Nga Grosics te Yashin, Qemal Vogli në një epokë të jashtëzakonshme futbolli 

Si portier, Qemal Vogli gëzoi majat e karrierës në fillim-vitet 50-të. Asokohe në futbollin botëror bënte bujë një brez i jashtëzakonshëm hungarezësh, të cilët ishin frymëzim sidomos për komunistët e lindjes. 

Deri në vitin 1956 ata ishin të aftë të turpëronin 8-3 Gjermaninë Perëndimore, 7-1 Anglinë, 7-1 Turqinë, 8-0 Finlandën dhe 9-0 Korenë e Jugut. Të konsideruar “pionierët e futbollit total”, atyre nuk u bënin ballë as skuadra me tradita si Italia, Brazili, Uruguai, apo Suedia. 

Nga ky brez dallonin Gyula Grosics, Zoltán Czibor, József Bozsik, Nándor Hidegkuti, Sándor Kocsis dhe Ferenc Puskás. Paralelisht hungarezi i arratisur në Spanjë, László Kubala, shkëlqente me Barcelonën.  

Emra të tjerë si Didi, José Santamaria, John Charles, Giampiero Boniperti, Gunnar Nordahl, Stanley Matthews, Friedrich Walter dhe Alfredo Di Stéfano ishin yjet e kombësive të tjera, që shndrisnin në një epokë para Pelé-së. 

Për të dalluar nga lojtarët në fushë, portierët e asaj periudhë visheshin me uniforma të zeza. Për këtë dhe faktin se hidhej me zhdërvjelltësi, hungarezi Grosics mbiquhej “Pantera e Zezë”. Ai ishte frymëzim për të gjithë portierët e asaj kohe.

Nuk bënte përjashtim as Lev Yashini. Ky ishte moshatar me Voglin dhe pak vite më vonë do të shkruante historinë duke fituar evropianin me Bashkimin Sovjetik (1960), si dhe vlerësimin me “Top të Artë” (1963) – çmimi më prestigjioz i futbollit, që nisi të jepej pas vitit 1956 dhe deri në vitin 1995 iu dha vetëm evropianëve.  

Vogli u përball me të dy këta portierë legjendarë. Madje me Yashinin pati mundësi edhe të kalonte një periudhë të shkurtër stërvitjeje. 

Me “Panterën e Zezë” Vogli u përball në një miqësore tejet dramatike për Shqipërinë, e cila u mbyll me rezultatin turpërues 12-0.  

Ishte 24 shtatori i vitit 1950. Luhej në Budapest. Vogli u aktivizua vetëm një pjesë. Pësoi 5 gola e më pas u zëvendësua për shkak të një lëndimi. Zëvendësuesi i tij, Sulejman Maliqati, do ta nxirrte topin nga rrjeta edhe shtatë herë të tjera. 

Kjo mbetet fitorja më e thellë e Hungarisë në futboll pas Luftës së Dytë Botërore dhe humbja më e thellë e Shqipërisë në të gjitha kohërat. 

Por ajo ndeshje u diktua shumë nga gjendja e keqe e skuadrës. Kombëtarja vinte pas një reprezalje të Sigurimit të Shtetit si rrjedhojë e arratisjes nga ekipi përfaqësues i dyshes Sulejman Vathi e Bujar Kavaja. Ata qenë larguar pas një miqësoreje me Bullgarinë.

Voglit do t’i mbetej në mendje kjo ndeshje me Grosicsin, por sidomos arratisja e Vathit, të cilin e kishte shok skuadre edhe te Dinamo. 

Me portierin tjetër, legjendën Yashin, kavajasi u përball në vitin 1954 në Moskë gjatë një ndeshjeje miqësore mes dy dinamove. 

Krenaria e futbollit sovjetik, i shpallur “Hero i klasës punëtore”, i priste goditjet a thua kishte tetë duar. Për këtë dhe faktin se, njësoj si Grosics vishej me të zeza, mbiquhej “Merimanga e zezë”.  

Moskovitët kishin dëgjuar për Voglin prej miqësoreve të nëntorit 1951 në Tiranë, (Shqipëri 1-1 Spartak i Moskës; Dinamo 0-3 Spartak i Moskës) ku ai kishte dalluar për aftësi të përkryera në portë. 

Yashini dhe Vogli, – asokohe të dy 25-vjeçarë – e vlerësuan me konsiderata njëri-tjetrin.  

Në këto kohë, në mjediset e sportit shqiptar Vogli mbiquhej “Shqiponja e Zezë” – ndryshe “Macja e Zezë” mbiquhej shoku i tij Sulejman Maliqati. Ai ishte protagonist i një ecurie të jashtëzakonshme sportive në Tiranë.  

Me Dinamon do të fitonte pesë kupa e pesë kampionate me rekorde absolute të tipit 25 fitore radhazi dhe do të bënte pjesë në një brez të artë futbollistësh me Shyqyri Relin, Qamil Telitin, Skënder Begejën, Skënder Jarecin, Zihni Gjinalin e Hamdi Bakallin. 

Por, megjithëse të shumtë ishin krenarë për arritjet e tij sportive, Vogli nuk u bë kurrë njësoj si Yashini “Hero i Klasës Punëtore”, përkundrazi. Gjithçka e tij u dënua me harresë kur më 3 shtator 1956 ai u arratis drejt Perëndimit njësoj si Vathi e Kavaja. 

Ishte 27 vjeç. Kishte vetëm 10 vite futboll profesionist. Shumëkush priste të paktën edhe 5 vite të tjera në majat e sportit shqiptar.  

Situata emocionale dhe rrethanat bënë, që pas një miqësoreje me Dinamon e Berlinit, ai të arratisej për në Berlinin Perëndimor. 

Ishte koha kur ende nuk ishte ndërtuar famëkeqi “Mur i Berlinit”. Ishte koha kur arratisjet regjimi diktatorial i Hoxhës i dënonte me vdekje, ose me të paktën 25 vite burg.  

Prej vitit 1956 e deri më sot historia e Qemal Voglit është treguar mes kujtimeve të mjegullta, me pak dokumente dhe aspak kontekste historike. 

Ky shkrim përmbledh në mënyrë të detajuar gjithë historinë e tij duke iu referuar dosjes që Sigurimi i Shtetit mbajti për të, por jo vetëm. 

Qemal Vogli, portieri që sfidoi diktaturën – Historia e plotë

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.