshme, përkundrazi. Ngurtësohen si imunitet i pakomtestueshëm.
Kjo pamundësi ose dorë e thyer për Autoritetin shpjegon se përse temë kryesore e diskutimeve në këtë vit të parë të “hapjes së dosjeve” kanë qenë kryesisht reabilitimi i figurave të intelektualëve të persekutuar e aspak faktimi dhe dënimi i krimeve të komunizmit.
Mungon ai debat që pritej, shoqëria duket e përgjumur, ndërsa Autoriteti – gjatë workshopit – theksoi shpesh se në zyrat e saj gazetarët vijnë shumë pak.
Përballë kësaj situate, nevojitet një punë e zellshme e mediave dhe qytetarëve që ta mbajnë të ndezur dhe me trysni debatin rreth së kaluarës dhe me zbardhjen e sa më shumë ngjarjeve të diktojnë një ndryshim ligjor në të ardhmen, ndryshim që do të mund ta lejojë edhe “vettingun” e politikanëve.
Në përmbyllje të “workshop”-it, Dr. Jonila Godole – Drejtoreshë Ekzekutive e IDMC-ës – i kërkoi Autoritetit disponibilitet maksimal për t’i dhënë gazetarëve gjithë asistencën e nevojshme në mënyrë që raportimet mbi dosjen të jenë sa më të shumta në të ardhmen.
Përmbledhje e diskutuar gjatë “Workshop”-it “Raportim mbi Sigurimin” organizuar nga IDMC-Instiuti për Demokraci, Media dhe Kulturë; AIDSSH – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit; OSCE Presence in Albania; Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien dhe ekspertët ndërkombëtar nga BStU Stasi-Unterlagen-Archiv (Gjermani) dhe National Council for the Study of the Securitate Archive (Rumani).