Natyra ka qenë shumë bujare me ne shqiptarët. Në fare pak territor ajo na ka falur aq shumë përralla, por që fatkeqësisht s’kemi ditur t’i trashëgojmë si duhet. Peizazhi i vendit tonë në disa zona përngjan tashmë si ajo përralla e mësuar gabim, së cilës i ka humbur kuptimi kryesor e për rrjedhojë s’duket hiç më e bukur. Me të tillë shije mbeta në vizitën time të fundit në një vend që duhej të ishte një perlë e natyrës.
Për fundjavë zgjodha të shkoj në kanionet e Bicajt në Kukës. Një vend ky të cilin e kisha vizituar për herë të fundit rreth 5 vite më parë. Por ajo që pashë ishte trishtuese. Plehra nga më të ndryshmet hedhur rrjedhës së ujit në hyrje të kanionit. “Po shishet e vajit për ç’dreqin u janë dashur këtej?!” pyeta sëbrendshmi me inat teksa u shtanga prej pirgjeve flluskuese mbi rrjedhën e ujit të lumit.
Për të gjithë ata që s’e dinë, kanionet e Bicajt, njihen ndryshe si “Shkalla e keqe”. Ato gjenden në anën jugore të malit të Gjallicës dhe janë një nga “perlat” natyrore që ka Kukësi. Vendasit e identifikojnë kështu me këtë emër pasi në 2.5 kilometrat e ndarjes që i bën kanioni Gjallicës dhe malit të Kolesianit, bien shpesh gurë dhe krahas kësaj rrjedha e lumit ndryshon shumë shpejt, mjaftojnë pak reshje. Gjerësia e së çarës është ndër më të ngushtat e kanioneve që ka vendi, nga 4-6 metra dhe lartësia e shpateve shkon në mbi 1 mijë metra.
Por pse kjo perlë e natyrës ndodhet në një gjendje të tillë? Pse banorët e ndosin dhe pse s’e shfrytëzojnë për turizëm?
Këto kanë qenë pyetjet që më kanë mbërthyer gjatë gjithë javës. Cilat janë arsyet?
Kukësi është qyteti më i varfër në Shqipëri. INSTAT thotë se të ardhurat vjetore të kukësjanëve nuk i kalojnë 320 mijë lekët në vit. Burimet ekonomike të rrethit verilindor janë të vogla dhe mungesa e një perspektive i ka shtyrë të rinjtë e kësaj krahine të emigrojnë masivisht vitet e fundit.
Ndërtimet infrastrukturore të rëndësisë së veçantë sikurse qenë aeroporti apo autostrada Durrës-Kukës-Morinë janë stërthënë se do t’i jepnin zonës zhvillim. Por ky zhvillim s’erdhi dhe gjasat janë që të mos vijë kurrë.
Aeroporti nuk është hapur. Që prej vitit 2004, kur përuruesi i saj, Emiri Zayed vdiq, e deri më sot, një rrip prej rreth 4 kilometrash tokë, mbeten të rrethuara me tela dhe vetëm kaq. Ndërkohë e ashtuquajtura autostradë kalon për djathtas qytetit sapo kapërcen liqenin dhe pas ca muajsh do jetë me lekë për t’u kaluar.
E pra Kukësi, si qytet, e po kështu fshatrat për-rreth janë si fantazma. Dikur një projekt i USAID-it i cilësoi kukësjanët “më të lumturit në Shqipëri”, por me gjasa rezultatet e atij studimi ishin më shumë një ironi e banorëve se sa realiteti.
Zhgënjimi, dëshpërimi ekonomik dhe kushtet e vështira të jetesës i bën banorët e zonave rurale t’i konsiderojnë si hiçgjë edhe monumentet natyrore sikurse “Shkalla e keqe”.
“Ok”! Dakord, por kjo s’e justifikon ndotjen, pse e ndosin natyrën ata?
Nëse viziton Kukësin të mjafton fare pak kohë për të kuptuar se kapacitetet e ndërhyrjeve janë të pakëta sepse investimet janë minimale. Menaxhimi i mbetjeve në zonat rurale ka qenë dhe mbetet problematik, ndërkohë nuk ka asnjë lloj plani për të ndezur shpresën e banorëve se turizmi dhe natyra mund të jenë një burim i denjësishëm të ardhurash dhe mirëqënjeje.
Voskopoja, apo Thethi e Valbona janë modelet më të afërta që s’duan shumë për t’u aplikuar, por pse s’aplikohen për një zonë kaq të varfër si Kukësi? Jam i sigurt se gjithëkush do të donte ta vizitonte Shkallën e keqe, Grykën e Vanave, malin e Gjallicës, Kroin e Kuq, e më gjerë fshatrat si Shishtavecin, apo Novosejën. Por jo kështu…
Teksa shkruaja këto rreshta dhe i hidhja një sy fotove, një valë pesimizmi më kaploi tërësisht.
Zhvillimi i turizmit nis me edukimin e popullatës, por kur sheh se shkolla e fshatit Bicaj, është e kafshuar anë e mbanë nga një gurore tumorale, sigurohesh hidhërisht se pasojat mjedisore s’kanë për t’u ndalur sepse, fatkeqësisht, përparësi në këtë vend paska “ç’edukimi“…