Arratisja, të gjitha lëvizjet që bëri Qemal Vogli  

Arratisja e portierit të kombëtares shqiptare të futbollit Qemal Vogli, në vitin 1956, mbetet sot e kësaj dite mister. Vetë protagonisti i kësaj historie zgjodhi të mos e thotë kurrë versionin e vërtetë. Ndërkohë shumë të tjerë kanë folur për të, por pak me fakte dhe dokumente. 

Si ia doli Vogli të arratisej? Veproi vetëm, apo e ndihmoi ndokush? Mbi të gjitha si i shpëtoi ai Sigurimit të Shtetit, i cili te Dinamo kishte angazhuar plot oficerë e bashkëpunëtorë. 

Ky shkrim rikrijon kontekstin, kronologjinë dhe dinamikën e lëvizjeve të Voglit duke u bazuar në dëshmitë, dosjen që Sigurimi i Shtetit mbajti për të dhe materiale të siguruara nga burime të tjera.

Sulejman Maliqati dhe Qemal Vogli gjatë një dalje jashtë shtetit/Facebook.

Dinamo, asokohe kampione e Shqipërisë nisi verën e vitit 1956 një tur ndeshjesh miqësore me ekipe kampione nga blloku komunist. 

Ishte data 1 gusht 1956 kur dinamovitët udhëtuan në Çekosllovaki. Fillimisht u vendosën në Pragë ku luajtën me Dinamon e Pragës (sot Slavia Praga). Një javë më pas skuadra udhëtoi për në perëndim, në qytetin e Kladnosit ku luajti me skuadrën e këtij qyteti, Banik Kladno.

Më 15 gusht 1956 Dinamo u largua nga Çekosllovakia për në Gjermaninë Lindore, e cila pas Luftës së Dytë Botërore kontrollohej nga sovjetikët. Këta qëndronin pas shtetit satelit komunist që njihej si Republika Demokratike Gjermane. 

Ana tjetër, Gjermania Perëndimore, e ndarë në 12 lande, kontrollohej nga anglezët, francezët dhe amerikanët, të cilët mbështesnin shtetin Federal Gjerman. Berlini, megjithëse në lindje, qe ndarë ngjashëm mes palëve që e fituan Luftën, por ana perëndimore ishte kthyer në një enklavë politike për shkak të Luftës së Ftohtë mes vetë aleatëve. 

Fillimisht Dinamo u ndal në Senftenberg rreth 140km në jug të Berlinit. Atje luajti kundër SC Aktivist Brieske-Senftenberg, asokohe e treta në kampionatin gjermano-lindor. Një javë më pas, më 29 gusht, dinamovitët e Tiranës u ndeshën me ata të Berlinit.

Asokohe Dinamo e Berlinit i luante ndeshjet në stadiumin 70 mijë vendesh “Walter-Ulbricht”, i cili ndodhej në një nga lagjet kryesore të Berlinit Lindor, në Mitte. Ky stadium ishte kufi ndarës i influencave të aleatëve mes Berlinit Lindor dhe Perëndimor.  

Foto ilustruese, ndeshje e Dinamos së Berlinit, gjatë viteve 50-të/Wikimedia Commons.

Vlen të thuhet se gjatë Luftës së Ftohtë ana perëndimore e Berlinit u mbiquajt “Ishulli i Lirisë” për shkak se kjo zonë mbeti e vetmja që promovonte stilin e lirë të jetës përtej të ashtuquajturës “Perde të Hekurt”. Tre linja ajrore të përditshme e lidhnin atë me anën tjetër të Gjermanisë. 

Pas përshkallëzimit të ndarjeve politike mes kampeve, në vitin 1960 stadiumi “Walter-Ulbricht” u mbyll dhe krah tij u ndërtua “Muri i Berlinit”, ndërsa Dinamo e Berlinit u zhvendos në kompleksin sportiv Dynamo-Sportforum në Hohenschönhausen, lagje periferike kjo në verilindje të Berlinit.

Rreth dhjetë vite më vonë stadiumi “Walter-Ulbricht” u rimodelua me kapacitet më të kufizuar dhe me emrin e ri “Stadion der Weltjugend”.

Pra asokohe, megjithëse kishte trazira politike mes dy kampeve, mundej të lëvizej ende mes dy anëve të Berlinit, gjë që nxiste angazhime të forta nga agjencitë komuniste të sigurimit për të parandaluar arratisjet. 

Në një relacion të mbajtur pas ndeshjes me dinamovitët e Berlinit, në fund të gushtit 1956, Dega kryesore e Sigurimit të Shtetit informohet se në bashkëpunim me STASI-in qenë angazhuar 50 oficerë për të parandaluar diçka të tillë para dhe pas ndeshjes. 

Por, ideja e të qenit kaq pranë botës së lirë duhet t’i ketë mbetur në mendje Qemal Voglit. Me gjasë do t’i jetë kujtuar ish-shoku i skuadrës te Dinamo, Sulejman Vathi, i cili në qershor 1950 qe arratisur duke u hedhur në afërsi të ngushticës së Bosforit nga vapori me të cilin skuadra kombëtare po udhëtonte në kthimin nga miqësorja me Bullgarinë.

Foto ilustruese, ndeshje e Dinamos së Berlinit, gjatë viteve 50-të/Wikimedia Commons.

Pas ndeshjes me Dinamon e Berlinit skuadra tiranase u zhvendos fillimisht në Leipzig. Qëndroi atje një ditë deri sa iu akreditua qëndrimi për t’u vendosur në një rezidencë pushimi buzë liqenit Wukensee të qytezës së Biesenthalit, rreth 20km në verilindje të Berlinit.  

Atje Dinamo u vendos më 30 gusht. Zona ishte e qetë dhe liqeni rrethohej nga një pyll i dendur. Kryesisht frekuentohej vetëm nga pak turistë. 

Qemal Vogli do të arratisej prej rezidencës mesditën e 3 shtatorit 1956. Ashtu i veshur vetëm me kompletin e stërvitjes, pa marrë asgjë me vete, duke lënë pas plot spekulime për mënyrën se si u largua dhe arsyet që e shtynë atë ta bënte këtë gjë. 

Në dëshminë e dhënë më vonë Kapitenit Gaqo Meçi në hetuesinë e Sigurimit të Shtetit ai do të thoshte se arratisjen e kishte menduar pas ndeshjes me Dinamon e Berlinit. Ai tregon se kishte pasur marrëdhënie me një vajzë dhe se kishte qenë ajo dhe një i njohur i saj të cilët i kishin treguar se si mund të kalohej në anën perëndimore. 

“[…] për zonën kufitare që ishte afër stadiumit ku luajtëm ne, kam mësuar kur na treguan një gjerman me shoqen e tij, që ishin në makinën tonë [kur vajtëm për të luajtur] dhe erdhën për të parë ndeshjen. Kjo shoqja e këtij, ishte imorale, me të kam shkuar unë, kanë shkuar dhe të tjerë [nga skuadra]” – dëshmon Vogli, i cili tregon se për idenë e arratisjes ia kishte thënë në formë shakaje vetëm mikut të tij, Sulejman Maliqatit. 

Në fakt Sigurimi i Shtetit ishte informuar për synimet e arratisjes së mundshme të Voglit që më 29 gusht nga oficerët Gani Goxhaj, Mehmet Caka e Gani Kodra, të cilët ishin nisur me grupin enkas për të mbikëqyrur skuadrën.  

Goxhja i qe bashkuar grupit me urdhër të Drejtorit të Zbulimit të Jashtëm, Zoi Themelit. Ai e kishte angazhuar si “përforcim” kur skuadra ndodhej në Çekosllovaki. Kjo u bë pasi hallkat e Sigurimit nxorën si problematik faktin se për këtë tur miqësoresh nuk kishte pasur komision të posaçëm verifikues të sportistëve që kishin dalë jashtë shtetit. 

Paralelisht brenda skuadrës ishin angazhuar me detyra për mbikëqyrjen e Voglit disa bashkëpunëtorë, mes të cilëve edhe Sulejman Maliqati dhe Xhevdet Shaqiri. 

Bashkëpunëtorët kishin raportuar për sjellje të dyshimta të portierit të Dinamos, i cili sipas tyre kishte drejtuar “pyetje të shumta rreth rrugëve që të çojnë në Berlinin perëndimor” dhe “kishte kërkuar shpjegime se përse futbollistëve u ishin marrë pasaportat”. 

Gjithashtu Vogli thuhet t’u ketë kërkuar disa herë zyrtarëve të grupit që të ndaleshin në Berlinin Lindor “për të gjetur një mjek që t’i vizitonte atij krahun”. Kërkesë që është refuzuar disa herë nën dyshimin se ai po kurdiste diçka. 

Për këtë, sipas një telegrami të vetë Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, oficerët ishin udhëzuar që të kujdeseshin për të parandaluar një arratisje të mundshme dhe madje u jepej leja që “të merrnin edhe masa izolimi nëse paraqitej nevoja”. 

Si duket oficerët Goxhaj, Caka dhe Kodra duke parë që Vogli nuk u arratis fill pas ndeshjes në stadiumin “Walter-Ulbricht” do ta kenë ndarë mendjen se ai nuk do ta provonte më, duke qenë se tashmë ishin në një rezidencë shumë larg anës perëndimore. Por Vogli do t’i befasonte të gjithë. 

Përshkrimet e raporteve paraprake të mbajtura më vonë, pas ngjarjes, nga oficerët e Sigurimit, flasin për një takim të Voglit “me një vajzë gjermane përpara se ai të zhdukej nga shtëpia e pushimit” duke ngritur dyshimin se ai “mund të ketë rënë pre e një gracke agjenturore”. Por mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për të njëjtën vajzë të njohur para ndeshjes me Dinamon e Berlinit, me të cilën Vogli pranon se kishte pasur marrëdhënie. 

Në këtë periudhë Vogli ishte 26 vjeç. Daljet e shpeshta jashtë Shqipërisë dhe përballja me një realitet tjetër kishin nxitur te ai dëshira për jetën. Krahas kësaj, ai duket se po kalonte një periudhë të vështirë familjare.  

Në raportet e Sigurimit bashkëpunëtorë flasin për zënka me miqtë dhe bashkëshorten, Hysmete, e cila ishte gjashtë vite më e re në moshë. Sigurimi merrte raporte të shpeshta që e përshkruanin Voglin në gjendje të trazuar psikologjike. Çifti kishte një vajzë, asokohe dy vjeçe. 

Prej vitit 1949 Vogli kishte udhëtuar me Dinamon dhe kombëtaren e Shqipërisë në pothuajse të gjitha vendet e kampit socialist duke vizituar Bashkimin Sovjetik, Poloninë, Rumaninë, Hungarinë, Bullgarinë, dhe Çekosllovakinë. Ai kishte mundur të krijonte një tablo të qartë se si ishte jeta përtej diktaturës së Enver Hoxhës. Por në asnjë nga këto dalje të tij nuk kishte pasur raportime me vërejtje domethënëse. 

Por si ndodhi që Qemal Vogli të arratisej? Çfarë tha dhe çfarë bëri Sigurimi i Shtetit për këtë largim? Kush ishte personi i fundit që e pa Voglin përpara se të zhdukej nga rezidenca e pushimit? 

Ishte data 3 shtator 1956. Dita e tretë e qëndrimit të dinamovitëve tiranas në rezidencën buzë liqenit Wukensee në anën e Gjermanisë Lindore, rreth 20 km në verilindje të Berlinit.  

Vogli zgjohet pak më vonë se skuadra, rreth orës 9:30. Pas mëngjesit takohet normalisht me grupin në mjediset e jashtme.  

Përveç lojtarëve të Dinamos, grupit për ndeshjet miqësore i ishin bashkuar edhe futbollistë nga Partizani si Miço Papadhopulli, Gani Merja, Fatbardh Deliallisi, apo Sulejman Maliqati. 

Vogli takohet me to dhe bashkë me futbollistë të tjerë si Skënder Begeja, Skënder Jareci, Zihni Gjinali dhe Xhevdet Shaqiri del në qytezën e Biesenthalit “për pazar”. Me to janë edhe gazetari Anton Mazreku dhe arbitri Gole Sheshi. 

Nga grupi i pazarit, Vogli dhe Shaqiri kthehen më herët në rezidencën e pushimit. Ata vendosin të pushojnë buzë liqenit. Në këtë moment kuriozohen nga prania e dy pushueseve, por që takimi me to ndërpritet nga ndërhyrja e oficerit të Sigurimit, Gani Kodra. 

“Aty ishin dy vajza. Njëra ishte duke u larë, ndërsa tjetra po rrinte. Unë shkova iu ula afër dhe fillova t’i bëja muhabet. Në këtë moment më vjen Gani Kodra dhe unë i bërtita: Edhe këtu nuk mu ndave?! Dhe u ngrita me inat që të shkoj,” – citohet në dëshminë e mëvonshme për Sigurimin, Qemal Vogli, i cili në të dhënat e përgjithshme specifikohet se “nuk dinte gjuhë të huaja”. 

Vogli ka gënjyer për gjuhën. Ai “dinte pak italisht, gjermanisht dhe rusisht” gjë që e dëshmon më vonë në rrëfimet e tij, ndërkohë që nuk e qartëson në asnjë moment nëse vajza e liqenit është ajo që kishte njohur para ndeshjes. Por ky moment duket të ketë qenë vendimtar për rrjedhën e ngjarjes. 

Në raportet e Sigurimit të Shtetit Vogli përshkruhet në gjendje të trazuar. Ai thuhet të jetë zënë disa herë me oficerët Kodra dhe Goxhaj. Madje këto zënka ai i përmend dhe vetë në dëshminë që i jep Sigurimit më vonë. 

Shaqiri, Jareci, Merja dhe Sheshi përmenden si personat e fundit me të cilët Vogli flet përpara “zhdukjes”. 

Ish-portieri i Dinamos thotë në dëshminë për Sigurimin se e ndau mendjen për arratisjen fiks në atë moment, në nerva e sipër, rreth orës 12:20, dhe se grupin e gënjeu kinse po shkonte në qytezë “për t’u qethur” dhe se gjoja një nga vajzat e liqenit “ia kishte shkelur syrin”. 

“Më pyetën se ku po shkoja, unë u thashë të qethem, por dhe se kjo vajza që kam përpara më shkeli syrin prandaj po shkoja. Në fakt ajo vajza as që më bëri ndonjë shenjë. Ashtu siç isha me inate u nisa rrugës për në Berlin,” – citohet në dëshminë e tij Vogli. 

Kështu rreth orës 13:00 ish-portieri i Dinamos duket të ketë dalë nga rezidenca e pushimit. Ndryshe nga çfarë ka deklaruar, ai kuptonte gjermanisht pasi pranon në dëshmitë e tij se duke pyetur banorë të zonës ka arritur të koordinohet se nga t’i drejtohet qytetit të Berlinit. 

Sipas dëshmisë personale, Vogli e bëri këtë lëvizje i vetëm dhe nuk eci rrugëve për të mos rënë në sy. Për rreth 3 orë e gjysmë eci në këmbë nga liqeni i Wukensee me drejtim jugperëndimin përmes zonës pyjore të pellgut Biesenthaler.  

Pas rreth 12km ecje ai ka mbërritur në qytetin e Bernaut, që është të paktën 10km larg Berlinit. 

Në qendrën e pushimit skuadra e Dinamos e vëren mungesën e Voglit rreth orës 13:30 kur grupi futet në sallën e ngrënies për drekën. Kolonelët Goxha, Caka e Kodra nisin kërkimin. Pasi Vogli nuk gjendet as në fjetore dhe as në qytezën pranë ku në mëngjes kishte bërë pazar, koordinohet një kërkim më i organizuar. Por më kot. Vogli nuk gjendet. 

Katër orë më vonë Koloneli Gani Goxhaj njofton autoritetet gjermano-lindore, të cilat angazhohen gjithashtu për një perimetër më të gjerë kërkimi.  

Në raportet e Sigurimit thuhet se një shofer autobusi i linjës së zonave rurale dëshmon për grupin e kërkimit se e kishte marrë në atë orë Voglin, që përshkruhet si “një i ri, i veshur sportiv, por që nuk dinte nga të shkonte”. Ai thuhet se e ka lënë në stacionin fundor të qytetit të Bernaut dhe të nesërmen, datë 4 shtator 1956, e kishte parë sërish atje dhe për këtë kishte lajmëruar policinë. 

Sigurimi dyshon se ai ka qenë nën shoqërinë e një vajze, e cila mund edhe ta ketë strehuar. 

Krejt ndryshe, në dëshminë e tij Vogli këmbëngul të ketë qenë vetëm. Ai mohon të ketë hipur në ndonjë autobus, apo të ketë kaluar natën në Bernau. Përkundrazi ai thotë se mbërriti në këtë qytet pasdite, dhe me të pyetur kishte mësuar se në Berlin mund të shkonte duke ndjekur linjën hekurudhore. Ai thotë se vijoi të ecte deri sa në mbrëmje, rreth orës 21:30, mbërriti në stacionin qendror të trenit në Berlinin lindor. 

Vlen të theksohet se në këtë periudhë udhëtarëve ndërqytetës që kishin destinacion Berlinin u kërkohej medoemos mjet identifikimi. Prandaj Vogli, edhe pse nuk e thotë, duhet të jetë njoftuar paraprakisht që për këtë arsye t’i shmangej transportit publik deri në hyrje të qytetit, ose realisht mund të jetë shoqëruar nga dikush tjetër që e dinte rrugën dhe po ashtu dinte të komunikonte mirë gjermanisht. 

Më tej dëshmia e Voglit luhatet. Ai thotë se duke gënjyer një shtetas gjerman, kinse kishte harruar kuletën në shtëpi, ky i fundit ishte ofruar t’i blinte një biletë tramvaji. Madje, gjermani i kishte thënë edhe faturistit që ta njoftonte Voglin kur të ishte pranë stadiumit “Walter-Ulbricht”. 

“Me tramvaj shkova brenda 30 minutave. Mbasi faturisti më lajmëroi, zbrita dhe iu drejtova stadiumit. I rashë rreth e përqark dhe kalova në zonën ndarëse. Kufirin e dija që më përpara […] kalova që aty rreth orës dhjetë të mbrëmjes,” – do të shprehej Vogli në dëshminë e tij duke rrëfyer më pas kalvarin e kalimeve nga autoritetet franceze, britanike e amerikane. 

Duke përfituar nga errësira, Vogli shmang rojet e anës lindore të stadiumit dhe futet në mjediset e brendshme. Impianti sportiv ishte i hapur me rrethim të ulët me parmakë. Ai i drejtohet sektorit veriperëndimor, anës së cilës ndodhej një ndërtesë private me oborr të madh. Kapërcen murin rrethues të kësaj ndërtese dhe më pas murin tjetër e kështu del në anën Perëndimore. 

Por dëshmia e Voglit për Sigurimin e Shtetit nuk është bindëse. Në fakt datat dhe kohëzgjatja e gjithë periudhës në të cilën Vogli qëndron jashtë Shqipërisë mbetet e diskutueshme, ndërsa dosja e tij është kontradiktore dhe me shumë mangësi dokumentesh. Me gjasë të dhënat janë ndryshuar gjatë arkivimit. 

Qemal Vogli, portieri që sfidoi diktaturën – Historia e plotë

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.