Pse jo “Kupë Mbreti” dhe Shqipëria?

Mirë, jo një kombëtare, jo një kampionat të përbashkët, por ç’e pengon Shqipërinë e Kosovën të krijojnjë një turne gjithëpërfshirës me skuadrat “kuqezi”?

Unë them asgjë s’e pengon! Me pak vullnet dhe me dy-tre ide të sakta, mund të marketizohet si duhet një kupë futbolli mes shqiptarësh dhe kjo gjë mund të nxisë jo vetëm ndërveprimet ekonomike e kulturore, por edhe një afrim më tej “mes veti”.

Ja një ide “for free” për një Kupë ndërshqiptarësh!

lekaII
Google//Leka II Zogu.

Përtej qëndrimeve politike dhe historike rreth figurës së Mbretit, gjykoj se një Kupë Mbreti “como en España” do të ishte e përkryer nga ana e marketingut, dhe po kështu diplomacisë publike për rastin tonë.

Ja për shembull, nismën për ta organizuar ta marrë përsipër Princi Leka II. Fundja cfarë pune tjetër ka ai? Dini gjë me cfarë merret tjetër?

Falë lobimit të tij mund të gjenden sponsorë të ndryshëm. Sigurisht pasi të dakordësohet një periudhë kohe që nuk bie ndesh me aktivitetet e tjera që mund të kenë skuadrat. Në verë për shembull! Do ishte e përkryer!

Mund të ftohen të gjitha klubet përtej kufirit të Shqipërisë dhe një ftesë nga Princi Leka II besoj merret më seriozisht krahasuar me ide apo palë të tjera organizuese.

Le ta imagjinojmë pak! Kupa e Republikës… dhe pastaj Kupa e Mbretit… dhe pastaj një skuadër që bën tripletë titujsh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe gjetkë! Fantastike!

shefqeti
Google//Shefqet Kastrati.

Kush është një produkt apo markë që mund t’i përfaqësojë më shumë Shqiptarët?

Fatkeqësisht nuk ka një produkt apo markë specifike. Por sidoqoftë ka biznese. “Kastrati” për shembull me aktivitet që shtrihet përtej Shqipërisë në tërë rrajonin.

Le të bëhet edhe Z. Shefqet Kastrati promotor i sportit duke investuar në një turne të përtej-kufijve. Fitimi do të ishte reciprok.

Edhe marka do të njihej dhe reklamohej përtej kufirit edhe sporti, kultura dhe diplomacia publike do të ndërvepronin në prosperitet duke nxitur një të ardhme më të lidhur mes shqiptarësh.

irfani-fatmiri
Google//Irfan dhe Fatmir Hysenbelliu.

Rasti vlen dhe për të tjerë si Z. Samir Mane, apo familja Hysenbelliu mund ta përdornin një turne të tillë sporti për të promovuar produktet e tyre.

Ja pra, një ide e dhashë dhe unë. Kush e di sa ide do të mund të nxirrnin andej nga Federatat (FSHF dhe FFK) vetëm nëse do të kishin vullnetin dhe dëshirën për të organizuar diçka, të gjitha argumentet se “kjo nuk lejohet nga UEFA” janë justifikime koti.


Ps: Nismën mund ta ndërrmarin edhe ata të Kosovës, ka sipërmarrës të fuqishëm edhe andej fiks këtë punë!

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.