“Mos ma prek Valbonën”… protestat vazhdojnë

File 02-12-2017, 19 11 09Përmbytjet e fillim-dhjetorit i ndërgjegjësuan qytetarët që të ishin më të shumtë përpara Kryeministrisë në protestën e radhës për Valbonën.

Që prej verës së vitit 2016-të, qytetarë, aktivistë të shoqatave ambientaliste, por edhe guida turistike, kanë kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve brenda parkut kombëtar të Luginës së Valbonës. Protestat kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa pak javë më parë Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e banorëve dhe shoqatës “Toka” për të ndaluar punimet.

Ndërtimet në park konsiderohen masakër ndaj ekosistemit, vlerave dhe investimeve turistike të bëra kryesisht nga banorët.

Ende pa transparencë të plotë, sidomos për studimet mjedisore me të cilat janë marrë lejet e ndërtimit të hidrocentraleve, protestat mbeten përgjigjja e vetme qytetare ndaj gjendjes së shurdhët që mbajnë institucionet dhe shtetarët.

Opinioni publik ka mbajtur vazhdimisht qëndrim kundër politikave pro ndërhyrjeve në parqe si ai i Valbonës. Por nga shtetarët nuk ka pasur reflektim dhe shembulli paralel me planifikimet e hidrocentraleve edhe në Vjosë, apo Osum tregon se situata është dëshpëruese.

“Njerëzit kanë ndjesinë se këtu gjërat nuk ndryshojnë pavarësisht protestave, prandaj mbetemi të paktë në shesh sepse njerëzit hezitojnë” – po më thoshte gjatë protestës Edmond Kocli, guidë turistike, ndërsa më tregoi se si në vendin e tij të origjinës nuk ishte mundur të ndalohej ndërtimi i një hidrocentrali, që merr një degë të lumit Fan dhe që gjatë verës lë gjithë banorët e zonës pa ujë.

Çështja e Valbonës është pasqyrë e qartë e trajtimit që Shteti Shqiptar i ka bërë ndër vite çështjeve mjedisore. Zjarret masive, shpyllëzimet, parqet djerrë,pa kafshë, guroret pa kritere, zhavorrnxjerrësit e lirë ndër lumenj, vendshkarkimet në natyrë të mbetjeve industriale e urbane, inceneratorët, termocentralet dhe së fundmi hidrocentralet.

Përgjithësisht politika zgjedh t’i kalojë këto çështje në heshtje, duke diktuar edhe agjendën mediatike e për rrjedhojë rëndësinë, ose jo, të asaj çka duhet të përbëjë interes publik.

Gjithmonë masakrat mjedisore anashkalohen dhe mediatikisht trajtohen përciptazi. Të protestosh duke bërtitur “Mos ma prek Valbonën!” nënkupton që kjo gjë s’duhet të ndodhë më!

Sigurisht protesta e radhës nuk e zgjidhi problemin, por sensibilizoi disi më tepër qytetarët se nëse nuk reagohet për çështjet e mjedisit, atëherë përmbytjet, apo fenomenet shkatërrimtare të natyrës nuk do të parandalohen kurrë.


Qeveri të ndryshme, politikë e njëjtë!

Edi-Rama-dhe-Sali-BerishaGjatë mandatit të dytë, Qeveria Berisha shpalosi projektin “Shqipëria super-fuqi energjitike” duke nxjerrë si projekte strategjike ndërtimin e më shumë se 300 hidrocentraleve.

Projektet nuk u bënë asnjëherë transparente dhe në konsultim me banorët e zonave, ndërsa disa kontrata, sikurse ato të hidrocentraleve në Valbonë, u firmosën në fund të mandatit, edhe pse studimet mjedisore që u morën për bazë nxitën mjaft debate kur gjithcka u bë publike.

Qeveria Rama, edhe pse qe zotuar se do të kishte një qasje ndryshe, nuk ndryshoi shumë nga Qeveria Berisha. Projektet për hidrocentrale vazhduan të shtoheshin duke shkuar në 313, ndërsa në shtator të vitit 2015-të, raporti dyvjeçar i projekteve hidroernegjitike në lumenjtë e Ballkanit tregonte se 24 prej tyre kishin nisur punimet tashmë.

Kur projektet e ndërtimit të 11 hidrocentraleve në vetëm 25 kilometra distancë në Tropojë u bënë publike, qytetarët reaguan duke nxitur protesta.

Vjeshtën e vitit 2016-të, pasi ishin kryer disa protesta radhazi, Kryeministri Edi Rama tha në foltoren e Parlamentit se në Valbonë nuk do të ndërtoheshin 11 hidrocentrale, sikurse qe parashikuar nga Qeveria e kaluar, por “vetëm” dy, të cilët ai i justifikoi si të “pa-anulueshëm” me argumentin se nëse kryhej kjo gjë, do të kishte kosto të lartë ekonomike.

Ndërsa e ktheu në çështje politike – ashtu sikurse bëjnë gjithmonë politikanët në Shqipëri – Kryeministri shtoi se në Valbonë nuk do të ndërtoheshin diga dhe se “peisazhi atje do ishte krejtësisht i pacënueshëm”.

Një vit më pas, fotografitë e shkrepura mbi kantierin e ndërtimit atje, treguan tjetër gjë, ndërsa projekt-idetë për hidrocentrale janë shtuar më tej, duke shkuar në më tepër se 380. ValbonaFoto-gjate-punimeve-ne-ValboneSynimi është që deri në vitin 2025 të shkohet në 436 hidrocentrale.

Qeveria Rama, njëjtë si ajo Berisha, pa transparencë dhe pa konsultuar banorët, vazhdoi serinë e projekteve. Në shtator 2017-të, u bë publik ndërtimi i një tjetër hidrocentrali në Alpe, më saktësisht në lumin e Shalës, pikërisht pas një viti të bukur turistik ku ky lum qe konsideruar edhe si “Tajlanda shqiptare”.


Nga ndërtues pallatesh, në ndërtues hidrocentralesh

hidrocentrali-fjerzesSipas të dhënave të “Save the Blue Heart of Europe”, Shqipëria nuk është i vetmi vend në rajon që po projekton kaq shumë hidrocentrale. Serbia me 827 plan-projekte është ajo që parashikon më tepër ndërhyrje në lumenjt e Ballkanit. Por krejt ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria është ajo që ka më tepër kantiere ndërtimi.

Në Shqipëri 81 hidrocentrale janë në ndërtim, ndërsa 305 të tjerë parashikohen të ndërtohen më tej. Në Serbi në ndërtim janë shumë më pak, vetëm 30, ndërsa ka projekte për 827 të tjerë. Më pas vjen Maqedonia me 22 në ndërtim e 153 në pritje, Bosnje dhe Hercegovina me 19 në ndërtim e 296 në pritje dhe vendet e tjera të rajonit nuk i kalojnë 10 hidrocentralet në ndërtim.

Në vendet e rajonit, përgjithësisht duket se nuk ka ngutje. Projekt-idetë për hidrocentrale kërkojnë studime të thella për ndikimin që kanë ato në ekosistemin natyror, zonat e banuara, por edhe trashëgiminë historike të zonave që preken.

Ajo që vihet re në Shqipëri është një mungesë transparence, konsultimi publik dhe shkencor. Në këtë situatë, kur koncensione për hidrocentrale po jepen edhe më shpejt se pallatet, shumë firma ndërtimi janë duke kaluar në sektorin e hidroenergjitikës.

Kompania “Gener2”, që po ndërton në Valbonë është shembulli konkret. Ndërkohë ka raste që hidrocentralet trajtohen thjesht si “asete imobiliare” duke u nxjerrë në shitje rëndomtë edhe me njoftime interneti.

shes-hidrocentral-mirdite
Njoftim që gjendet në internet i një hidrocentrali në shitje.

Në një kohë kur sektori i ndërtimeve mbetet më kaotiku në Shqipëri, përvoja e pallateve në shkelje të plotë të ligjeve të urbanistikës, po ndërfutet edhe në sektorin energjitik, duke mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve në anashkalim të parimeve gjeo-inxhinierike.


Hidrocentralet si një problem mjedisor për të gjithë rajonin.2500.jpg

“Projektet e hidrocentraleve në Ballkan shtohen me 300% duke vënë në rrezik jetën e kafshëve të egra” kështu raportoi më 27 nëntor gazeta britanike The Guardian duke referuar hulumtimin e FLUVIS (Floodplain Ecology and River Basin Managment, me bazë në Vjenë që ofron konsulenca gjeo-inxhinierike për rajonin e Ballkanit), hulumtim që tregonte se 2 796 hidrocentrale janë në fazë planifikimi, 188 janë në ndërtim dhe se 37% (1031) e hidrocentraleve të ideuara parashikohet të ndërtohen në zona të mbrojtura! (118 në parqe kombëtare dhe 547 të tjerë në zona me status “Natura 2000” pra të BE-së).

Nga raportimet e studimeve të ndryshme mbi mjedisin, ndikimi i parë është te peshqit e lumenjve. Nga IUCN (International Union for Conservation of Nature) thuhet se rreth 75% e peshqve, vetëm në ujërat e ëmbla të Shqipërisë, janë të kërcënuar nga ndërtimi i HEC-eve të vogla përgjatë lumenjve me rrjedhje të lirë.

Studimi referon se “fauna e ujërave të ëmbla të Ballkanit, sidomos në Shqipëri ka vlerësime të dobëta. Ekspertët ndërkombëtarë thonë se duhen kërkime dhe sondazhe gjithëpërfshirëse për peshqit e ujërave të ëmbla dhe reflektim të situatës përpara planifikimit të HEC-eve të reja.”

The Guardian përmend se një specje e radhë, si “isoperla vjosae” u zbulua në lumin e vjosës vetëm vitin e kaluar, gjatë një ekspedite prej 25 shkencëtarësh në Shqipëri. Ky lloj peshku ishte i panjohur më parë. “Njëjtë si salmoni i Danubit dhe trofta e Prespës, edhe ky lloj peshku është në rrezik zhdukje nga rreziku i një dige si cunami”, sikurse e konsiderojnë shkencëtarët digën e një hidrocentrali në Vjosë.

peshku i vjoses
The Guardian//Peshku i zbuluar se fundmi ne Vjose.

Këtu Ministri shqiptar i Energjitikës, mbron projektet e hidrocentraleve në Vjosë, duke thënë se parashikohen “bypass”-e peshqish, dicka kjo “bashkëkohore e praktikave më të mira të ndikimeve minimale në mjedis”.

Po sigurisht që fjala e një ministri shqiptar nuk mund të vlejë më tepër se qindra shkencëtarë që e vlerësojnë katastrofike ndaj gjallesave ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë.

Ndërsa i gjithë rajoni është “pushtuar” nga projekte kaq të debatueshme për ndikimin në mjedis, vlen të theksohet se 2800 projektet e hidrocentraleve në Ballkan kapin një investim prej më shumë se 820 miliardë eurosh, ku të paktën 240 miliardë janë investime nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pas këtyre shifrave dhe faktit se shumica e investitorëve në rajon janë të huaj, krijohet një përshtypje negative se BE-ja për të përballuar kërkesat në rritje për konsum të energjisë brenda Unionit, nuk “e vret mendjen shumë” për mjedisin – sidomos për mjedisin e vendeve jo-anëtare – prandaj dhe në përgjithësi “ndërkombëtarët” në Shqipëri, janë gjithashtu të shurdhët, ndërsa protestat për Valbonën kanë më shumë se  2 vite që vazhdojnë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.