Shtegtimi i radhës nisi herët si zakonisht, por me një vendsynim sa afër po dhe aq larg Tiranës. Do të udhëtonim për në Shëngjin dhe Shëngjergj në fshatrat e parafundit që kufizojnë në lindje kryeqytetin me Elbasanin. Për këto fshatra të përtej-Dajtit, kisha dëgjuar. Kulinaria ishte pjesa më e përgjithshme për të cilën i njihja disi. Ka lokale e restorante të mira andej.
Por Shëngjergji e më tepër Shëngjini, na kishte edhe shumë e shumë gjërat të tjera të bukura, sikurse natyrën dhe historinë.
Për të vajtur andej na u desht ca. Nga qendra e Tiranës, për në qendrën e fshatit Shëngjergj, na u desht rreth një orë e çerek. Distanca ishte rreth 37 kilometra, por fakti se një pjesë e rrugës, përtej Surrelit në Shkallë e më tej, ishte rrugë malore dhe me shumë kthesa, e bënte rrugën disi të vështirë, por panorama përreth të qetësonte pamasë.
Me të mbërritur në qendër të fshatit, vëmendjen ta tërhiqte rregulli. Kishte një ndjesi qyteze më shumë se sa fshati. Zumë fillë ecjen. Do të ngjiteshim përsipër mbi një kodër ku ndodheshin themelet e shkollës së parë shqipe të rrethit të Tiranës. Ishte interesante, në rreth 1100 metra lartësi, ku mund të shihje një panoramë fantastike të të gjithë luginës, dikur kishte qenë një godinë në të cilën mbi 100 vite më parë qe nxënë shkrim e këndim e mbi të gjitha abetarja e Kostandin Kristoforidhit. Ajo godinë më vonë qe përdorur edhe nga forcat partizane.
Por mua më tërhoqi vëmendjen fakti se në një fshat me emër shenjtori të krishterë, e mbi të gjitha në mes të tri fshatrave të “shenjtë” (Shëngjergj, Shënmri dhe Shëngjin) kishte një xhami. Me sa u tha, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve të fshatit në fundin e periudhës së sundimit osman, qenë shkolluar në Perandori, kryesisht për teologji. Duke folur për këtë temë, atje lart, afër themeleve të shkollës së parë shqipe, u përmend se e gjithë zona thuhet se ka trashëgimi të forta arkeologjike deri në shekujt e III-IV. Në këtë pikë u tha se edhe emri i fshatit dikur nuk ishte Shëngjergj por Tomadhe (Krahina e Tomadhesë). Në shekujt më përpara. Në mesjetë, në këto zona qe vendosur familja e Aranitëve.
Pasi mësuam histori me aq sa mundëm, me të shpejtë, zumë sërish të ecnim. Kësaj radhe me synimin për të shkuar në një ujëmbledhës, që rrugës na u tha se quhej “Liqeni i Lepurit”. Ishte disi udhë për të vajtur deri atje. Faktikisht nga qendra e fshatit e deri te liqeni, të duhej rreth 5 kilometra. Por e gjithë ajo lodhje që të mblidhej, të shkarkohej menjëherë kur uleshe pranë liqenit të Lepurit.
Sinqerisht, “liqeni” s’ishte kush e di se cfarë. Ishte i vogël, madje s’kishte shumë ngjyra në ujë, por natyra di t’i kompensojë mungesat e saj. Për-rreth kishte plot bimë që ngjyrosnin atmosferën nën simfoninë e pafundë të flladit buzë-malësor.
Pasi mblodhëm mirë e mirë forcat, u nisëm për në vendin tjetër, që realisht na kishte ngjallur më shumë interes, ujëvara e Shëngjinit.
Ecja në zbritje për në qendër ishte ca më e lehtë. Kompletuan rreth 10 kilometra të një disniveli prej 500 metrash. Pasi mbërritëm sërish në qendër të fshatit, morëm për poshtë nga rruga dhe rreth 8 kilometra në kthim, ndalëm në rrugë dhe nisëm në këmbë për te ujëvara.
Ky shtegtim tjetër ishte edhe më emocionues, pasi në sfond dëgjohej edhe rrëkeja e ujëvarës. Cepash gureve të stërmëdhenj, ecej në disa shtigje të vogëla, por që ishin plot bimë e gjallesa. Shumë emocionuese. Jo më pak se 20 minuta ecje dhe përpara gjendeshe në një ujëvarë të stërmadhe.
Një pllakë shkëmbi e lartë detyronte të humbëtiste për poshtë me presion një rrëke të fuqishme uji. Zhurma, ngjyra e pastër dhe pellgu i vogël që kishte formuar e bënin ujëvarën e Shëngjinit fantastike. Ndër ujëvarat që kam pasur fatin të vizitoj, ajo e Sotirës është ndër më të bukurat, por kjo e Shëngjinit më ngjalli në kujtesë ujëarat në Osum. Ajo rënja e lirë e ujit, ishte aq pak e thyer nga shkëmbi saqë mund ta shihje qartësisht pikën ku uji thyhej për poshtë që atje lart.
Thjesht fantastike, ujëvarat janë përfundimisht perlat e tokës, lëmuar me aq mund nga ujërat e pashtershëm të lumejve që gëzon me shumicë vendi ynë.