Mendjen te Lura, atje sharra s’ka pushuar kurrë!

“Shqipëria është shumë e bukur!” u themi me krenari të huajve kur duan të mësojnë për vendin tonë.“Më shumë se 450 kilometra vijë bregdetare, plot male, shpella, liqene, laguna, ujëvara, lumenj”…

“Rreth 400 zona të mbrojtura, shumllojshmëri kafshësh, gjallesash, më shumë se 11 parqe kombëtare, më shumë se 300 monumente natyrore”…

Eh! Fatkeqësisht, përpara se t’u tregojmë të huajve për Shqipërinë, duhet t’i tregojmë njëri-tjetrit se çfarë kemi bërë për të, sepse natyra e këtij vendi ka kohë që e ka rrudhur hijeshinë!

Më 29 nëntor munda t’i bashkohesha aksionit të radhës, organizuar nga Ecovolis, për të pyllëzuar edhe njëherë Parkun kombëtar të Lurës, lënë harresës dhe të vetmit grabitqar të natyrës, njeriut.

Kisha dëgjuar shumë për këtë park, por s’kisha qenë kurrë atje. Kur vajta, ishte tronditëse.

Si fillim udhëtimi ishte torturë. Duhej medoemos makinë e lartë. Tiranë-Rrëshen, 72 kilometra për më pak se 1 orë e gjysmë. Më pas?! Rrëshen-Fushë-Lurë, 55 kilometra për 3-4 orë, në një rrugë pa rrugë, ku asfalti s’qe parë prej shekullit të kaluar dhe, që me gropa nga më të thellat, lidhte 8 fshatra. Tarazh, Prosek, Perlat, Ndreaj, Lëkundë, Kurbnesh, Mërkurth apo Krej-Lurë. Të kaloje përmes tyre në atë rrugë ishte dërrmuese. Natën pastaj, bëhej horror!

This slideshow requires JavaScript.

Dita e 29-nëntorit ishte e acartë. Temperaturat nën zero, plus borë. Frynte. Ngricat kishin zënë rrugën që pak përtej ish-Turizmit të Lurës. Ashtu me lopata, kazma e rreth 120 fidanë pishe, bëmë më tepër se 6 kilometra në këmbë për të vajtur te Liqeni i Madh, atje ku erërat të thanin palcën e sytë të ngrinin nga i ftohti i masakrës me sharrë.

Një skenë krimi, pa asnjë të dënuar, një katastrofë!

This slideshow requires JavaScript.

Pemë të prera pafund. Viktima. Trungje të rrëzuara, mbetura jetime nga degët dhe rrënjët e tyre. Pa frymë.

Të mbytura nga zjarri?! Jo! Kurrësesi! Zjarri s’pret trungje! Motosharra po!

Djegësina vrasësish, që për të humbur gjurmët, i djegin kufomat e viktimave të tyre. Vend e pavend, mbetje fajesh, që as pafajësia e dëborës s’guxonte t’i mbulonte.

File 30-11-2017, 18 55 14_preview
Fotopanoramë nga Erblin Vukaj; Parku Kombëtar i Lurës; Nëntor 2017.

Mbetje trungjesh si kunja shkrepësesh qëndronin të ngulura për shkëmbinjsh, ndërsa në sfond dukej sikur liqenet luteshin të mos-shkrinin më. Të gjitha ato liqene me emra aq të bukur – Liqeni Rrasave, Liqeni i Luleve, Liqeni i Pishave, etj – ngurosur në akujt letargjik të dimrit. Një panoramë e heshtur ku pemët e mbetura zgjuar, buqisnin nga frika pasi motosharra s’u ndal kurrë.

Arinj, kaproj, rrëqebuj, shqiponja… Unë pashë vetëm një dhelpër andej dhe u ndjeva me fat. Kryqëzova gishtat! Shpresoj të jenë shumë më shumë.

Ftohti nuk ndihej kur mbillje fidanë. Ideja se ai halori vockël do të bëhej i stërmadh për pak goditje kazme dhe një lopatë dhe, të mbushte me gëzim, ndërsa njëri prej vullnetarëve, që e kishte origjinën nga andej, si me shaka tha: “po laj hakun e tim eti!”.

E vërteta është se ka plot të rinj që e duan natyrën në këtë vend, gjithsecili duhet të bëjë të veten, por pjesën më të madhe duhet ta bëjë Shteti!

Kthimi pas asaj panorame, ishte plot reflektim. Kush do që ta dijë, ai park i shpallur “kombëtar” më 21 nëntor 1966-të, është gjymtuar më tepër se 70% për 27 vite me radhë, ndërsa ironia ishte se rrugës në sfond dëgjohej sërish motosharra, e cila nga banorët e zonës, kafeve andej nga Fushë-Lura, thuhej se thjesht “shkurton trungjet e rëna”.

Moratoriumi s’i ringjall parqet! Mbjelljet masive, burgu për sharruesit, kamionët, piromanët… Po!

FKP_7844
Foto nga Fatjon Kapllanaj; Fidan i ri pishe; Parku Kombëtar i Lurës; Nëntor 2017.

One Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.