Aleksandër Kondo, rekordmen i peshëngritjes shqiptare, u aksidentua me makinë mesditën e 30 prillit 1987.
Aksidenti ndodhi në rrugën dytësore “Midland Parkway“, pranë kishës shqiptare të Shën Nikollit në Queens, New York. Kondo kishte dy javë që ishte pajisur me patentë amerikane pas një viti që qëndronte si refugjat politik.
Raporti zyrtar thotë se makina që po ngiste, një Honda “Civic Sport” i vitit 1983, “u përplas me një objekt krah rrugës”. Ishte pa rrip sigurie. Kjo nuk ia shmangu goditjet në kokë.
U dërgua me urgjencë në Jamaica Hospital (Queens, NY) me fraktura në kafkë e dëmtime në tru dhe fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.
Mjekët e deklaruan të vdekur në orën 10:15 të së nesërmes, datë 1 maj 1987. Ishte 27 vjeç.
Të dhënat arkivore tregojnë se në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit mësoi për vdekjen e Kondos një ditë më vonë, kur ngjarja u raportua nga “Zëri Amerikës”. Për këtë, në dosje oficerët shkruajnë gabimisht se “Kondo vdiq më 2 maj 1987”.
Pas vdekjes së peshëngritësit të njohur, regjimi refuzoi kërkesat e komunitetit shqiptar për t’ia nisur trupin në atdhe. Familja, e cila pas arratisjes së tij ishte e internuar në Krastë të Martaneshit, u njoh me fatin e djalit të tyre shumë më vonë.
Kondo u varros më 6 maj 1987 në Cypress Hills Cemetery, ana e Brooklynit, me një ceremoni mortore të organizuar nga shoqëria e tij.
Pas rrëzimit të diktaturës, familja u përpoq disa herë ta sillte në Shqipëri.
Eshtrat e ish-peshëngritësit u prenë përgjithmonë në atdhe rreth njëzetvite më vonë, më 25 shkurt 2005, kur me nderime dhe ceremoni zyrtare u varros në Tiranë.

Por vdekja e Aleksandër Kondos është veshur me dyshime sipas së cilave ai u vra nga Sigurimi.
Dyshimet nisën prej majit 1987 dhe duket se do të vijojnë përgjithmonë.
Konteksti dhe versionet për vrasje:
I pari që përmendi dyshime dhe akuza ishte Zef Camaj. Shqiptar, ish-i përndjekur politik nga Mali i Zi, i cili pavarësisht moshës – asokohe 29 vjeç – ia kishte dalë të hapte një radio në New York, quhej “Revista radiofonike e shqiptarëve të Amerikës”.
Në emisionin e 4 majit 1987, teksa fliste për Kondon, Camaj u zotua të ekspozonte materiale që “do ta demaskonte lidhjen e udhëheqjes me ngjarjen”. Por siç i raportuan më vonë Sigurimit të Shtetit, “ai nuk ekspozoi asgjë të tillë”.
Në dosjen e mbajtur për Kondon nga Sigurimi thuhet se “me gjasë Camaj do jetë trembur”.
Deri sa ndërroi jetë në vitin 2001 në moshën 44-vjeçare, Camaj nuk e sqaroi kurrë këtë çështje.
Dyshimet për vrasje nisin nga dinamika e ditës së fundit në jetë të Kondos.
Ditën e aksidentit, më 30 prill 1987, ai qe ftuar për drekë nga Ramiz Dani, nip i Nderim Kupit, emigrant me ndikim politik ky që kishte dalë garant për ardhjen e Kondos nga Jugosllavia në Amerikë.
Për kontekst, Nderimi ishte nip i Abaz Kupit (1892-1976), ish-komandant xhandarmërie, antikomunist, anëtar i zëshëm i komitetit “Shqipëria e Lirë” që synonte rrëzimin e diktaturës, njëherësh themelues i Lëvizjes së Legalitetit, që synonte kthimin e Mbretit Zog në Shqipëri.
Pikërisht lidhja me Kupin dhe pjesëmarrja në disa aktivitete të komitetit e kishte bërë Sigurimin më të interesuar për Kondon.
Për t’iu kthyer ditës së aksidentit, Ramiz Dani e kishte ftuar Kondon për drekë në picerinë që zotëronte në Lefferts Boulevard, Queens – Dani’s House of Pizza, hapur prej vitit 1959, sot zotërohet nga djali, Sabriu – e cila frekuentohej shumë nga komuniteti shqiptar.
Kondo pësoi aksident pikërisht pas asaj dreke, rreth 2 kilometra larg restorantit.
Raporti zyrtar thotë se makina u përplas me shpejtësi të madhe ndaj një peme. Por, rëndomtë besohet se aksidentin e shkaktoi Sigurimi duke organizuar një “vrasje të kamufluar”.
Për këtë dyshim ka dy versione kryesore se si e shpjegojnë ngjarjen.
Versioni 1: Makinës së Kondos iu liruan frenat
Sipas këtij versioni – treguar familjarëve vetëm pas vitit 1994, – besohet se aksidenti u kurdis nga të paktën dy persona, të cilët i prishën Kondos frenat e makinës në momentin kur ky ishte në restorant.
Ky version vijon me pretendimin se më pas dy personat e kanë ngacmuar për një garë shpejtësie, ku këta kanë qëndruar qëllimisht nga prapa për t’u siguruar për atë që do të ndodhte.
Element dyshues: Në vendngjarje nuk kishte shenja frenimi të fortë.
Versioni 2: Kondo u helmua dhe u nxit të përplasej
Sipas këtij versioni besohet se 27-vjeçari është helmuar në restorantin e Danit dhe në largimin që andej bashkëpunëtorë të Sigurimit e kanë ndjekur kërcënueshëm nga pas me synimin për ta nxitur të përshpetojë deri në humbjen e kontrollit.
Ky version shkon më tutje duke hedhur dyshimin se makina në të vërtetë është përplasur me një objekt të rëndë, vendosur nga atentatorët e më pas me një pemë.
Element dyshues: Rruga ishte mjaftueshëm e gjerë sa për të mbajtur drejtimin. Makina dukej e përplasur në dy anët përpara.

Fatkeqësisht edhe deklasifikimi i dosjes që Sigurimi mbajti për Kondon nuk qartëson asnjë nga këto dyshime.
Në të vërtetë dosja mban shumë elemente të tërthorta dhe në asnjë fletë nuk ka udhëzime për vrasje.
Vlen të theksohet se dosja ka mungesë koherence me informacionet e mbledhura. Edhe në dosjen mbajtur për shokun e tij, Xhelal Sukniqi, nuk ka asgjë shtesë për vdekjen e Kondos.
Me gjasë të dhënat më kompromentuese mund të jenë asgjësuar në momentin e arkivimit, por ky mbetet gjithësesi supozim.
Konteksti më i besueshëm:
Nga arkiva e Sigurimit kuptohet se në periudhën e fundit të jetës Kondo kishte nisur të shfaqte shenja paranoje prej frikës se e përndiqnin për ta kapur apo vrarë.
Për këtë ka të dhëna dhe dëshmi konkrete se Sigurimi qe angazhuar për ta frikësuar.
Në planin operativ që gjendet në dosjen e Kondos, Drejtoria udhëzonte bashkëpunëtorët që “t’i bëheshin telefonata apo letra anonime për ta frikësuar”.
Të njohur të ish-peshëngritësit kanë treguar për telefonata, letra apo porosi nga të panjohur, të cilët e gënjenin qëllimisht kinse ish-e fejuara, apo familjarë të tij ishin vetëvrarë.
Nderim Kupi ka treguar një rast të ndodhur njëherë kur Kondo e kishte telefonuar me rrëmbim duke i treguar se “një person po e ndiqte për ta kapur”. Sipas Kupit, me të arrirë në vendndodhje, personi i dyshimtë qe larguar nxitimthi.
Frika se mund ta vrisnin nuk ishte pa baza për Kondon.
Përpara emigrimit në Amerikë, në verën e vitit 1985, kur ishin në një kamp azilkërkuesish në Jugosllavi, Kondo dhe shoku i tij, Sukniqi, ishin sulmuar nga dy të arratisur të tjerë, Hasan dhe Halim Boshnjaku.
Asokohe Kondo e Sukniqi hodhën dyshimin se dy vëllezërit ishin angazhuar nga Sigurimi. Për këtë dëshmuan edhe në gjyq kundër tyre. Mirëpo në dosjen e Sigurimit nuk ka asgjë për një angazhim të tillë dhe rasti raportohet si ngjarje vetëm nga burimet e ndjekjes.
Paranoja se mund ta vrisnin kuptohet më tepër nga një raportim bërë Sigurimit nga një burim, që thoshte se më 20 mars 1987 (rreth një muaj para vdekjes!) Kondo kishte pësuar një aksident të rëndë në një autostradë.
Ai qe përplasur nga një makinë, kishte thyer disa brinjë dhe kishte dëmtuar qafën. Për këtë ishte shtruar tre ditë në spital.
Burimi i raportonte Sigurimit se Kondo dyshonte se aksidenti ishte një “tentativë vrasjeje”.
“Lojërat anonime” të Sigurimit dhe ngjarja në fjalë mund të kenë ndikuar rëndë në gjendjen psikike të Kondos.
Në këtë kontekst gjendja psikike e rënduar mund të ketë qenë një faktor shtesë në aksidentin fatal të 30 prillit 1987. Por dhe kjo mbetet e diskutueshme dhe supozim edhe pse në dukje është versioni më i besueshëm.
Historia e Kondos mbetet ajo e një djaloshi të ri, i cili përballë diktaturës shqiptare bëri të pamundurën për të gjetur lirinë. Kjo e bën kujtimin e tij të mbetet përgjithmonë në histori madje më tepër se rekordet që ai la në sport.