Një raport i Departamentit Amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë se grupet kriminale shqiptare trafikojnë direkt drogë në Evropë prej vendeve të prodhimit në Amerikën e Jugut.
Pohimi mbështetet te rastet e shtuara të kapjes së ngarkesave të mëdha me kokainë në Shqipëri, të cilat vijnë direkt nga Kolumbia apo Ekuadori.
Argumente shtesë janë laboratorët e kapur në Shqipëri dhe vrasjet e disa shqiptarëve në Ekuador.
Rreziku kryesor nga kriminelët shqiptarë është fakti se në dy dhjetëvjeçarë nuk ka asnjë “kokë mbi kokat”, së paku të njohur apo publikuar në media.
Pavarësisht ngarkesave, dhe personave të kapur, autoritetet nuk kanë bërë kurrë një lidhje direkte me ndonjë grup apo bandë të identifikueshme.
Më poshtë një përmbledhje e rasteve që përfshijnë shqiptarët me grupet e narkotrafikut amerikano-latin.
Zanafilla
Në letër për herë të parë kokaina kolumbiane lidhet me shqiptarët në fillim vitet 2000, kur i ashtuquajturi “Operación Journey” kapi grupin e parë të trafikimit të kokainës kolumbiane në Evropë.
Në total u arrestuan rreth 50 persona, 6 prej të cilëve ishin shqiptarë. Ndër ta Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, ky i fundit asokohe drejtor i Policisë së Vlorës.
Operacioni i ngritur nga Agjencia Amerikane e Anti-Drogës, (DEA), hodhi dyshimet se grupi i shqiptarëve kishte pasur prej vitit 1999 kontakte me kartelin kolumbian të Medejinit (Medellín) një nga kartelet më të mëdha të drogës në botë – njohur prej famëkeqit Pablo Escobar.
Hetimet e DEA-s hodhën dritë për një linjë droge Kolumbi-Spanjë-Shqipëri-Evropë Perëndimore.
Dëshmi të shumta treguan se, përmes kësaj linje bashkëpunimi, dhjetëra anije kishin transportuar rreth 60 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë.
Ky rast ishte domethënës. Tregoi që kriminelëve shqiptarë u kishte tërhequr vëmendjen trafiku i kokainës.
Deri asokohe aktivitet kryesor për kriminelët shqiptarë ishin vjedhjet, pengmarrjet, prostitucioni, trafiku i njerëzve dhe kanabisi.
Dhjetëvjeçarin që pasoi, numri i grupeve kriminale shqiptare që iu fut pazareve të kokainës u rrit gradualisht.
Në vitin 2011, DASH foli për herë të parë për bashkëpunimin e bandave shqiptare me ato kolumbiane për trafikimin e kokainës në Evropë.
Atë vit u kapën edhe rastet e para të ngarkesave me kokainë që kishin destinacion Shqipërinë.
Ngarkesat më të mëdha të kokainës në Shqipëri
Ishte 22 mars 2011 kur hetimet në portin e Tarragonas në Katalonia gjurmuan një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës.
Një grup i lidhur me kartelet kolumbiane dërgonte kokainë duke e shkrirë në vaj palme nga Kolumbia në Spanjë dhe Belgjikë.
Mbi 50 fuçi me vaj të tillë u identifikuan në portin e Antverpit (Belgjikë), të porositura nga një kompani në Gjirokastër, në pronësi të Dhimitraq (Vullnet) Harizajt.
Droga e ardhur me anije në Antverp u transportua me kamionë drejt Gjirokastrës, nën gjurmimin e policisë së disa shteteve në rrugëtimin e saj.
Pasi ngarkesa arriti në destinacion, ajo u sekuestrua nga policia shqiptare, e cila arrestoi Dhimitraq Harizajn. Ky u dënua me 12 vjet burg.
Rasti tregoi qartë për autoritetet se tashmë ishte ngritur rrugë operative e trafikimit të kokainës drejt Evropës përmes Shqipërisë.
Më 5 qershor 2014, nga Ekuadori mbërriti në Mal të Zi një ngarkesë me 250 kilogramë kokainë, fshehur në një kontejner bananesh.
Ngarkesa ishte porositur nga kompania Rrapo, në pronësi të Dritan Rrapaj dhe të ëmës Nezike Rrapaj në Fier. Destinacioni i drogës, me vlerë rreth 12.5 milionë euro, ishte Italia dhe Franca, por hetimet nuk provuan përfshirjen e dyshimtë të familjes Rrapaj në trafik.
Më 27 shkurt 2018, u kap në Maminas ngarkesa më e madhe e kokainës në Shqipëri.
Sërish pas njoftimeve nga Gjermania, policia shqiptare kapi 613 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 180 milionë euro.
Ngarkesa vinte nga Kolumbia dhe thuhej se i përkiste rrjetit Clan del Golfo (rival me kartelin e Medellín).
Ajo u gjet brenda një kontejneri me banane të porositura nga kompania “Arbri-Garden” në pronësi të Arbër Çekajt.
Ky u arrestua në Dusseldorf të Gjermanisë më 4 maj 2018.
Më 1 maj 2018, në një operacion të DEA-s amerikane dhe policisë spanjolle u arrestuan në Spanjë Julian Deblini (Gjoka) dhe Dritan Gradica (Arjan Ndoci), si dhe tre persona të tjerë.
Ata mendohet se ishin pjesë e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Kolumbia me anë të fluturimeve charter.
Atyre iu kap rreth 1 ton kokainë e importuar nga grupi Clan del Golfo dhe 1.5 milionë euro në të holla. Aktiviteti i grupit shtrihej edhe në Shqipëri, si për trafikun e drogës, ashtu edhe pastrimin e parave.
Verën e vitit 2019 autoritetet greke kapën 700 kilogramë kokainë në kontejnerë që vinin nga Amerika e Jugut.
Mes këtij fluksi, një ngarkesë, që kishte destinacion Shqipërinë, u zëvendësua me oriz të presuar dhe u la të kalohej nën gjurmim.
Operacioni, i përcjellë nga autoritetet shqiptare në muajin tetor, arrestoi dy persona dhe shpalli në kërkim Gentian Malindin, për një sasi të pretenduar prej 137 kilogramësh kokainë.
Laboratorët e “së bardhës” në Shqipëri
Më 12 qershor 2014, policia shqiptare zbuloi në Laç një laborator kokaine në një vilë në pronësi të ish-policit Gëzim Çela, 46 vjeç, i dënuar me 6 vite burg në Turqi dhe me 11 vite në Itali për prostitucion dhe trafik droge.
Policia arrestoi 11 persona, ndërkohë që shpalli në kërkim Çelën, i dyshuar si kreu i grupit.
Grupit iu gjet 7 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë dhe rreth 850 litra përzierës, të sjellë nga vendet e Amerikës së Jugut.
U sekuestruan gjithashtu një makinë e blinduar dhe armë si pistoleta, snajperë dhe granata dore.
Më pak se një vit pas zbulimit të laboratorit në Laç, më 14 janar 2015, pas njoftimeve nga autoritetet gjermane, policia shqiptare zbuloi një tjetër laborator droge, në Xibrakë të Elbasanit.
Ky ishte laboratori më i madhi i kapur ndonjëherë në Ballkan.
Në magazinat e ish-depos së rezervave të shtetit, policia gjeti 121 kilogramë drogë, prej të cilëve 100 kilogramë ishin kokainë e përzierë, 18 kilogramë kokainë e pastër dhe 3 kilogramë e papërpunuar.
Në laborator u zbuluan gjithashtu rreth 4 tonë përzierës, të sjellë nga Kolumbia dhe Bolivia.
Nëntë persona u arrestuan, mes të cilëve dy shtetas kolumbianë Cesar Avila dhe Valter Moreno, “ekspertë” të përpunimit të kokainës.
Ky rast e vuri Shqipërinë në hartën e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut.
Më 19 tetor 2018, policia zbuloi laboratorin e tretë të drogës në vend, në fshatin Brenog të Hasit. Policia kapi 100 kilogramë opium me prejardhje nga Azia, e cila shërbente si lëndë e parë për prodhimin e heroinës.
Përzjerësit e përdorur për prodhimin e drogës ishin importuar nga Kolumbia. Policia arrestoi 5 persona, ndërsa 17 persona u shpallën në kërkim, përfshi dy shtetasit turq Iskander Saleh dhe Nedjet Cersuroglu.
Pronari i laboratorit mendohet se ishte Admir Hoxha. Më 24 janar 2019, turku Nedjet Cersuroglu u gjet i vdekur në një apartament në qytetin e Prishtinës në Kosovë, në rrethana të paqarta.
Hetimet vërtetuan përfshirjen e katër grupeve kriminale të trafikut të drogës që shtrijnë aktivitetet e tyre në Shijak, Lezhë, Fier dhe Sarandë.
Sipas policisë, laboratori mund të ketë prodhuar më shumë se 180 kilogramë drogë.
Arrestimet dhe vrasjet e shqiptarëve në Amerikë të Jugut
Më 7 qershor 2014, në Ekuador u arrestua Dritan Rexhepi, 34 vjeç, nga Vlora dhe dhjetëra të tjerë pas një operacioni policor në Quito, ku u kapën 278 kilogramë kokainë.
Rexhepi mbante emër të rremë, por u identifikua falë të dhënave të Interpolit, pasi dyshohej për një sërë krimesh të rënda, përfshi vrasje me pagesë, trafik droge dhe grabitje bankash në Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë.
Në Shqipëri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1999.
Më 30 maj 2017, u vra në një lagje të Guayaquilit në Ekuador Ilir Hidri, 40 vjeç, nga Vlora. Autoritetet vendase e lidhën vrasjen e tij me trafikun e drogës.
Pak muaj më pas, në të njëjtin qytet, më 8 nëntor 2017 u sulmua Remzi Azemi nga Kosova.
Ai u qëllua me 4 plumba teksa po udhëtonte me bashkëshorten dhe vajzën e tij me një makinë të blinduar, dhe i mbijetoi atentatit.
Azemi kishte shtetësi ekuadoriane dhe jetonte prej 8 vitesh atje. Autoritetet e Ekuadorit po e hetonin për trafik dhe për lidhje të mundshme me vrasjen e Ilir Hidrit.
Në prill 2018, në Bogotá u vra Adriatik Lagji nga Saranda, i cili jetonte prej 14 vitesh në Kolumbi. Sërish dyshimi kryesor për vrasjen e tij ishte përplasja për trafikun e kokainës.
Në nëntor 2020 në Guayaquil të Ekuadorit ekzekutohet pas një atentati mafioz 45-vjeçari Adriatik Tresa.
Ky jetonte në një vilë luksoze të ruajtur me roje private. Vrasësit, shtatë persona të veshur me uniforma policie, u futën brenda kinse u duhej të kontrollonin mjediset pas një urdhri gjykate.
Tresa jetonte prej vitesh në Ekuador. Në vitin 2013 ai qe marrë si i dyshuar nga policia për vrasjen e një gazetari. Ekzekutimi i tij dyshohet të ketë lidhje me pazaret e drogës.
Publikuar më parë në Exit.al – përditësuar në nëntor 2020.