Qemal Vogli, zanafilla prej kampioni nën presionet e diktaturës  

Qemal Vogli u lind në lagjen Zguraj të Kavajës në një datë të diskutueshme mes 15 marsit dhe 29 shtatorit të vitit 1929 ose 1930. Shqipëria në atë periudhë ishte nën Mbretërimin e Ahmet Zogut. 

Një certifikatë e vitit 1975, e arkivuar nga Sigurimi i Shtetit, thotë se Qemali u lind më 15 mars 1929. Diku tjetër thuhet se ai u lind më 29 shtator 1929, ndërsa në hetuesi vetë Vogli shkruante se qe lindur në vitin 1930. Ky vit përmendet më pas edhe në vendimet gjyqësore. 

Me gjasë mosha duhet t’i jetë shtuar enkas në certifikata në mënyrë që ai të kapërcente më shpejt grupet e moshave në futboll. 

Zyrtarisht Ramën Çepele – 17 vjeç, 7 muajsh e 21 ditësh – është lojtari më i ri në moshë që ka luajtur ndonjëherë një ndeshje me kombëtaren Shqiptare (Miqësore: Shqipëri 2-1 Kosovë, 11 nëntor 2020). Pas tij vijnë Mario Mitaj (2021) dhe Qemal Vogli (1947). Por nëse Vogli mund të ketë lindur vërtetë në vitin 1930 dhe jo në vitin 1929 atëherë ai mund të ketë qenë 16 vjeç dhe jo 17-të e për rrjedhojë ky rekord të mbetet sërish i tiji. Por kjo mbetet e diskutueshme. 

Deri në adoleshencë Qemali jetoi periudhat më të vështira të historisë së Shqipërisë.

Periudha e Mbretërisë u mbyll në vitin 1939 nga pushtimi fashist dhe nisja e Luftës së Dytë Botërore. Nazistët i zunë vendin fashistëve tre vite më vonë, ndërkohë, pas Çlirimit, në Shqipëri u ngrit diktatura komuniste e Enver Hoxhës. 

Regjimi i Hoxhës nisi menjëherë me përndjekje të llahtarshme ndaj të ashtuquajturve “kolaboracionistë” dhe “klasa të përmbysura”. Kështu familja Vogli u cilësua “me biografi të keqe” për lidhje të dyshuara me Ballin Kombëtar, organizatë, të cilën komunistët e shpallën “armike të pushtetit popullor” prej bashkëpunimit të tyre me nazistët. 

Nxitur nga ky cilësim, në vitet e para pas Çlirimit, regjimi i burgosi Qemalit vëllezërit, – Mahmut dhe Xheladin Vogli, – duke e lënë atë vetëm me nënën, motrën, kunatën dhe dy fëmijët e njërit prej vëllezërve. Komunistët e përndoqën familjen Vogli në një kohë kur ajo kishte humbur kryefamiljarin, Bakiun, dhe djalin e madh, Myslimin.  

Prej kësaj gjendjeje të vështirë ekonomike dhe familjare, Qemali duket se çlirohej vetëm nga futbolli. 

Vogli me një shtat rreth 1.9 metra të lartë spikati që në vitin 1946 si portier i Besës së Kavajës. Dalloi megjithëse adoleshent, nuk ishte as 16-vjeç.  

Talenti i hapi rrugë të kalonte te skuadra e Yllit të Kuq – sot Teuta në Durrës. Atje Vogli ra më tepër në sy. Ai u ftua në kombëtare ku debutoi më 25 maj 1947 (Kupa e Ballkanit: Shqipëri 0-4 Rumani).  

Në këtë periudhë filloi punë si ndihmës-saldator në port, vend në të cilin Sigurimi i Shtetit kishte angazhuar dhjetëra bashkëpunëtorë. Tre prej tyre do të raportonin rregullisht për Voglin me nofkat: Goma, Çapkëni dhe Jehona. 

“Kolegët bashkëpunëtorë” spiunonin çdo sjellje të Voglit, madje edhe çështjet familjare të tij. 

Përveç tre spiunëve në port, gjatë viteve në vijim, Sigurimi do të angazhonte plot bashkëpunëtorë të tjerë të njohur me nofkat si: Bjeshkore, Biblioteka e Pogradecit, Topi, Stina e Shiut, Besuesi dhe Lumi. 

Ata “i përpunonin” biografinë duke i analizuar lidhjet familjare, sjelljet në punë, opinionet, me kë shoqërohej etj. Kjo përndjekje me spiunime do të vazhdonte deri në vitin 1991 kur zyrtarisht regjimi do të binte dhe Sigurimi i Shtetit do të reformohej. 

Kur Vogli ishte 18 vjeç ai rrezikon jo-pak pas një rasti pakujdesie në punë. Ai duket se kursehet pasi drejtuesit e lartë të Partisë e shohin me një sy tjetër për shkak të aftësive që kishte në sport. 

“Qemali kur la punën e kishte lënë aparatin e saldaturës së elektrikut me fije të takuara […] kështu vuri në rrezik personelin dhe rimorkiatorin të digjej […]” – raportonte bashkëpunëtori Goma më 10 tetor 1947, – “Qemali ka dy vëllezër në burg njërin si armik populli dhe tjetrin se deshi të arratisej në Itali. Ky shoqërohet më tepër me Z.R, O.M, I.D.” 

Ky rast i raportuar u bë problem për Voglin. Dokumentet tregojnë se në këmbim të shfajësimit për dëmet e pakujdesisë në punë, Sigurimi e detyroi të bëhej bashkëpunëtor. Mirëpo Vogli, të cilit regjimi i kishte burgosur vëllezërit, duket se nuk bashkëpunon. 

“[…] për të gjitha neglizhencat e dëmtimet del se Vogli (në vitin 1947) ishte për t’u arrestuar, por siç duket atëherë nuk është aprovuar nga Drejtoria, është thirrur nga organet e Sigurimit në kantier për ta këshilluar, ku në këtë kohë është rekrutuar B.P informator” – do të analizonte më vonë në vitin 1955 në një raport Kryetari i Degës III Halim Xhelo. 

“Më 1950 është marrë si sportist shumë i mirë (portier) i skuadrës Dinamo. Si lojtar është paraqitur shumë i mirë, është treguar i vullnetshëm dhe guximtar. Njëkohësisht prej 1950 deri në 1954 ka qenë në lidhje si B.P i organeve tona, por në këtë drejtim nuk ka dhënë asgjë, sepse nuk ka dashur të bashkëpunojë,” – vijon më tutje Xhelo. 

“[…] Këtë bashkëpunim, për periudhën që ka qenë në skuadrën e futbollit, nuk e ka plotësuar mirë, kjo sepse nuk donte të bashkëpunonte. Për këtë në vitin 1954 u përjashtua si bashkëpunëtor, duke u konsideruar i pavlefshëm dhe deklarata e mos-dekonspirimit nuk iu mor sepse nuk donte që ta lëshonte,” – thuhet më vonë në një relacion tjetër sekret të Sigurimit. 

Ishte viti 1950 kur diktatura komuniste formoi klubin sportiv të Dinamos, i cili u projektua sipas modelit sovjetik të Dinamos së Moskës, nën tutelën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Vogli ishte rreth 19 vjeç. Trajneri Ludovik Jakova pa te ai një talent të padiskutueshëm. Me rekomandim të tij, ai u shpërngul nga Durrësi në Tiranë. Por shkëputja nga familja ishte e vështirë për të.  

Pas vdekjes së babait dhe burgosjes së dy vëllezërve ai ishte kryefamiljari. Nënë Haxhirja ishte pika e tij e dobët. 

Në kryeqytet, klubi e sistemoi si saldator në ofiçinën e Ministrisë së Punëve të Brendshme kjo më tepër për ta pasur nën vëzhgim prej biografisë që kishte. 

Sukseset me Dinamon i dhanë jashtëzakonisht popullaritet. Për pesë vite u vendosën rekorde dhe u fituan trofe radhazi.  

Ky popullaritet dhe përkrahja nga Zëvendëskryeministri, asokohe, njëherësh Ministër i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, i cili e shihte futbollin si mundësi “për të agjituar masat”, bëri Sigurimin të mos vepronte kur nisën të vinin raportime se në daljet jashtë shtetit Vogli kryente kontrabandë. 

“[…] Vogli kur është kthyer një herë nga turneu që skuadra kombëtare ka bërë jashtë shtetit, ka sjellë kontrabandë një sasi të konsiderueshme gjilpërash makine qepëse, gurë çakmaku e të tjerë, të cilët i kishte futur në tri kamerdare biçiklete, këto i shiti dhe fitoi nga kjo kontrabandë rreth 400 mijë lekë.” – spiunonte “Biblioteka e Pogradecit” dhe “Bjeshkorja” në muajt prill-qershor 1955. 

Në fakt shumica e futbollistëve të Dinamos, apo Partizanit asokohe blinin dhe shisnin nën zë sende me porosi sa herë që dilnin jashtë shtetit duke fituar një lloj privilegji nga mosndëshkimi prej udhëheqjes. Përveç kësaj, në këtë periudhë Vogli ishte pranuar si anëtar në Partinë e Punës duke marrë kështu një vlerësim edhe më të lartë nga pushteti. 

Bashkëpunëtori më i zellshëm, me nofkën “Biblioteka e Pogradecit” quhej Llambi Llampiri. Ai ishte një ish-i burgosur për vjedhje, i cili qe punësuar si mekanik në ofiçinën e Ministrisë së Brendshme në vitin 1950 enkas me synimet e angazhimit si informator.  

Aty ai qe miqësuar me Voglin dhe raportonte për Sigurimin çdo gjë, deri dhe marrëdhëniet e trazuara familjare që Vogli po kalonte me bashkëshorten. 

Në disa nga raportimet, në qershor 1955, Sigurimi merr informacion se Vogli po mendonte për t’u arratisur. 

“[…] Qemali më tha: Unë dua vrarë, se në 1950 kur na linin të lirë unë isha edhe beqar, nënën nuk e kisha unë, nuk e vendosa, bile kur erdha këtu vëllai më tha pse e prure kokën,” – spiunonte “Biblioteka e Pogradecit” nga diskutimet që bënte me Voglin në ofiçinë. 

Informatori Llampiri udhëzohej nga Sigurimi që të mbante një profil të interesuar për këtë temë dhe të mundohej të raportonte sa më shumë detaje nga plani i Voglit.  

“[…] qëndro i mërzitur duke lidhur me trajtimin e keq që të është bërë gjoja, pastaj shfaqi dyshimin se edhe në punë nuk po më marrin. Në rast se ai fillon bisedimin për arratisje, mundohu t’i marrësh sa më shumë hollësira se si mundohet ta organizojë, a ka shokë të tjerë, po me kujdes që të mos i lesh dyshime” – udhëzohej informatori nga Dega e Brendshme. 

Krejt ndryshe nga sa pritej, Vogli e denoncon Llampirin për “provokim” dhe “tentativë arratisjeje” duke i shpëtuar një arrestimi të mundshëm. Me gjasë raportimet e “Bibliotekës së Pogradecit” janë dekonspiruar nga operativët e Sigurimit dhe Vogli mund të jetë udhëzuar me qëllim që të denoncojë zyrtarisht personin që e spiunonte dhe t’i shpëtonte akuzave. 

Kështu, më 27 dhjetor 1955, nën sugjerimin e Togerit Hajredin Hoxha, Kolonelit Helim Xhelos dhe Majorit Nuri Çakerrit, dëshmitë e mbledhura nga Llampiri në dëm të Voglit cilësohen “të pavlefshme” megjithëse qartësisht denoncimi i Voglit konsiderohet “i bërë me vonesë”. 

Qemal Vogli arratiset një vit pas këtyre raportimeve, më 3 shtator 1956. Vetë Ministri i Punëve të Brendshme, asokohe, Kadri Hazbiu, kishte udhëzuar marrjen e masave për ta pasur nën vëzhgim të veçantë dhe kishte urdhëruar edhe “izolimin” e tij nëse shfaqeshin dyshime të arsyeshme për arratisje. 

Largimi i Voglit la pas një valë spekulimesh me trysni politike në rrethin e nomenklaturës si dhe brenda strukturës së Sigurimit të Shtetit, e cila nuk mundi ta ndalojë. 

Në të gjitha dëshmitë dhe reportazhet rreth historisë së Voglit mbetet e paqartë se si u kthye ai në Shqipëri. Ndërroi mendje dhe u kthye vetë, apo u mor peng dhe u kthye forcërisht nga bashkëpunimi i Sigurimit me agjenturat simotra të vendeve të tjera komuniste?  

Arkivimi i dosjes së Voglit duket të jetë bërë me asgjësime të shumta dokumentesh. Por në dosje ka mbetur një korrespondencë e mbajtur me STASI-n, homologen e Sigurimit të Shtetit në Gjermaninë Lindore.  

Por pse i interesonte regjimit të Hoxhës kapja dhe kthimi i Voglit?  

Ka gjasë se një angazhim i Sigurimit mund të jetë ndërmarrë me qëllim dekurajimin dhe frikësimin e popullsisë pasi Vogli ishte rasti i tretë i sportistëve me emër, që arratisej pas dyshes Vathi-Kavaja. 

Po kështu popullariteti mund të ketë luajtur rol në “dënimin e butë” që Vogli mori për arratisjen.  

Regjimi i dha atij 15 vite burg, prej të cilave kreu pesë vite dhe më tej u amnistua. Mirëpo nuk ishte më e njëjta gjë. Ai u internua gjithsesi në kampet e tharjeve të kënetave e më pas në kampet e punëve në periferi të Tiranës. 

Përveç kësaj iu ndalua të luante futboll. Dokumentet tregojnë se Sigurimi vijoi ta mbante nën vëzhgim të vazhdueshëm deri në vitin 1991 nën dyshimin se ishte “agjent i fshehtë gjerman”. 

Në gjithë këtë histori dramatike, mund të themi se dënimi më i rëndë që Vogli mori, ishte ndarja me të bijën kur ajo ishte ende e vogël dhe ndalimi i të luajturit futboll gjatë gjithë jetës.  

Qemal Vogli mund të mos fitonte kurrë medalje olimpike, Kupë Evrope, apo “Top të Artë”, sikurse bënë Gyula Grosicsi apo Lev Yashini, por e sigurt është se po të vazhdonte të luante futboll do të ishte një histori shumë herë më fantastike e futbollit shqiptar, histori që nuk do të harrohej kurrë aq lehtë. 

Qemal Vogli, portieri që sfidoi diktaturën – Historia e plotë

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.