Një raport i vitit 2019 i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) konfirmoi atë që për hetuesit shqiptarë dhe evropianë ishte bërë e qartë prej kohësh: grupet kriminale shqiptare trafikojnë drogë në Evropë duke e marrë drejtpërdrejt nga Kolumbia, Ekuadori dhe vendet e tjera të Amerikës Latine.
Por si u futën shqiptarët në këtë linjë direkte? Si u shndërruan grupet e një vendi të vogël të Evropës juglindore në lojtarë të rëndësishëm të rrjetit të trafikut ndërkombëtar?
Zanafilla, operacioni që ekspozoi lidhjet e para
Ishte fillimi i viteve 2000 kur për herë të parë shqiptarët u lidhën drejtpërdrejt me kokainën kolumbiane. “Operación Journey“, një aksion ndërkombëtar i udhëhequr nga DEA, vuri në pranga një grup prej më shumë se 40 personash, mes të cilëve edhe Frederik Durdën dhe Sokol Koçiun, ky i fundit në atë kohë drejtor i Policisë së Vlorës.
Hetimet zbuluan 25 tonë kokainë nga një linjë trafiku që nisej nga Kolumbia dhe shtrihej në 12 shtete duke përfshirë Shqipërinë. Dëshmitarë i treguan autoriteteve për një sasi prej rreth 68 tonë kokainë të transportuara me anije në periudhën 1997-2000. Linja dyshohej se furnizohej nga karteli i Medellín.
Ky operacion tregoi se shqiptarët kishin kaluar nga trafiku i armëve, hashashit dhe prostitucioni te një biznes më fitimprurës: kokaina. Dhe ky ishte vetëm fillimi.
Ngarkesat e mëdha, kur u bë Shqipëria portë problematike trafiku
Grupe të ndryshme bandash lokale në Shqipëri do të përfliteshin gjatë për angazhim në trafik kokaine në Evropë, por bashkëpunimet e ngushta me kartelet amerikano-latine do të dilnin më shumë në pah pas vitit 2010.
- Mars 2011 – Kokainë me vaj palme
Autoritetet spanjolle pikasën kokainë të shkrirë në mbi 50 fuçi vaj palme, e cila po të trajtohej mund të nxirrte rreth 200 kg kokainë pluhur. Ngarkesa e porositur nga Kolumbia u la të kalohej dhe nën gjurmimin e autoriteteve u ndoq deri sa mbërriti në Gjirokastër (Shqipëri) në fabrikën e kompanisë së Dhimitraq Harizajt, i cili u arrestua dhe dënua me 11 vite burg.
- Qershor 2014 – Kokainë me banane
Autoritetet malazeze zbuluan rreth 250 kg kokainë në kontejnerë me banane që ishte porositur nga Ekuadori prej një kompanie nga Fieri (Shqipëri), por autoritetet nuk e provuan dot dyshimin se pronarët e saj ishin porositësit e drogës.
- Shkurt 2018 – 613 kg kokainë në Maminas
Autoritetet kolumbiane sinjalizuan rreth 613 kg kokainë të fshehura në kontejnerët me banane që ishin porositur nga kompania e Abër Çekajt në Maminas (Shqipëri). Ajo u la të kalonte dhe u kap pa u shkarkuar në magazina. Çekaj dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan me 8-14 vjet burg. Dyshohet se ngarkesa iu ble grupit famëkeq “Clan del Golfo”.
- Maj 2018 – Kokainë me “Charter” direkt nga Kolumbia
Autoritetet spanjolle zbërthyen një grup të dyshuar se drejtohej nga shqiptarët Julian Gjoka (Deblini) dhe Arjan Ndoci (Dritan Gradica), i cili trafikonte drogë përmes fluturimeve “Charter”. Atyre iu kapën 1.5 milionë euro kesh dhe 1 ton kokainë të ndara në paku me mbishkrimin “CR7”.
- Vera 2019 – Ngarkesat e dyshimta në Greqi dhe rasti Gentian Malindi
Autoritetet greke kapën 700 kg kokainë në disa kontejnerë të ardhur nga Amerika e Jugut. Një pjesë e saj u pa se kishte destinacion Shqipërinë. Një ngarkesë me 137 kilogramë u la të vijonte rrugëtimin deri sa persona, mes të cilëve Gentian Malindi, u përpoqën ta nxirrnin nga porti i Durrësit. Ai u dënua me 13 vite burg.
Këto raste konfirmuan se Shqipëria nuk ishte më thjesht një rrugë kalimi, por një pikë strategjike për trafikun e kokainës.
Laboratorët e kokainës – Kur Shqipëria nisi të përpunonte drogën
Por Shqipëria nuk ishte më vetëm një vend tranziti. Laboratorët e përpunimit të kokainës zbuluan një nivel tjetër të përfshirjes së grupeve shqiptare në tregun e drogës.
- Qershor 2014 – Laboratori i Laçit
Në një vilë në pronësi të ish-policit Gëzim Çela në Fushë-Kuqe, autoritetet shqiptare zbuluan një laborator kokaine me 850 litra kimikate për përpunim dhe një arsenal armësh të rënda. Policia arrestoi 11 persona dhe shpalli në kërkim Çelën, i cili në media do të njihej me nofkën “Baroni i drogës”. Ai do të arrestohej në Kosovë rreth 10 vite më vonë.
- Janar 2015 – Laboratori i Xibrakës
Pas sinjalizimeve nga autoritetet gjermane, policia shqiptare bastisi një magazinë në rrugën drejt Elbasanit në të cilën zbuloi një laborator droge. Në magazinë u sekuestruan 121 kg kokainë dhe 4 tonë kimikate. Produkti bazë dyshohet se importohej duke u miksuar me materiale ndërtimi si çimentoja. Mes 9 të arrestuarve u përfshinë dy ekspertë amerikanolatinë të përpunimit të drogës, Cesar Avila dhe Valter Moreno.
- Tetor 2018 – Laboratori i Brenogut
Autoritetet shqiptare pikasën në Has një laborator të sofistikuar droge. Policia gjeti mbi 120 kg drogë, 18 prej të cilave kokainë e pastër. Për rastin u ngritën dyshime ndaj mbi 40 personave duke përfshirë grupin e Astrit dhe Altin Avdylit, por hetimet u kufizuan vetëm në 18 prej tyre ku dy ishin turq. Në krye u konsiderua Admir Hoxha, i cili u dënua me 12 vite burg në mungesë.
- Nëntor 2022 – Laboratori i Frakullit
Autoritetet zbuluan një laborator në Fier ku kokaina importohej e përzierë në pleh kimik. Mes personave të dyshuar në narkotrafik rezultoi dhe kolumbiani Samir Rosales Rodriguez, i përfolur si kimist me përvojë nga klani mafioz “Kali” në Kolumbi.
- Nëntor 2024 – Laboratori i Fushë-Krujës
Autoritetet shqiptare zbuluan një laborator droge në Fushë-Krujë, i cili operohej nga një bazë në “Kodrën e Diellit” në Tiranë. Policia arrestoi 10 persona, 3 prej të cilëve ishin nga Kolumbia dhe Venezuela: Hiwlen Ledezma Narvaez, Joze Ramon Zacarias Vasquez, Samuel Alfonso Moreno Serrano. Grupi dyshohet se importonte lëndën e parë për kokainë duke e fshehur mes 48 tonëve ngarkesa me lëkurë gjedhi.
Ekzekutime dhe arrestime në Amerikën Latine
Faktorizimi i linjave shqiptare të drogës ka nxitur konflikte në Amerikën e Jugut duke u gjendur shpesh mes armiqësive momentale të karteleve lokale.
- Dritan Rexhepi
Një ndër themeluesit e organizatës kriminale “Kompania Bello”, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar për rreth 15 vjet në trafikun e kokainës me mafien italiane nga Ekuadori drejt vendeve evropiane. Ai njihet për arratisje të bujshme nga Shqipëria, Belgjika dhe Italia. Në vitin 2014 u arrestua në Ekuador për trafikimin e 278 kg kokainë, por arriti të arratisej dhe që andej dhe u arrestua sërish në Turqi në nëntor 2023. Prej janarit 2025 është ekstraduar në Shqipëri ku përballet me akuza të ndryshme pengmarrje, vrasje dhe trafik droge.
- Dritan Gjika
I konsideruar si pasardhës i Rexhepit në aktivitetet e trafikut ndërkombëtar të drogës nga Ekuadori. Raportime në media e përshkruajnë me kontakte të fuqishme ekonomike dhe politike në Ekuador, përmes së cilave siguronte pastrimin e parave. Rezident në Ekuador prej vitit 2009, Gjika zotëronte biznese të shumta në Guayaquil, të cilat dyshohet se i përdorte për kontrabandë droge dhe pastrim parash. Prej shkurtit 2024, Gjika është në kërkim ndërkombëtar.
- Remzi Ademi
Shqiptari nga Kosova dyshohet se shërbeu si krahu i djathtë i Rexhepit në “Kompaninë Bello”. Rezident në Guayaquil prej vitit 2009, ai dyshohet se koordinoi dërgesat e kokainës nga Ekuadori dhe urdhëroi ekzekutimin e shqiptarëve të tjerë që përpiqeshin të mëvetësoheshin në narkotrafik nga “Kompania Bello”. Në nëntor 2017 i mbijetoi një atentati teksa lëvizte me makinë të blinduar. Azemi u arrestua në Maqedoninë e Veriut në dhjetor 2023 ndërkohë që në Ekuador autoritetet e kishin deklaruar të vdekur.
- Kreshnik Farruku (Bodlla)
Kreu i të ashtuquajturit “Klani Farruku” me lidhje të forta në Itali, Spanjë dhe Ekuador. Përgjegjës për disa vrasje, grabitje dhe transport të së paku 2 ton kokainë në brigjet e Spanjës. Dyshohet se ka përdorur 10 emra të rremë për të zgjeruar lidhjet dhe për t’iu shmangur autoriteteve. Arrestuar dhe arratisur disa herë nga burgu. Mbijetuar disa atentateve, një prej të cilave në Shqipëri në vitin 2015. Ai dhe vëllai i tij, Erneo Farruku iu dorë zuan policisë shqitpare në janar 2025.
- Ilir Hidri
Ekzekutuar në Guayaquil (Ekuador) në maj 2017, i dyshuar si i përfshirë në rrjetin e “Kompania Bello” dhe vrarë me urdhër të Azemit.
- Adriatik Lagji
Ekzekutuar në Bogotá (Kolumbi) në prill 2018 pas rreth 15 vitesh rezidencë atje. I dyshuar për përfshirje në narkotrafik dhe viktimë e përplasjeve mes karteleve lokale.
- Adriatik Tresa
Ekzekutuar në Guayaquil (Ekuador) në nëntor 2020 në një vilë luksoze të ruajtur me roje private. I dyshuar për pjesëmarrje në narkotrafik. Vrasësit e ekzekutuan të maskuar si forca policie në një operacion të rremë kontrolli. Në vitin 2013 ai ishte ndër të dyshuarit e autoriteteve ekuadoriane për vrasjen e gazetarit Fausto Valdiviezo.
- Ergys Dashi
Ekzekutuar me 20 plumba në një lokal në Guayaquil (Ekuador) në janar 2022. Autoritetet lokale nuk kishin informacione për të, por hetime të mëvonshme nxorën në pah rolin e tij si ndërmjetës në narkotrafik dhe viktimë e përplasjeve mes karteleve lokale. Ai dyshohet të ketë punuar për “Klanin Farruku” dhe grupin e Ismail Zenelit.
Flukset e trafikut dhe horizonti i pastrimit të parave
Shqiptarët e përfshirë në trafikun e kokainës kanë krijuar një rrjet të ndërlikuar për pastrimin e parave. Ata investojnë kryesisht në sektorë si ndërtimi, turizmi dhe lojërat e fatit.
Hetimet e bujshme me bazë komunikimet nga platformat e enkriptuara Sky ECC apo EncroChat të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion nxorën në pah aktivitetin e të paktën 7 grupeve kriminale në Shqipëri.
Nga dosjet e ashtuquajtura “Metamorfoza” krahas angazhimit për vrasje, pengmarrje apo narkotrafik, u ekspozua investimi i këtyre grupeve në lojërat e fatit, teknologji, kriptovaluta dhe hapjen e kompanive fantazma me efekt xhirimin e parave.
Shtrirja e hetimeve në disa pista arriti të zbërthejë grupin e vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, të cilëve në janar 2025 iu sekuestrua 10 milionë dollarë kriptovaluta. Ky grup dyshohet se qëndronte pas edhe grabitjes së miliona eurove nga aeroporti i Rinasit në vitin 2019.
Grupi, aktiv në trafikun e kokainës në Belgjikë dhe Itali, besohet se ka sjellë në Shqipëri rreth 7.5 milionë euro të thata duke i investuar në ndërtime pallatesh dhe blerje apartamentesh apo vilash luksoze. Paralelisht rreth 15 milionë euro të tjera janë investuar për blerje ari teksa grupi rezulton të ketë përdorur një rrjet pikash këmbimi valutor për të ruajtur dhe qarkulluar paratë.
Vëllezërit Çopja u zhvendosën jashtë Shqipërisë pas përplasjeve me grupin e Erion Alibejt dhe Suel Çelës. Ata besohet se vijuan t’i drejtojnë linjat e narkotrafikut dhe pastrimit të parave nga Belgjika dhe Dubai. Pikërisht Dubai besohet të jetë kthyer në strehë për disa krerë të grupeve kriminale shqiptare si Eldi Dizdari, Endrit Dokle, Durim Bami apo dhe Plaurent Dervishaj – ky i fundit i dëbuar dhe kthyer në Shqipëri verën e vitit 2024.
Edhe pse autoritetet shqiptare dhe ndërkombëtare kanë goditur disa prej rrjeteve të trafikut, ky biznes mbetet një nga më fitimprurësit për grupet kriminale. Rrjetet janë të mirëorganizuara, shpesh në pararojë dhe me teknologjinë, të lidhura me zyrtarë dhe politikën duke pasur qasje në porte apo linja strategjike transporti.
Lufta ndaj trafikut të kokainës nuk është vetëm një çështje policore, por edhe politike dhe ekonomike. Nëse nuk preken rrënjët e sistemit të pastrimit të parave dhe korrupsionit, ky cikël do të vazhdojë të përsëritet.
Ndërsa shqiptarët vazhdojnë të depërtojnë në tregun e kokainës amerikano-latine, një gjë është e sigurt: ky rrjet është shumë më i madh dhe më kompleks se ç’duket në sipërfaqe.
*Publikuar në vitin 2020 në Exit.al – përditësuar në mars 2025.
One Comment