Sot në Tiranën e zagushisë së madhe, dhjetëra minatorë thyen qetësinë duke protestuar pa-lejen e pushtetarëve përpara Kryeministrisë. Pjesa më e madhe e tyre ishin të moshuar, por kërkesa ishte e njëjta me ato të viteve të fundit: Status për minatorin!
Pasdite bëra një “search” kuturu dhe prej 6 muajsh më rezultoi se raportoheshin thirrje të vazhdueshme për protesta. Prej marsit e këtej, vazhdimisht është paralajmëruar për “grevë urie” ndërsa edhe sot e njëjta gjë u premtua nga sfiduesit e vapës së pushtetarëve.

Vetëm tre muajt e fundit miniera i ka marrë jetën të paktën 4 personave. Megjithatë ky nuk ka qenë lajm i parë për mediat tradicionale. Ndërkohë sot– teksa po kërkoja lart-e-poshtë në internet – ma vrau syrin një material te Balkanwebi, se fiks një ditë përpara protestës, kishte një “lajm të porositur”*: “Nga rrënimi drejt ringritjes/Si po ja ndryshon fytyrën Albchrome minierës së Bulqizës”. Ky “lajm” rrinte fiks krahas banerit të një spitali privat, një banke, kompanish celulari etj. Por kishte dhe nga ato media, si për shembull “Top-Channel”, që protestën e sotme s’e raportuan fare.

Pasi ndoqa dy-tre kronika një minutëshe pa-hiç sfond informues dhe lexova “reagimin”* e atyre që bëjnë vapë në karriget e pushtetit, më erdhi ndërmend një pyetje naive: Pash Zotin, po pse s’ua japin këtë status?!
Ndërkohë më erdhi ndërmend një shtresë që e ka aktualisht një “status” në këtë vend dhe madje që prej vitit 1993, por që ata atje lart – pushtetarët – bënë-si-bënë dhe ua çpifën edhe atë…
Nga 42 772 të përndjekur që ka listuar që prej vitit 1997 Instituti i të Përndjekurve Politik, sipas auditmit të KLSH-ës (2016) kanë aplikuar vetëm 23 964, pjesës tjetër – 18808 – ose i ka ardhur në majë të hundës dhe për nder s’u kërkon më gjë këtyre, ose s’jetojnë më fare në Shqipëri!
Uroj që për minatorët këta lloj politikanësh që kemi pasur 27 vite, të sillen ndryshe!
Lajm i porositur është çdo material i përcjellë – kundrejt/po ose jo pagesës/sponsorizimit – në media nga drejtoritë e PR-it (Marrëdhënies me Publikun) e kompanive/institucioneve/partive të cilat janë të interesuara për të krijuar/ndikuar te perceptimi rreth një imazhi/ideje/perceptimi të caktuar.