Vizitë në burgun famëkeq të Spaçit

Dy muaj më parë – përmes një vizite studimore të organizuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) – mu dha mundësia të shihja nga afër atë çka mbetej nga ish-kampi burg i Spaçit. Ishte rrëqethëse. Një udhëtim që më la jashtëzakonisht mbresa.

Me ne – mes dhjetëra gjimnazistëve, të cilët ishin fitues të konkursit “Pyet Gjyshërit 2” të IDMC-ës – ishte Zenel Drangu, ish-i përndjekur. Qe dënuar për arratisje. 17 vite. Spaçi i kishte vjedhur rininë, prandaj kur vinte puna për të folur për atë vend, emocionet i bëheshin lëmsh. Zëri i dridhej. Sytë i njomeshin lot.

Tre reshta tela. Katër toga ushtarë. Nën vigjilencë. Urrejtje. Rregulla absurde. Rreshta. Apele pafund. Ai tasi ujë që duhet ngrënë se zbën në mensë. Lexime detyrueshëm të veprave të Enverit. Tortura fizike. Psikologjike. Izolimet. Dënimet shtesë. Norma prej 4 vagonësh bakër apo pirit në minierë. Dhe… natyra që damkoste dënimin me acar dhe kushte ekstreme. Këto ishin ngjyrat e vuajtjes së përjetimit njerëzor, të cilat i mungojnë sot rrënojave që mbeten nga Spaçi.

Zenel DranguDo të ishte e kotë ta vizitoje Spaçin pa ndokënd, që e ka vuajtur atë. Në të kundërtën, do lexoje vetëm tabelat përshkruese të atyre godinave fantazmë. Vetëm kaq!

Për të vajtur në Spaç ishte rrugë rraskapitëse. Imagjino! Sot e tillë. Kush e di se sa ferr do ketë qenë 50 vite më parë kur kampi u shpërngul përfundimisht aty pas një serie lëvizjesh kudo që regjimit i qe dashtur krah pune pa-pagesë, nga Peqini në vitin 1951, e më pas me rradhë në Berat, Kuçovë, Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Fushë-Krujë.

Falë punës së të përndjekurve politikë regjimi ndërtoi të paktën 14 vepra të rëndësishme urbane dhe industriale anë e mbanë vendit. Nostalgjikët e kohës, s’e dinë këtë pjesë, ose akoma më keq, bëjnë sikur s’e dinë!

Udhëtimi i familjarëve për të parë të gjorët e tyre në të ashtuquajturin “Reparti nr.303” ishte makth. Ato pak makina, që lëviznin rrugëve asokohe, zor se i merrnin. Nga Ura e Zogut deri në Rrëshen apo dhe Reps – ata që kishin fat – e bënin me ndonjë makinë të rastit. Më pas për në Spaç – reth 7 kilometra – bëhej në këmbë. Ushtarët dhe punëtorët e lirë të kampit, ishin urdhëruar të mos merrnin asnjë familjarë për andej.

IMG_4101Që kishte patur “punëtorë të lirë” në atë kamp, e mora vesht vetëm nga një tabelë në hyrje. Dy pallate katër-katëshe, ishin banesat e tyre. Aty Zeneli na tha se nuk kishim hyrë ende në kamp, pra “punëtorët e lirë” jetonin vërtetë të lirë.

Me kureshtje dhe nxitim hyra t’i shoh ambientet brenda atyre pallateve. Pllakat ishin të njëjtat me ato të pallatit tim – parafabrikat – në Tiranë. Pak kishte mbetur nga koha. Gjithçka e shkulur. Rrënuar!

Duke kaluar nëpër dhoma, shtanga nga pamja përtej një dritare. Një rrëke përroi zhurmonte me shkumë mes dy malesh. Njëri me bimë, tjetri zhveshur komplet. Dhè. Gurë. Aty në të djathtë Spaçi me ato godinat e mbetur bosh. “Kështu ka qenë edhe atëherë, pa pemë. Frynte fort erë. Në dimër bënte ftohtë kallkan, deri minus 15-a-16 gradë” – na tregoi Zeneli.

Në cep të pallateve të “punëtorëve të lirë” ishte vendi ku dikur adhurohej Enver Hoxha. Aty në majë të një rrëpire, qe sistemuar një shkallare dhe në krye thuhej se ishte vendosur portreti i tij.

Prej 2007-ës, një pllakatë guri e shkruar nga të rinjtë e Dioqezës së Sapës në Vaun e Dejës, nderonte me kast, pikërisht në atë vend, dedikuar dikur diktatorit, të vuajturit e atij kampi famëkeq.

IMG_4117

Ecëm më tej. Kur i hymë kampit, heshtëm të gjithë. Dëgjohej vetëm Zeneli dhe era e ftohtë kallkan, e marsit, pra pranëverës, jo dimrit!

IMG_4118

Ai na tregoi Komandën. Godina e parë që shfaqej aty. Tek-tuk, i dukeshin ende disa shkronja nga parrullat hipnotizuese të propagandës enveriste: “Socializmin e ndërtojmë me forcat tona!”. Përballë, një magazinë e vogël ku mbaheshin ushqimet. Më pas, pika e kontrollit të familjarëve.

IMG_4135Rrëzë Komandës, ishte dhe ajo “gjëja” e vogël. Godina më imcake e kampit. Aty Zeneli na tha se bëhej takimi me familjarët, gjithmonë nëse mund të konsiderohej takim një “15 minutësh i survejuar dhe ku ti thjesht mund t’i prekje disi duart pas hekurave të afërmin tënd”.

Më pas, disi poshtë në të majtë, ishte Kuzhina dhe Mensa, një si oborr, dhe fillë Fjetorja. Në të djathtë vazhdohej për nga galeria. Aty ishte kalbur në ndryshk një vagon. Këtu Zeneli kujtoi se sa rraskapitëse ishte, që me ato lecka që visheshin të burgosurit dhe me ato kushte teknike të futeshe në galeri ku temperaturat shkonin deri në 40 gradë, e më pas të dilje jashtë në të ftohtë e “të kapje normën, ose drurin”.

img_4154.jpgNë ato kushte të pakujdesisë totale, të shumtë lëndoheshin në punë, sëmureshin nga i ftohti, kequshqeheshin dhe keqatrajtoheshin vazhdimisht. Dhuna për mos-kapjen e normës apo dhe thyerjen e rregullave ishte barbare.

Te nje shesh si oborr mes godinave, bëhej apeli. Apelet bëheshin vazhdimisht shumë. Mensa ndërkohë, ashtu pa tulla, dyer e dritare, dukej që ishte e vogël. Për të ngrënë. Të burgosurve u duhej të prisnin sa të mbaronte ndokush. Ishte e ndaluar të ushqeheshe jashtë mensës.IMG_4159Më tej, kjaluam pas. Zbuluam fjetoren. Një godinë e stërgjatë katër-katëshe me dhoma që s’arrita t’i numëroj edhe pse doja ta dija fiks. Rrënojat më kujtuan disa video të Çernobilit (Ukrainë) që pata parë dikur në “YouTube”. Kudo heshtje vrastare. Zbrazëti. Vetëm se në Spaç nuk kishte plasur ndonjë çentral bërthamor, por mllefi dhe hakërrimi i çdo vuajtje të kaluar pa faj.

“Si mund të jetohej këtu?” – ishte pyetja e pafajshme e një gjimnazisti. Zeneli zbërtheu kujtesën dhe rrëfeu gjithçka.

IMG_4178Asgjë s’lejohej. Edhe shoqëria mes të burgosurve vëzhgohej me rreptësi nga Komanda. Në 40-45 metra katrorë dhomë, rrinin nga 50 vetë, të cilët zor se mund të zinin sy gjumë në rreshta me krevatë tre-katësh. Në fakt, meqë punohej me tre turne, edhe gjumi bëhej i tillë. Në një krevat mund të flinin nga dy veta. Me rradhë, kuptohet. Higjiena ishte tmerrësisht e vështirë për t’u mbajtur. Banjot ishin jashtë. Përballë, në një lëmsh tullash, sot gërmadhë. Për të vajtur atje natës, ushtarët u kërkonin që të burgosurit të dilnin të zhveshur, pasi në një gjendje të atillë “zor se do të kishin shanse për t’u arratisur”.

“A mund të arratiseshe prej këtej?!” – ishte një tjetër pyetje naive që pasoi bisedën. Zeneli teksa na tregonte dhomat, u ndal dhe foli me më tepër mllef. “Fatkeqësisht jo!” Përpjekjet kishin qenë me dhjetëra. Por ushtarët viheshin menjëherë në lëvizje dhe dy-tre që ia kishin dalë t’i kalonin telat ishin vrarë.

Eshtë absurde, po ta mendosh për ne të rinjtë e pas-“90”-ës njihet më shumë Alkatrazi në Amerikë se sa ky ferr kaq pak larg një vendi të bekuar si Mirdita.

IMG_4137Më tej folëm për revoltën e 20 majit 1973. Një pllakë mermeri e rreth 11 viteve më parë e kujtonte këtë ngjarje ku rreth 100 të burgosur sfiduan hapur regjimin më barbar të Ballkanit duke drejtuar një kryengritje, e cila për rreth tre ditë mori nën kontroll burgun.

Një flamur i lirë, pa yll, më në fund u valëvit… Këngë të lira dhe patriotike u kënduan. Ushtarakët nisën fillë reprezaljen. Prenë dritat dhe ujin dhe sulmuan duke kënduar edhe ata, por këngë për Enverin.

E çuditshme, apo jo?! Një regjim si ai i Hoxhës, që po lëkundej jo rrugëve, por në burg nga ata, të cilëve pavarësisht rrethanave, s’ju zhvishej kurrë vlera: nga besimtarë, shkrimtarë, artistë dhe rebelë që e kishin parë botën me sy.

img_4132.jpgDhe ja, si ajo shprehja “çudia më e madhe, tre ditë zgjat”…

Ato tre ditë lirie të çuditshme mes një burgu – edhe më të madh se Spaçi, një burgu – me emrin “Republika Socialiste e Shqipërisë”… Ato tre ditë.,. u mbytën me “4 dëshmorë”: Skënder Daja, Hajri Pashaj, Pal Zefi dhe Dervish Bejko. 8 të tjerë u ridënuan me 25 vite burg 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan.

Sot tek-tuk, në muret e kampit, gjeje nga ndonjë të sharë. Shkarravitur në mur nga ata që iu mbyt shpirti nga piriti.

45-vite nga ajo revoltë e pastër dhe e pa-tjetërsueshme, pasi pashë dhe mësova për Spaçin, një reflektim i thellë më trazoi bindjet:

Frymëzimi i vërtetë për të rinjtë e këtij vendi sot duhet të jetë me patjetër kjo histori! Se si ata njerëz nuk u përkulën kurrë dhe e kërkuan gjithmonë lirinë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.