“Avioni i Divjakës”, intervistë me gazetarin Artan Hoxha. Çfarë ka ndodhur pas dy muajsh, por edhe kronologjia e ngjarjes.

 Artan Hoxha         Kur kanë kaluar 1 muaj nga ngjarja e Divjakës, tashmë policia ka të arrestuar 4 persona. Pilotit Giorgio Riformato (58 vjeç) dhe trafikantit Saimir Bajrami (36 vjeç), i janë shtuar edhe dy paketuesit Aurel Pupe (24 vjeç) dhe Kleviol Ahmetaj (30 vjeç), ndërkohë Policia ka shpallur në kërkim edhe 3 persona të tjerë, mes të cilëve edhe 1 efektiv policie nga Delvina. Pra kemi të paktën 7 persona të përfshirë. Nga eksperienca juaj si gazetar, z.Hoxha, a është ky hetimi i parë “me themel” i një grupi real të narkotrafikut ndërkombëtar në Shqipëri, dhe sipas jush a ka në vendin tonë rrjete të vërteta të trafikut, apo akoma më shumë kartele të drogës, sikurse është shprehur për më shumë se një muaj opozita?

Sigurisht që ngjarja e 10 majit, avionit të rrëzuar në Divjakë dhe hetimi i Prokurorisë në lidhje me këtë rast, nuk është çështja e parë që hetohet për trafik ndërkombëtar të drogës. Rastet e hetuara deri më tani nuk janë as me dhjetëra por me qindra edhe pse suksesi nuk ka qenë i madh në historitë e hetuara, por mes tyre ka pasur histori shumë të suksesshme dhe shumë të bujshme, madje që janë hetuar edhe me agjenci ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, të cilat kanë përfshirë deri në rrjete të narkotrafikut me lidhje që nga Amerika Latine, disa vende të Bashkimit Evropian dhe në fund që përfundonin në Shqipëri, madje në atë kohë janë arrestuar edhe zyrtarë të rëndësishëm të Prokurorisë, të cilët rezultuan fajtorë dhe janë dënuar nga gjykatat.

Pra ky rast nuk është precedenti i parë, Prokuroria dhe Policia jonë kanë hetuar dhe kanë një eksperiencë në të kaluarën në lidhje me organizatat kriminale të narkotrafikut të cilat kanë shtrirje në disa vende. Rasti konkret ka një specifikë tjetër, sepse është politizuar dhe është bërë një, si të themi, gurë prove në një betejë politike mes opozitës dhe mazhorancës. Mënyra sesi do ta menaxhojë mazhoranca këtë çështje do të ndikojë sigurisht edhe në hetimin e Prokurorisë. Fakti që politika është përfshirë në këtë çështje është një nga detajet e rëndësishme që tregon se ky hetim mund të devijohet në të ardhmen.

          Pse e thoni këtë Zoti Hoxha?    

Këtë e them duke u nisur nga eksperienca që në çdo çështje ku ka futur hundët politika nuk kemi patur një hetim të drejtë apo gjykim të drejtë nga sistemi i Drejtësisë.

          Më parë u shprehët se ka pasur edhe raste të hetimeve që Prokuroria ka bërë në bashkëpunim me instanca ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, por a mund të themi se në vendin tonë ekzistojnë kartele të drogës?

Shqipëria për shkak edhe të së kaluarës gati gjysmë-shekullore të një sistemi diktatorial nuk ka një, si të themi, traditë të grupeve ose organizatave kriminale të strukturuar, e cila në terminologjinë e kriminalistikës botërore njihen si organizata mafioze. Aktualisht në Shqipëri pavarësisht pretendimeve që mund të ketë opozita e sotme apo ajo e djeshme apo eksponentë të jurisprudencës, nuk ka rezultuar deri më tani asnjë organizatë e strukturuar apo akoma më shumë familje mafioze.

Ka disa standarde dhe kritere për të qenë një familje mafioze, përveç jetëgjatësisë së organizatës, shtrirjes së saj, organizimit dhe formulës me të cilën vepron, po ashtu edhe të impaktit që jep në opinion, por për një familje mafioze duhet edhe një lloj trashëgimie që kalon nga “babai tek i biri”. Në rastin konkret në Shqipëri, kjo gjë nuk ekziston. Sipas informacioneve të siguruara nga agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, kryesisht nga shërbimi antiterror evropian, ata kanë hedhur pretendimin se në Shqipëri ka dy organizata kriminale të cilat kanë nuanca të familjes mafioze.

Për fat të keq asnjë nga këto organizata nuk është evidentuar dhe goditur nga Policia e Shtetit sipas informacioneve që kam unë (Artan Hoxha). Pra janë dy organizata që kanë element por nuk janë bërë ende mafioze. Aktualisht në Shqipëri ka grupe kriminale apo ashtu sikurse i klasifikon edhe kodi penal shqiptar banda kriminale dhe grupe kriminale të strukturuara, ky është niveli në të cilin ka arritur kriminaliteti shqiptar sot, bandë kriminale dhe grup të strukturuar që është një nivel më i lartë, kjo duke pasur parasysh edhe mënyrën sesi ato funksionojnë. (Grupi i strukturuar) Ka një grup sulmi, një menaxher apo “llogaritar” që menaxhon të ardhurat, ka një palë tjetër që merr përsipër që paratë e përfituara në mënyrë ilegale t’i investojë, t’i pastrojë duke ndërhyrë në prona të patundshme apo investime publike. Këto janë grupet e strukturuara kriminale, për të cilat deri më tani ka pasur raste të hetuara, edhe me sukses, të gjykuara dhe dënuara nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Kështu për sa përmendët, pra për sa i takon akuzave të opozitës, “a ka kartele në Shqipëri”, personalisht mendoj se nuk ka kartele, karteli është një fjalë e madhe dhe më duket tipike një akuzë politike e një opozite që sapo ka dalë në opozitë. Nëse do të kishte kartele atëherë si ka mundësi që në tetë vitet e qeverisjes së kësaj opozite nuk është përmendur ekzistenca e tyre, dhe nëse ka qenë, si ka mundësi që nuk ka mundur të godasë apo të ndalojë qoftë dhe njërin prej tyre. Të pasurit një kartel do të thotë që Shqipëria të kishte arritur një nivel të kriminalitetit, i cili do të përbënte kërcënim serioz për Bashkimin Evropian jo më për vendin tonë.

          Në rastin konkret, pra me ngjarjen e Divjakës, nëse për një moment e marrim të mirëqenë faktin që kemi të bëjmë me një grup të strukturuar, me çfarë përballet Policia?

Duke iu referuar edhe specifikave që kanë nxjerrë agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, sidomos ato evropiane dhe amerikane, të cilat në të kaluarën kanë hetuar kriminalitetin shqiptar, e nëse edhe në këtë rast do të kishim të bënim me një grup të strukturuar, atëherë Policia dhe Prokuroria do të përballeshin me një strukturë të vështirë për t’u hetuar, pasi grupet kriminale shqiptare nuk kanë kokë, këto grupe njihen për veprimtarinë e tyre horizontale të cilat kanë vetëm një shef.

Ato kryesisht janë të vogla dhe janë të përbëra nga lidhje gjaku, farefisnie ose siç ndodh më shpesh miqësie, janë shumë të vështira për t’u goditur sepse janë operative, janë grupe që nëse i godet në një zonë ose në një provincë, ata mund t’i shikosh fare mirë, për dy-tre muaj, në një zonë tjetër duke vepruar në të njëjtën mënyrë. Duke mos pasur një shtab qendror, mund të godasësh 10-të ose 15-të prej tyre, por nuk arrin dot të zhdukësh fenomenin sepse këto 10-të që goditen zëvendësohen nga 10-të grupe të tjera. Pra Policia do të kishte përballë një organizatë ripërtëritëse që është e vështirë për t’u goditur.

          Në rastin e Divjakës, nëse do të ishit ju një nga hetuesit çfarë do të bënit më shumë për zbardhjen e çështjes?

Tani, ne kemi avionin, kemi një nga korrierët e drogës dhe pilotin. Që në momentet e para nëse unë do të isha hetues i policisë, do kërkoja bashkëpunimin e korrierit (Saimir Bajrami) që ai të më jepte pjesën tjetër, duke ia ofruar të gjitha garancitë që jep legjislacioni shqiptar në raste të tilla. Legjislacion, i cili garanton që një personi i cili ka informacion shumë të rëndësishëm për një çështje penale i jepet statusi i të penduarit dhe i merret në mbrojtje familja e tij, në mënyrë që ai të jetë i lirshëm për të deponuar dhe të mos jetë nën presion nga pjesa tjetër e organizatës.

Por çfarë ka ndodhur një javë më pas, ish-Kryeministri i Shqipërisë, ka publikuar një mesazh që i ka vajtur familjes së Bajramit, unë nuk e di nga e ka marrë ish-Kryeministri por më ka çuditur përmbajtja e mesazhit, në të cilin thuhet: “Bilbili ka filluar të këndojë, mbylljani sqepin se do t’ju heqim kokën!”. Ky mesazh tregon qartë se pse Saimir Bajrami nuk bashkëpunon me Prokurorinë, dhe ai nuk thotë as se kush janë personat që ja kanë dhënë drogën dhe as kush janë personat që e prisnin në Itali, ndërkohë ne kemi kapur deri më tani atë pjesën e vulgut, njerëzit që iu kanë ngelur gjurmët nëpër paketimin me natriban.

Jemi shumë larg rrugës për në fundin e kësaj historie dhe shumë larg kokave të vërteta të trafikut.

          Meqenëse e përmendët dhe ju, deri më tani Policia ka arrestuar të paktën dy paketues, Aurel Pupën dhe Kleviol Ahmetajn, ndërsa ka shpallur në kërkim edhe 2 persona të tjerë që mendohet t’i kenë ndihmuar ata gjithashtu në paketim. Të arrestuarit ishin nga Lushnja, a e hedh poshtë ky fakt dëshminë e Bajramit, se ngarkesën e kishte blerë në Fushë-Krujë? Ku mund të jetë kultivuar hashashi i “Divjakës”, pra nga ka ardhur droga? E mbi të gjitha a mundet të ketë vepruar i vetëm Bajrami, ashtu sikurse ka deklaruar në dëshmi?

Nisur nga këto detaje pra nga paketuesit dhe pika e blerjes, menjëherë pas ngjarjes më është dashur të jap një opinion timin. Në fillim më është dashur të njoh rrethanat dhe sipas asaj çka kam kuptuar, nisur dhe nga eksperiencat e situatave të tjera të cilat kam raportuar, është e pamundur që një operacion me një vlerë që shkonte diku tek 4 milion euro ta marrin përsipër 2 persona. E para nuk kanë potencial ekonomik për ta bërë, e dyta nuk kanë mundësi për ta transportuar sepse ka kosto, dhe tjetra, duhet të kenë lidhje me struktura të agjencive të zbatimit të ligjit që kontrollojnë territorin si në Shqipëri ashtu edhe në Itali.

Pra është e pamundur që Riformato, i vetëm, me Saimir Bajramin, të kenë marrë përsipër një operacion të tillë pa pasur lidhje konkrete me këtë terren. Pra një operacion të tillë që shtrihej në dy shtete nuk mund ta bënin dy persona. Ndaj kam kërkuar të di se kush është grupi kriminal që ka vepruar në Shqipëri e që ka siguruar sasinë e drogës në vendin i treguar (Fushë-Kruja). Më pas, që në momentin e parë nuk kam pasur pikën e dyshimit që droga vinte nga Lazarati.

         Çfarë ju bind në këtë gjë zoti Hoxha?  

Paketimi i lëndës narkotike, që në Shqipëri është standard.

         Në ç’ kuptim është standard?

Një grup kriminal ka një paketim të veçantë nga një grup tjetër, madje dhe brenda për brenda Lazaratit mund të dallosh se e kujt është lënda narkotike vetëm nga paketimi që ata bëjnë.

         Si mund të dallohet?   

Kjo gjë pikë së pari varet nga presat që përdoren për të shtypur ngarkesën e lëndës narkotike. Ka presa që presojnë në pako 900 gramësh, presa që presojnë në 1 kilogram, në 1 kilogram e 50 gram, 1 kilogram e njëqind, 1 e treqind.

Ka ambalazhe, besoj i keni parë nga pamjet e servirura nga mediat, në formë tulle drejtkëndëshe, në formë sfere apo të rrumbullakët, në formë cilindri, por paketimet nuk janë të rastësishme, ato janë një lloj etikete, të cilat garantojnë origjinën e mallit, një lloj garancie, pra blerësit vetëm nga paketimi mund ta dallojnë se nga vjen ai.

         Do të thotë që edhe paketuesit e arrestuar duhet të kenë pasur eksperiencë?

Sigurisht, dhe në rastin konkret unë kam dyshuar me bindje, që droga vinte nga Lazarati, duke u nisur për nga mënyra sesi është paketuar. Pavarësisht se ku është paketuar, prodhuesi direkt i mallit kujdeset për markën e vet duke pasur kështu një shenjim edhe në mënyrën sesi bëhet ky paketim. Kjo është një standard dhe kështu ndodh thuajse gjithmonë.

         Zoti Hoxha, pak ditë më parë Komisioni Hetimor ngritur për të verifikuar akuzat e Opozitës, përveç përfundimit që nxori, mes të tjerash dëftoi se sipas informacioneve të doganës Shqiptare, vendi ynë ka importuar 2 avionë privatë, pra nga shtetas shqiptar janë blerë 2 avionë të vegjël, njëjtë sikurse avioni i Giorgio Riformatos, i cili ishte një avion civil. Sa të vështirë e ka një shqiptar të jetë një Giorgio Riformato i një “Divjake” tjetër?! Domethënë a është e kopjueshme dhe e realizueshme nga vetë trafikantët shqiptar, me pilot shqiptar skema e 10 majit në Divjakë?

Përgjithësisht eksperienca e Komisioneve Hetimore deri më tani është: “Në qoftë se kërkon ta prishësh një çështje ngri një Komision Hetimor”. E them këtë pasi në të kaluarën nuk kanë dhënë asnjë ndihmesë konkrete për organet e hetimit në Shqipëri dhe nuk shpresoj se do të japi edhe në rastin konkret, uroj të jem i gabuar. Por le të përqendrohemi tek fakti se çfarë tregoi ky rast.

Ky rast tregoi një  mënyrë të re trafikimi, që në opinionin tim, për aq kohë sa ushtroj këtë profesion, nuk ka pjesën e luanit në treg, mjetet tradicionale të trafikut: me kamionë, me skafe, gomone, apo me kafshë pune, nxjerrin mbi 90% të kanabisit që prodhohet në Shqipëri. Historia me avionë ka lindur së fundmi, nuk ka pasur prova për të, ky është një rast që tregoi se kjo ka ekzistuar, po ashtu janë hedhur dyshimet që kjo të ketë ekzistuar edhe para 23 Qershorit, por deri më tani kemi vetëm dëshmi, nuk kemi prova.

“A mund ta bëjnë pilotë shqiptar?” Kam menduar se grupet shqiptare nuk kanë pasur pse të rrezikojnë me transportin me avionë, sepse Shqipëria është një vend i vogël, ka një hapësirë të vogël ajrore dhe është një vend i monitorueshëm. Çdo mjet fluturues lë gjurmë dhe radarët e vendit tonë janë nën monitorimin e NATO-së. Hapësira ajrore e Shqipërisë monitorohet 15 ditë nga aviacioni ushtarak italian, dhe 15 ditë nga aviacioni ushtarak grek. Pra çdo mjet fluturues lë gjurmë në këtë rrjet monitorimi dhe nuk besoj që një grup kriminal shqiptar do të ekspozohej duke marrë përsipër diçka të tillë kur mund ta zgjidhte fare kollaj me rrugët tradicionale.

Kryesisht trafiku me mjete të tilla (avionë), është kryer nga grupe kriminale të huaja, të cilat kanë kapacitetin për të marrë përsipër operacionin. Tjetër është që pilotët shqiptar janë shumë të thjeshtë për t’u gjetur, pasi ka kohë që ne nuk prodhojmë më pilotë. Dihen pak a shumë se kush janë pilotët shqiptarë jashtë sepse licencat e pilotëve janë në sistem, domethënë mund t’i gjesh nga çdo vend i Evropës.

“A mund të ndodhi kjo në të ardhmen?” Kurrë nuk mund të thuhet kurrë, derisa ndodhi kjo (Ngjarja e Divjakës), atëherë nuk është çudi që të ndodhi… në rast se do të kemi një fuqizim të një organizate kriminale të vendit tonë, nuk është çudi që një helikopter apo avion që përdoret për qëllime turistike, bashkë me turistët të çojë edhe lëndën narkotike.

         Ngjarja e 10 majit tregoi që narkotrafiku po përparon kaq shpejt me teknika sikurse dhe i përmendëm, tashmë edhe kinematografike, e para: A ishte sipas jush “Divjaka” një operacion i suksesshëm i Policisë? Dhe e dyta: Çfarë i nevojitet Policisë së Shtetit për ta luftuar këtë lloj trendi të krimit të organizuar? 

Teknikat që përdor krimi janë gjithmonë më të përparuara se teknikat që përdor Policia, sepse narkotikët në të gjithë Botën, prodhojnë aq shumë të ardhura, sa i japin mundësi grupeve kriminale që të kenë në dispozicion të tyre mjetet e avancuara… në rastin konkret ne kemi kapur dhe vazhdojmë të kapim ngarkesa me kanabis të presuar, por numërohen me gishtat e dorës, janë më pak se gishtat e njërës dorë, rastet kur ne kemi kapur lëndë narkotike të përpunuar kryesisht në formën e çokollatës apo të vajit të hashashit, që janë dy produkte të cilat kanë një vëllim shumë të vogël, kanë një vlerë shumë të madhe në treg dhe janë shumë të vështira për t’u zbuluar.

E në tre raste që unë di, personat që janë kapur duke transportuar lëndë narkotike të përpunuar, kanë qenë të Policisë së Shtetit. “A ka pasur operacion?” Nuk ka pasur operacion, pavarësisht këmbënguljes qoftë të Ministrit ashtu edhe të Kryeministrit. Ngjarja e Divjakës nuk ishte një operacion policor, por një aksident, i cili më vonë çoi në zbulimin e një linje ndërkombëtare të trafikimit të drogës. Nuk ishte një operacion por një reagim i shpejtë i cili bëri të mundur që kjo ngjarje të kishte prova, 2 korrierë të arrestuar. Kështu Policia e Shtetit, që të përballet me një nivel të tillë të kriminalitetit, i cili ka aq shumë vlerë monetare brenda dhe sidomos mjete në dispozicion, njerëz të cilët jetojnë për këtë gjë, është shumë e vështirë, por nuk është e pamundur.

Përveç mjeteve që i mungojnë policisë dhe burimet njerëzore të specializuara, kryesore është mungesa e vëmendjes, mbështetjes dhe vullnetit të Politikës. Pra nëse nuk do të ketë vullnet politik dhe mbështetje, Policia nuk do të ketë sukses atje ku krimi kontrollon territorin.

         Gazetari Habjon Hasani në një shkrim te Gazeta Dita, dy ditë pas ngjarjes, këmbëngulte se e gjitha ishte një inskenim, mendim të cilin disa ditë më vonë e artikuloi edhe vetë Kryeministri Rama në fjalimin e tij prej 30 minutash, si qëndron ngjarja sipas jush?

Menjëherë sa ka ndodhur ngjarja ka pasur disa versione lidhur kjo edhe me debatin politik që ka qenë prezent në Kuvend për tërë këtë periudhë. Gjatë gjithë periudhës kishim një çështje politike “a ka pasur apo jo trafik me avionë”, ndërsa më pas me Divjakën kishim një çështje penale.

Ajo që u intereson të gjithë qytetarëve është çështja penale, ndërsa ajo që i intereson Politikës është çështja politike. “Pse kanë lindur disa skenarë?” Skenaret janë kryesisht për të mbështetur një qëndrim politik, në rastin konkret nëse do merrja të mirëqenë faktin që kemi të bëjmë me një ngjarje të inskenuar, është e pamundur që për një grup njerëzish të marrin përsipër të inskenojnë me vetëdije një ngjarje kur e dinë se ku do të përfundojnë. Ajo që dyshoj unë, por që nuk është e provuar ende, është fakti që mund të ketë ndodhur një shitje.

“Si?” Një grup kriminal të ketë shitur një grup tjetër kriminal, t’i ketë ofruar një çmim më të lirë sesa tregu për sasinë e drogës, duke i thënë që ne do ta sjellim lëndën narkotike pranë kësaj zone dhe duam që aty të vish e të na e marrësh me një mjet ajror. Pra ata i kanë ulur koston e blerjes së lëndës narkotike dhe koston e transportimit, sepse të lëvizësh drogën nga Lazarati, brenda çdo pjese të Shqipërisë, kushton 100 euro për kilogram. Kështu që këto janë kosto që janë ulur, dhe kjo është mundësia më e madhe nëse do të kishim një inskenim apo më mirë të themi stisje.

Por inskenimi ka dhe një detaj tjetër, që si është e mundur që në dhjetra raste të tjera të përmendura për trafik të lëndës narkotike me avionë nuk ka asnjë filmim, asnjë foto por vetëm dëshmitarë okular, ndërsa në rastin konkret kemi aq shumë foto, aq shumë filmime, pra historia është aq e bukur sa të duket sikur të mos jetë e vërtetë. Mirëpo nuk mund të paragjykojmë e të themi se ngjarja është e stisur kur nuk kemi prova dhe që të kemi prova duhet t’i shkojmë hetimit deri në fund. Pra të mos ngelemi vetëm tek këta që janë arrestuar, por të gjejmë organizatorët, dhe deri tek financuesit e këtij trafiku.

         Për mbyllje Zoti Hoxha, ish-Ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga, në një intervistë për Ora News, ka folur hapur për një “infrastrukturë sa kriminale ashtu edhe politike”. “Ne i referohemi Lazaratit, aty ku mbillet” – shprehet Hajdaraga, “Por Lazaratin e kemi kudo. E kemi në bankë, në Politikë, në ndërtime, në Parlament, në Gjykata, në Prokurori. Pra paratë e pista të Lazaratit rrjedhin në të gjithë damarët e Shtetit.” – A jeni dakord me deklaratën e tij dhe nëse jo çfarë do t’i ndryshonit?!

Lazarati u krijua dhe u bë kjo që është sot gjatë 8 viteve të qeverisjes së kësaj opozite, ndaj edhe pse ajo u kap fort pas kësaj kauze të drogës, njerëzit nuk e përkrahën pasi vetë ajo nuk e luftoi këtë fenomen në kohën e pushtetit, dhe kjo u duk qartë dhe nga mbështetja që i bënë ata protestave të lajmëruara nga opozita.

Nuk mund të mos shpreh shqetësimin që sasitë e mëdha të lëndëve narkotike të kapura së fundmi dhe grupet e narkotrafikut të goditura deri më tani, gjithmonë përfundojnë me kapjen e korrierëve dhe jo të drejtuesve apo porositësve të tyre. Ndaj për mua vjeshta e këtij viti do të jetë një gur prove për të parë sesa realisht ka mundur Policia e Shtetit dhe mazhoranca e re, ta luftojë trafikun. Atëherë do të mund të shohim sesa lëndë narkotikë është mbiellë, korrur, dhe del jashtë territorit.

Mos harroni, që është vërtetë një shifër e madhe shifra prej 50 tonësh e kapur nga autoritetet italiane greke dhe shqiptare gjatë këtyre 5 muajve të këtij viti, por mjafton të kujtojmë që më 6 gusht të vitit 2013-të, Drejtori i Aviacionit të “Guardia di Finanzia”- ës, në krah të Drejtorit tonë të Policisë së Shtetit, deklaroi se gjatë vitit 2013-të janë mbjellë 319-të hektar me bimë narkotike, e në bazë të përllogaritjeve rezultonte që do të kishte një prodhim prej 900 tonësh kanabis-sativa, pra nëse janë kapur 50 tonë, po 850 tonët e tjerë ku janë?

Duke parë të gjithë këtë situatë ku Lazarati është kthyer në në një shtab, të ardhurat janë marramendëse aq saqë të ndikojnë edhe në zgjedhje, ku vetëm në Lazarat kemi rastet ekstreme ku rezultatet janë gjithmonë me një diferencë prej 1500-1700 votash në favor të së djathtës.

        Pra i qëndroni deklaratës së ish-Ministrit?

Natyrisht. Shumë para që janë fituar në Lazarat, janë investuar në Sarandë, në bregdetin Jon, në Vlorë, në pasuri të patundshme, në shtëpi, apartamente, troje, në lokale, në shërbime. Janë investuar në kryeqytet, edhe këtu në të njëjtat fusha, në shërbime, pra në hotele, në lokale nate, sepse këtu mund t’i pastrosh ato para dhe t’i xhirosh akoma më shpejt sepse t’i investosh ato në investime publike apo në banka është me kosto të madhe për fitimet e para, në bankë ato çohen pasi janë kaluar filtrat e investimeve. Dhe gjithmonë pas këtyre filtrave ka filluar edhe depërtimi, siç thotë Hajdaraga në “damarët e Shtetit”.

 KRONOLOGJIA:

         Por çfarë ka ndodhur në dy muajt e fundit, përfshirë këtu edhe muajin e Divjakës? Kronologjia e mëposhte pasqyron të gjithë periudhën vetëm me këtë çështje. 

E enjte, 10 prill – Pas padive për shpërdorim detyre të Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, të bëra këto disa ditë më parë, ish-Ministri Arben Imami, gjatë seancës parlamentare, denoncon një trafik droge i cili sipas tij “shfrytëzon infrastrukturën e Forcave të Armatosura”. Imami shprehet se “më 19 mars (të vitit 2014-të), në orën 7:00 një avion është ulur në pistën e Gjadrit, avion i cili nuk është raportuar apo aq më shumë kontrolluar”, duke ngritur kështu dyshimin se është kryer trafik droge.

E premte, 11 prill – Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, me anë të një deklarate për shtyp i kërkon Prokurorisë hetimin e pretendimeve të opozitës, ndërsa katër ditë më vonë, Kodheli i drejton Prokurorisë edhe dy padi të tjera për ish-Ministrin Imami.

E shtunë, 12 prill – Përveç Gjadrit, opozita hedh dyshime edhe për zona në Divjakë dhe Gjirokastër, ku gjithmonë sipas opozitës, “në ditë të caktuara radarët e Ushtrisë pranë këtyre zonave, janë fikur për të mos regjistruar ulje-ngritjet e avionëve të vegjël”. Ndërkohë në Komisionin e Sigurisë, kërkohet seancë dëgjimore me Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli.

E martë, 15 prill – Mazhoranca rrëzon kërkesën e opozitës për të thirrur në seancë dëgjimore Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Ndërkohë Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, shfrytëzon seancën dëgjimore me Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, duke e pyetur se “a kishte dijeni se aeroporti i Gjadrit në Lezhë është përdorur për trafik të lëndës narkotike?”. Ministri i shmanget pyetjes duke kërkuar rikthimin në çështjen e ditës, ndërsa në dalje të komisionit, Tahiri thotë se këto akuza janë “përralla të Flamurit”.

E mërkurë, 16 prill – Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, gjatë një interviste për gazetën MAPO, i quan akuzat e opozitës si “përçartje dhe banalitete që kërkohen të shiten si opozitë konstruktive”, ndërsa për sa i përket denoncimeve të Qeverisë kundrejt Imamit shprehet se “Prokuroria jo në të gjitha rastet është treguar serioze”. [1]

E mërkurë, 16 prill – Albi Serani, Zëdhënësi i Prokurorisë, i shmanget komenteve duke u shprehur për Zërin e Amerikës se “asnjëra palë nuk ka bërë padi dhe nuk ka sjellë ndonjë fakt për çështjen e supozuar” duke nënkuptuar se ende nuk ka nisur një hetim zyrtar, por që Serani sqaron se organi i akuzës është duke pritur një konfirmim nga Ministria e Mbrojtjes, nëse nga ajo do lejohej apo jo që Prokuroria të niste vetë një hetim dhe të mund të shqyrtonte të gjitha dokumentacionet e mundshme.

E mërkurë, 16 prill – Gazeta MAPO shkruan se për çështjen e krijuar ka pasur një “korrespondencë” mes Policisë Ushtarake, Shërbimit Informativ të Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas MAPO-së, këto struktura kanë informuar në mënyrë të vazhdueshme për dyshime se segmente të caktuara ushtarake mund të jenë përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike nëpërmjet rrugëve ajrore. Po sipas MAPO-së, informacioni i parë daton tetorin e 2012-ës, ndërsa i fundit, marsin e vitit 2014-të. [2]

E enjte, 17 prill – Debate të ashpra në seancën parlamentare të radhës, ku opozita kërkon me ngulm që Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ashtu sikurse dhe Kryeministri Rama të mbajnë përgjegjësi dhe të raportojnë se çfarë masash kanë marrë përballë informacioneve për trafikun e drogës. Kërkesave, sidomos të deputetëve Berisha e Imami, Ministrja Kodheli dhe Kryeministri Rama iu përgjigjen se akuzat janë qesharake. E para shprehet se “gjithçka ka lidhje me paditë ndaj ish-Ministrit Imami, e gjithçka bëhet për t’i mbuluar shkeljet që ai ka bërë”, ndërsa i dyti shprehet se “ato nuk janë avionë, por mushkonja”. Kryeministri i cili shpesh herë gjatë seancës mbështetet edhe nga Kryetari i Parlamentit Ilir Meta, përqesh opozitën duke i lidhur akuzat e tyre me një “ngatërrim të mundshëm” me procesin e dezinfektimin nga mushkonjat, proces ky që kryhet me spërkatje nga avionë të vegjël dhe që ka nisur në ato zona ku opozita ka ngritur akuzat e saj.

E premte, 18 prill – Zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila, deklaron se “Pista e Gjadrit është e prishur, në të ka papastërtira dhe gurë, ndaj në të nuk mund të ulen avionë”.  Hila mban të njëjtin qëndrim edhe në një ndërhyrje televizive në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, duke ngulmuar se “avionët e pretenduar nuk mund të kryejnë fluturime në terrene të atilla”. [3]

E shtunë, 19 prill – Mazhoranca zyrtarizon kërkesën e saj për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili kërkon “zbardhjen e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara nga opozita kundrejt Forcave të Armatosura, për vënien në dispozicion të infrastrukturës së saj me qëllim trafikun e drogës”. Opozita deklaron se nuk do të marrë pjesë duke arsyetuar mbi faktin se objekti i komisionit “nuk është mbi trafikun e drogës por mbi qëndrimet që ka mbajtur opozita”[4], ndërsa Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka deklaron se “ky komision po krijohet për të fshehur të vërtetën. Nëse mazhoranca kërkonte vërtetë zbardhjen e së vërtetës atëherë duhej ta kishte lejuar Ministren e Mbrojtjes që të raportonte në Komisionin e Sigurisë”.[5]

E hënë, 21 prill – Prokuroria e Përgjithshme me anë të një kërkese zyrtare dërguar Kuvendit, fton deputetin e Partisë Demokratike Arben Imami (Ish-Ministër i Mbrojtjes), që “nëse disponon fakte dhe prova mbështetëse për[6] akuzat, t’ia kalojë Prokurorisë së Përgjithshme”.

E martë, 22 prill – Prokuroria kërkon zyrtarisht verifikim të informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Shërbimit Informativ të Ushtrisë. Ndërkohë nga mazhoranca ka një presion politik ndaj shërbimeve inteligjente, vetë Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaron se “opozita do të përgjigjet në komisionin parlamentar se ku i ka gjetur informacionet që pretendon,” duke nënkuptuar se nëse ato informacione kanë dalë nga shërbimet inteligjente, më parë ato duhet t’i kalonin hallkave hierarkike institucionale, dhe jo palëve jashtë saj. Kodheli i bën këto deklarata gjatë emisionit “Debat” të Roland Qafokut, teksa shton se “Departamenti i Shtetit Amerikan si dhe institucione të tjera ndërkombëtare kanë pasur mosbesim të madh ndaj institucioneve të inteligjencës, kjo për shkak të korrupsionit.”[7]

E enjte, 24 prill – Me 73 vota pro Kuvendi miraton ngritjen e Komisionit Hetimor i cili do të hetojë mbi vërtetësinë e akuzave të opozitës lidhur me përdorimin e infrastrukturës ushtarake për trafikimin e drogës. Me sa deklarohet më pas, edhe pse nuk merr pjesë në votim, edhe opozita pranon të bëhet pjesë e komisionit.

E enjte, 24 prill – Gazetari Artur Çani në emisionin e tij “Ajsberg” publikon një shkresë drejtuar Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Shkresa me numër protokolli 770 është e firmosur nga kreu i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, dhe informon për uljen e një avioni tip “Charter” mëngjesin e 19 marsit në aerodromin e Gjadrit. Sipas kësaj shkrese pranë avionit është afruar një furgon i bardhë ndërsa 1 orë pas uljes së tij, drejt Gjadrit kanë shkuar punonjës të SHISH-it e të Policisë së Lezhës, të cilët kanë kryer verifikime në terren. Sipas kreut të Shërbimit Informativ, ushtarakët e kanë mohuar një fakt të tillë, ndërsa banorët kanë konfirmuar gjithçka. Kreu i Informativit shton më tej në shkresën drejtuar Ministres Kodheli se një metodë e tillë është përdorur edhe në Lushnje dhe Gjirokastër.

E premte, 25 prill – Në dy deklarata për shtyp, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura mbajnë të njëjtin qëndrim edhe pas publikimit në media të një shkrese të Shërbimit Informativ Shtetëror drejtuar Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, të titulluar “Dyshime serioze për shfrytëzimin e Aerodromit të Gjadrit në funksion të trafikut të drogës”.

E premte, 25 prill – Ambasadori  i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, zhvillon një takim me Presidentin e Republikës Bujar Nishanin ku pjesë e bisedimeve thuhet të ketë qenë çështja e trafikut të drogës nëpërmjet infrastrukturës ushtarake. Ndërkohë Kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, nga një përfaqësi e Kuvendit, i kërkohet institucionalisht të sqarojë në Komisionin e Sigurisë të vërtetën e shkresës dërguar Ministres Kodheli.

E shtunë, 26 prill – Shërbimi Informativ Shtetëror, në një publikim në web-faqen e tij, deklaron se nuk disponon fakte për trafikun e drogës nëpërmjet infrastrukturës së ushtrisë. Shërbimi Informativ më tej shpreh shqetësimin për mënyrën sesi po trajtohet kjo çështje duke cënuar punën dhe imazhin e këtij institucioni.

E hënë, 28 prill – Gjatë një seminari për inteligjencën, (“Inteligjenca dhe Demokracia” i organizuar nga Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak), Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli shtrëngon publikisht dorën me Kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror. Gjithçka ndodh në praninë e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu e në një kohë kur për më shumë se dy javë, debati për “nxjerrjes së informacioneve sekrete” ka shoqëruar atë të “trafikut të drogës nëpërmjet infrastrukturës ushtarake”. Kodheli gjatë fjalës së saj shprehet se “sfida kryesore që shfaqet apo që kërkon zgjidhje, është si t’i orientojmë që shërbimet apo organizmat që merren më inteligjencën të respektojnë sistemin demokratik”. Ndërsa Ambasadori Arvizu e vë theksin tek klasifikimi i informacioneve dhe rezervimi i tyre për publikun. [8]

E mërkurë, 30 prill – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu flet për herë të parë për çështjen e trafikut të drogës dhe implikimit të Forcave të Armatosura në të. Në një intervistë për Top-Channel, Arvizu shprehet se “akuzat ndaj Ushtrisë janë të ulëta për sa kohë janë të pa-bazuara në prova”, ndërsa nuk e fsheh keqardhjen e tij për faktin se kjo çështje u politizua më shumë seç duhej, Ambasadori thotë se tashmë një politikë e tillë është bërë “depresionuese, sidomos me shfaqjet e përjavshme në Parlament”.

E premte, 2 maj – Rikthehet çështja e “nxjerrjes së informacioneve sekrete nga shërbimet e inteligjencës”. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, në një intervistë për gazetën “Shqip”, shprehet se Komisioni i Sigurisë do të ngrejë një grup pune, i cili do të hetojë brenda SHISH-it mbi rastet e nxjerrjes së sekretit shtetëror, nisur dhe nga shkresa e këtij institucioni që qarkulloi në media për sa u përket dyshimeve se Forcat e Armatosura në Shqipëri janë përfshirë në trafik droge. [9]

E hënë, 5 maj – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas mbledhjes së grupit parlamentar, kërkon me emergjencë ngritjen dhe fillimin e punës për Komisionin Hetimor. Sipas kreut të Opozitës, tashmë vendi “po identifikohet si kurrë më parë me drogën, e cila ka kapur Shtetin aq sa nuk dallohet ku fillon karteli e ku qeverisja”.[10]

E enjte, 8 maj – Një avion I-GRMP, tip PA 32, i ardhur nga Korfuzi ulet në aeroport. Pilotohet nga italiani Giorgio Riformato, (58 vjeç) nga Varese (Itali), dhe qëllimi i fluturimit të tij thuhet se është turistik. Avioni është në pronësi të shoqërisë Fox Jet, i së cilës pronar është Riformato, dhe lejohet normalisht edhe pse licenca e tij e fluturimit ka skaduar që në janar të vitit 2013-të, dhe vetë ai ka precedencë penale për “leksione fluturimi pa qenë i licencuar”; “fluturime me pagesë pa pasur leje specifike”.[11]

E enjte, 8 maj – Arben Imami i përgjigjet me një letër (18 ditë pas) kërkesës së Prokurorisë, duke bërë me dije burimet e tija të informacionit rreth pretendimeve se në Gjadër është trafikuar drogë me avionë. Në letrën e tij Ish-Ministri i Brendshëm shprehet se informacionet i ka siguruar nga ish-policë tashmë të liruar nga detyra. “Disa ish-punonjës së policisë së shtetit më kanë informuar për trafikun e mundshëm të lëndëve narkotike nëpërmjet bazës ushtarake të Gjadrit, aty ku është parë të ulet një avion civil.”- thuhet të ketë shkruar Imami në letër. Të gjitha detajet e dhëna nga deputeti i Partisë Demokratike, shkojnë në proces verifikimi.[12]

E premte, 9 maj – Zhvillon mbledhjen e saj të parë Komisioni Hetimor për zbardhjen e së vërtetës për akuzat e implikimit të Forcave të Armatosura në trafikun e drogës. Në të marrin pjesë edhe deputetët e Partisë Demokratike, teksa mbledhja e parë kalon me batuta pas një problemi teknik ku mikrofonat nuk punonin.

E shtunë, 10 maj – Mediat raportojnë për një avion të vogël, i cili thuhet se është rrëzuar në plazhin e Divjakës. Raportimet vazhdojnë gjithmonë duke u plotësuar për më shumë se 4 orë, deri në momentin kur Policia e Shtetit përfundon dhe operacionin në të cilin arreston dhe dy persona. Më poshtë ashtu sikurse vijoi ngjarja sipas Policisë: Ora 13:26 – Avioni I-GRMP ulur 2 ditë më parë në Aeroportin Nënë Tereza, merr leje për t’u ngritur në fluturim. Destinacioni: Pescara, Itali. 24 minuta pas nisjes – Avioni në kuotën e 757 metrave lartësi ndërron trajektoren e fluturimit pa kërkuar leje, pas ndërhyrjes me radio të kontrollorit të trafikut, piloti kërkon fluturim turistik mbi bregdet, fluturim që më pas i lejohet. 26 minuta pas nisjes – Sërish pa leje avioni zbret në kuotën e 212 metrave lartësi, edhe pse kontrollori i tërheq vëmendjen, ai vazhdon manovrat e lira. Ndërsa 4 minuta më vonë, avioni humbet nga radarët. 43 minuta pas nisjes – Avioni shkëput lidhjet me kullën e kontrollit. Kontrollori fillon ndjekjen e procedurës së emergjencës. 55 minuta pas nisjes – Shefi i Komisariatit Lushnje, nënkomisar Mitri informohet se një avion është parë që po ulej në Bedat. Ai lajmëron Drejtorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Brendshme nga ku urdhërohet nisja e operacionit për gjetjen e tij. 58 minuta pas nisjes – Forca të policisë gjejnë avionin e ulur në plazhin e Divjakës. Piloti Riformato gjendet me 2 çanta në duar shumë pak larg avionit, i cili konstatohet i dëmtuar. 1 orë e 10 minuta pas nisjes – Policia identifikon dy automjetet ë ndaluara buzë rrugës, një të tipit Misubishi (targa AA794 HU) që po ngarkohej me rimorkio të tërhequr me një Land Rover (targa AA 500 CX).  Ndërsa një person po largohej nga pylli me çantë të zezë. Policia bllokon makinat, pasi në makinën Mitsubishin konstatohet lëndë narkotike. 1 orë e 31 minuta pas nisjes – Policia identifikon pronarin e automjetit, ndërsa ai deklaron se ia kishte dhënë në përdorim Sajmir Bajramit, (39 vjeç), i cili pas verifikimeve rezulton i ardhur në Shqipëri dy ditë më parë, ashtu sikurse dhe Giorgio Riformato1 orë e 53 minuta pas nisjes – Policia merr të dhëna nga pala italiane rreth precendesës penale të Giorgio Riformatos. 2 orë e 17 minuta pas nisjes – Në afërsi të avionit gjenden 8 çanta me lëndë narkotike, 3 doreza plastike, një sinjal automjeti dhe një flamur. Në total 460 kilogram marijuanë. 3 orë e 18 minuta pas nisjes – Policia kap Sajmir Bajramin. Ai arrestohet te “Ura e Dajlanit” dhe në çantën e tij gjenden 27.550 Euro, si dhe çelësat dhe leja e drejtimit të automjetit tip Mitsubishi.[13]

E dielë, 11 maj – Mediat pushtohen nga deklarata e kundërdeklarata politike, ndërkohë dëshmitë e dy të arrestuarve kundërshtojnë njëri-tjetrin. Bajrami deklaron se drogën synonte ta ngarkonte në avion, ndërsa Riformato këmbëngul se ulja në plazhin e Divjakës erdhi vetëm si rrjedhojë e një problemi teknik.

E dielë, 11 maj – Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, me anë të një deklarate për shtyp shprehet se avioni “i rrëzuar ditën e shtunë ishte një tentativë e dështuar për të trafikuar lëndë narkotike”, tentativë që sipas Tahirit “në sajë të ndërhyrjes së policisë, dhe të një operacioni të sukesshëm, dështoi.” Ndërkohë Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaron se “Qeveria ka rënë, nuk e kapën avionin, por u ra në prehër”. Kreu i opozitës lajmëron nisjen e protestave.

E dielë, 11 maj – Gazeta MAPO publikon dëshminë e një banori i cili tregon se pas rrëzimit të avionit pranë tij ishin rreth 4 automjete, dy fuoristrada (mes të cilave Mitsubishi i Bajramit) dhe dy vetura. [14]

E hënë, 12 majSaimir Bajrami (35 vjeç, me origjinë nga Fushë-Kruja, emigrant në Itali),  deklaron përpara hetuesve se gjithçka e ka bërë për arsye ekonomike dhe se kjo ishte hera e parë e tij që merrej me trafik të lëndëve narkotike, e në fakt Policia nuk gjen asnjë dosje në emër të tij, si në Shqipëri ashtu edhe në Shtetin fqinj. Bajrami shprehet se organizimi i trafikut është bërë në Itali, teksa Giorgio Riformaton ia ka prezantuar një i njohur i tij (shqiptar) në Vareze (Itali). 35-vjecari shprehet se të dy kanë ardhur në Shqipëri (njëri me avion pasagjerësh, tjetri me avionin e shoqërisë Fox-Jet) e më pas janë takuar disa herë, si në Tiranë ashtu edhe në Divjakë. Ngarkesën ai thotë se e ka blerë në Fushë-Krujë ndërsa për sa i përket shumës prej rreth 27 mijë eurove (me të cilat u kap), Bajrami thotë se ajo ishte një pjesë e pagesës së pilotit, i cili sipas tij do të paguhej rreth 138 mijë euro (300 euro për kilogram). Bajrami nuk pranon të identifikojë asnjë person tjetër duke theksuar se ishte krejt i vetëm.[15]

E hënë, 12 maj – Ndërsa dëshmitë qoftë të Bajramit ashtu dhe të dëshmitarëve në Divjakë zënë hapësirën kryesore në shumë media, te Dita dalin dhe konspiracionet e para. GazetarëtMero Baze dhe Habjon Hasani shkruajnë për Gazetën Dita se gjithçka ndodhi në Divjakë ishte inskenim, të dy ata e lidhin këtë ngjarje me çështje politike dhe me kredencialet që fiton Partia Demokratike nga ajo. Hasani e bazon argumentin e tij tek fakti që “Bajrami deklaron se gjithçka e bëri vetë për arsye ekonomike, por ndërkohë kishte para për ta blerë ngarkesën”. Nga ana tjetër ai ngre dyshime se në vetëm 2 ditë një organizim kaq i detajuar, “si blerja ashtu edhe transportimi nëpër rrugët e Shqipërisë, e sidomos Divjakës, të bëhej vetëm nga një person”.[16]

E hënë, 12 maj – Opozita intensifikon sulmet ndaj mazhorancës. Ish-kryeministri Berisha shprehet se pas trafikut qëndron vetë Kryeministri, ndërsa zyrtarisht Partia Demokratike shprehet se Qeveria nuk i mori seriozisht denoncimet e opozitës.

E martë, 13 maj – Kryeministri Edi Rama, me anë të një fjalimi rreth 30 minuta, hedh poshtë aludimin për implikimin e tij në trafikun e drogës dhe akuzon opozitën për sulmin ndaj Qeverisë dhe Policisë së Shtetit. Kryeministri këmbëngul kundër përshkrimit të Shqipërisë si “Kolumbi e drogës” ndërsa shprehet se në Divjakë u servir një film.

E martë, 13 maj –  Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i përgjigjet Kryeministrit duke i kërkuar dorëheqjen. Basha shprehet se “vetëm paranoja e Ramës mund të nxirrte idetë e një inskenimi të forcave të errëta kundër tij për një ngjarje që u pa në mes të ditës.” Teksa paralajmëroi nisjen e protestave kreu i opozitës i tha Kryeministrit: “Këtë çorbë që ke gatuar, do ta hash vetë.”

E martë, 13 maj – Italiani Giorgio Riformato mohon të ketë lidhje me trafikun e drogës, por në dosjen e Prokurorisë, përveç dëshmisë së Bajramit ndodhen edhe foto të takimit mes tyre dhe mesazhe telefonike. Gjykata ndërkohë, lë në burg të dy të arrestuarit për trafik droge me avion. Sipas shtypit të përditshëm piloti është mbrojtur duke u shprehur se për herë të parë e vizitonte Shqipërinë. Ndërkohë avokati i Bajramit shprehet se klienti  i tij është “megaloman”, një person që kërkon të bëhet medoemos i famshëm.

E mërkurë, 14 maj – Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi prezanton me anë të një video-prezantim, kronologjinë e reagimit të Policisë së Shtetit rreth ngjarjes së “Avionit të Divjakës”. Didi shprehet me krenari se “Policia e gjeti avionin 21 minuta pas shkëputjes nga radari”. Në prezantim marrin pjesë edhe Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, të cilët deklarojnë sërish se “ishte një operacion i suksesshëm”, ndërkohë që Policia dhe Prokuroria inkurajohen të vazhdojnë hetimet.

E mërkurë, 14 maj – Opozita njofton se të enjten gjatë punimeve në Parlament do të protestojë për të kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për drogën e gjetur në Divjakë. Protesta njoftohet se do të zhvillohet në orën 10:00, ndërsa opozita thuhet se do të jetë prezente edhe në Parlament.

E mërkurë, 14 maj – Pas deklaratave të disa ditëve më parë të ish-Kryeministrit, se “piloti italian ka kaluar pa u kontrolluar të gjitha sistemet e aeroportit ndërkombëtar”, shtypi publikon fotot e Giorgio Riformatos teksa kontrollohet normailisht, ndërkohë zbardhet i gjithë itenerari i fluturimit të tij. Avioni ishte nisur nga Korfuzi.

E enjte, 15 maj – Debate të ashpra zhvillohen në Parlament, teksa jashtë opozita zhvillon protestën e saj, protestë në të cilën bie në sy dhe hap mjaft diskutime prezenca e Kryetarit të Komunës së Lazaratit, Dashnor Aliko. Ndërkohë gjatë fjalës së tij, kryetari Lulzim Basha duke u ndjerë si shumicë absolute mes turmës kërkoi largimin e Kryeministrit: “Rama ik!”

E enjte, 15 maj – Rreth avionit të Divjakës dhe implikimet e Qeverisë zhvillohen replika të ashpra mes Ramës dhe Berishës në Parlament. Kryeministri provokon reagimin e Berishës, teksa shprehet se do të largohet nga politika nëse ky i fundit vërteton qoftë dhe një akuzë. Ndërsa deputeti demokrat i përgjigjet se “më parë duhet të ikë e të bëj testin e drogës”.

E enjte, 15 maj – Teksa Ushtria betonizon (pas aerodromit të Gjadrit) edhe pistën e Gjirokastrës, shtypi publikon të dhënat se pas rrëzimit në Divjakë, piloti italian kontaktoi me anë të telefonit me Brindizin. Si duket me shpresën se nuk do të kapej, Rifromato telefonoi me celularin e tij Kullën e Kontrollit në Brindizi dhe e ka njoftuar se kishte rënë në një plazh të Shqipërisë dhe krejt kundër për sa është dëshmuar dhe nga dëshmitarët okularë prezent në plazh më 10 maj, nuk e dinte se ku ndodhej.

E enjte, 15 maj – Një nga dëshmitarët e ngjarjes së 10 majit, kërcënohet me një mesazh. Punonjësi i një karburanti që thuhet se pa makinën tip Mitsubishi të Bajramit deklaron se është kërcënuar me një telefonatë. “Më thanë të fshij nga mendja çfarë kam parë” – deklaron dëshmitari.

E premte, 16 maj – Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaron se ka shumë çështje nën hetim, të cilat nëse drejtohen me sukses atëherë mund të ndryshojnë të ardhmen e vendit. Gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, Llalla bën këtë deklaratë duke iu shmangur pyetjeve të gazetarëve se kush është çështja më e rëndësishme që po heton aktualisht Prokuroria e Përgjithshme.

E premte, 16 maj – Ka lëvizje në Policinë e Shtetit. Pas ngjarjes në Divjakë, Ministri Tahiri sposton Shefin e Antidrogës Sokol Selfollarin duke e emëruar pranë Drejtorisë së Studimeve Strategjike. Ndërkohë Prokuroria merr në pyetje dy inspektorët e Kullës së Kontrollit, nga ku gjatë tutelimit të fluturimit të Riformatos u thyen disa protokolle kryesore, që nga komunikimi jo në gjuhën angleze e deri tek dhënia e lejes për fluturim në kuotë të ulët.

E premte, 16 maj – Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi deklaron përkundër Kryeministrit se ngjarja e Divjakës nuk ishte aspak një inskenim apo një film. Blushi gjatë promovimit të librit të tij “Hëna e Shqipërisë” në Shkodër, artikulon ashpër idetë e tij rreth qëndrimit të Qeverisë ndaj trafikut të drogës duke kërkuar hapur ndërhyrjen në Lazarat.

E dielë, 18 maj – Retorika politike e drogës së Divjakës ia lë vendin drogës që kalon kufirin dhe sekuestrohet nga autoritetet e huaja. Rreth 1 ton kanabis-sativa sekuestrohet në Itali, ndërsa opozita kapet pas zbardhjes së një lajmi të ndodhur 6 muaj më parë, teksa autoritetet gjermane kishin sekuestruar mbi 5 ton marijuanë. Ministria e Brendshme nxiton të sqarojë situatën, teksa në skenë futet edhe vetë Ambasada Gjermane.

E hënë, 19 maj – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvillon një tur nëpër rrethe duke kërkuar pjesëmarrje masive të qytetarëve në protestën e së premtes më 23 maj përpara Kryeministrisë.

E martë, 20 maj – Kryeministri Rama dhe Kreu i Opozitës Basha zhvillojnë një debat televiziv në distancë, të ftuar në emisione të ndryshme të dy vazhdojnë politizimin e çështjes së Divjakës. Basha nënvizon se papërgjegjshmëria e treguar duke nënqeshur opozitën e pagoi koston e vet dhe tashmë dikush duhet të paguajë, ndërsa Rama shprehu keqardhje për opozitën duke e cilësuar atë si aspak evropiane në rrugën e integrimit të Shqipërisë. Ai i qëndroi sërish tezës së tij të inskenimit teksa tha se “paralajmërimet e opozitës dhe avioni në plazhin e Divjakës shkojnë përtej koincidencës”. Rama vlerëson sërish punën e Ministrit Tahiri teksa i përgjigjet edhe Blushit duke u shprehur se “në Lazarat, hyjmë kur të jetë momenti”.

E mërkurë, 21 maj – Në një intervistë për shtypin e shkruar, Dritëro Agolli shprehet se “avioni i Divjakës po përdoret pë politikë, ndërsa bllokimi i aeroporteve dhe protestat e opozitës janë thjesht marrëzi”. I moçmi i socialistëve në intervistën e tij thekson se droga duhet të luftohet te parcelat.[17]

E enjte, 22 maj – Opozita sërish përdor trafikun ndërkombëtar të drogës në retorikën e saj. Sekuestrimi i një sasie prej rreth 2 tonësh kanabis-sativa në Itali “përdoret” si argument për të nxitur pjesëmarrjen e protestës të së nesërmes. Kreu i opozitës Basha, shprehet se “zemërimi popullor do të shpërthejë të premten në orën 11:00”.

E enjte, 22 maj – Prokuroria e Përgjithshme ia kalon çështjen e “përfshirjes së infrastrukturës ushtarake në trafikun e drogës” Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kryeprokurori Adriatik Llalla shprehet se “jemi në fazën e verifikimeve paraprake, do t’i kërkojë deputetëve që kanë ngritur dyshime të paraqesin faktet të cilat deklarojnë se i disponojnë, po kështu do t’i kërkohet të gjitha institucioneve”.

E enjte, 22 maj – I ftuar në një emision televiziv, (Top Story), Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shprehet se “sulmet e opozitës ndaj Policisë së shtetit bëhen vetëm për të mbuluar pisllëqet e tyre”. Nga ana tjetër Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli pas shumë kohe flet për akuzat e lidhjes së forcave të armatosura me trafikun e drogës, për këtë Kodheli shprehet se ka “zero lidhje”. Ndërkohë Kryeministri Rama shprehet se për luftën ndaj drogës “rezultatet e policisë flasin vetë”. Nga ana tjetër Kreu i Partisë Demokratike i ftuar në një emision televiziv (Opinion) sulmon Kryeministrin teksa thotë se “Rama tashmë është provuar si një peng i narkotrafikut.”

E premte, 23 maj – Edhe pse nuk ka pjesëmarrjen që priste, opozita mban protestën e lajmëruar. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se tashmë “Ramës i ka mbetur vetëm ora e largimit”. Në mbrëmje ish-kryeministri Berisha i ftuar në një studio televizive (Fakt) riakuzon Kryeministrin Rama për lidhjen e tij me trafikun e drogës duke u shprehur madje se tashmë në Shqipëri mbillet edhe opium. Ndërkohë po gjatë promovimit të librit të tij “Hëna e Shqipërisë”, deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi vazhdon diversionin duke u shprehur se “Ministri Tahiri tregon trimëri duke asgjësuar sasitë e drogës dhe duke u shprehur se mund të hyjë edhe në Lazarat, por më parë, për këtë duhet të bindë Kryeministrin”. Blushi flet edhe për Partinë Demokratike, teksa thotë se “në opozitë ajo po bën të njëjtat këqija që bëmë ne, bojkot, grevë urie e madje dhe 21 janar”.

E hënë, 26 maj – Ndërsa Antimafia e Lëçes deklaron se “sasia e drogës është shtuar ndërsa për trafikun nga ajri s’kemi prova”, Kryeprokurori Adriatik Llalla në një deklaratë për mediat shprehet se për trafikun e drogës nga Gjadri “ka”.

E hënë, 26 maj – Policia arreston Aurel Pupen, i akuzuar si një nga paketuesit e drogës së gjetur në çantat e gjetura në Mitsubishin e Saimir Bajramit më 10 maj në Divjakë. Gjithcka u bë e mundur pasi gjurmët e gjetura në natribanin e drogës korrespondonin me gjurmët e 24 vjeçarit. Prokuroria dhe Policia verifikojnë dëshmitë, Bajrami ka deklaruar se drogën e ka siguruar në Fushë-Krujë, ndërkohë paketuesi është nga Lushnja.

E martë, 27 maj – Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli replikën me Kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke u shprehur që “nëse Prokuroria ka prova të trafikut të drogës në Gjadër, le t’i tregojë ato, por bashkë me periudhën se kur ka ndodhur kjo gjë”.

E martë, 27 maj – Partia Demokratike nuk heq dorë nga retorika politike me trafikun e drogës. Kreu Lulzim Basha shprehet se “përballja me popullin kësaj Qeveria s’do t’i vonojë dhe se me taktikat e saj putineske, mazhoranca po rrezikon demokracinë”.

E enjte, 29 maj – Kryeministri Edi Rama deklaron se Komisioni Hetimor, ngritur për të verifikuar akuzat e opozitës në lidhje me implikimin e forcave të armatosura në trafikun e drogës, “ka nxjerrë fakte tronditëse që tregojnë se avionët janë përdorur për transportin e drogës para shtatorit 2013-të.

E shtunë, 31 maj – Komisioni Hetimor raporton për punimet e kryera lidhur me objektin e hetimit “verifikim i akuzave të opozitës në lidhje me implikimin e forcave të armatosura në trafikun e drogës”. Kryetarja e Komisionit Ermonela Felaj raporton se “sipas disa dëshmive ka pasur trafik të lëndës narkotike në Gjadër, por kjo ka ndodhur në periudhën kur qeveriste opozita aktuale”. Në Komision nuk marrin pjesë deputetët e opozitës, ndërkohë deputeti Taulant Balla kërkon shpjegime  nga ish-Ministri Arben Imami dhe ish-Kryeministri Sali Berisha.

E hënë, 2 qershor – Ish-Ministri Arben Imami shprehet për “Raportin Felaj”. Deputeti demokrat thotë se “e gjitha bëhet për të dëmtuar hetimet tashmë të nisura nga Prokuroria”. Imami deklaron se dëshmia ku bazohet raporti është marrë nga një person i panjohur i cili dëshmon për diçka që sipas tij mund të ketë ndodhur përpara 2 viteve, “por ku ishte ky njeri në këto kohë?” – pyet Imami.

E martë, 3 qershor – Prokuroria e Krimeve të Rënda shpall në kërkim një ish-oficer policie, i cili dyshohet se ka siguruar kanabis-sativën në Lazarat, për llogari të Saimir Bajramit. I dyshuari është fotografuar në një hotel nën shoqërinë e pilotit të avionit të Diviakës, Giorgio Riformato.

E enjte, 5 qershor – Prokuroria thërret Arben Imamin. Ish-Ministri i Mbrojtjes merret në pyetje për tenderat e reklamave.

E enjte, 5 qershor – Policia arreston Kleviol Ahmetajn, të akuzuar për paketimin e lëndës narkotike që u tentua të transportohej me avion nga dyshja Bajramaj-Riformato më 10 maj në Divjakë. Ahmetajt 30 vjeç iu gjetën gjurmët, ashtu sikurse paketuesit tjetër Aurel Pupe, në natribanin mbështjellës të lëndës narkotike. Edhe Ahmetaj është nga Lushnja, ndërkohë ndryshe nga të arrestuarit e tjerë, 30 vjecari ka pranuar të bashkëpunojë duke treguar edhe për policin e përfshirë në rrjetin e trafikut. Ai thuhet të jetë një drejtues i Policisë së Delvinës dhe i është prezantuar atij si baxhanak i Bajramajt. Ahmetaj ka treguar se ky person ka qenë prezent edhe ditën e 10 majit në plazhin e Divjakës.

E enjte, 5 qershor – Ish-Kryeministri Sali Berisha shprehet në Parlament, se “trafiku i drogës nga Gjadri ka filluar që në muajin tetor të vitit 2013-të”. Për këtë ai lexon një shkresë të klasifikuar si sekrete të Komandantit të Policisë Ushtarake, Kolonel Xhevdet Zenelit, sipas së cilit në muajin tetor të vitit të kaluar në Gjadër është ulur një avion, i cili është ngarkuar me lëndë narkotike.

[1] Gazeta MAPO, e mërkurë datë 16 prill, fq .4
[2] Gazeta MAPO, e mërkurë datë 16 prill, fq .5
[3] Gazeta Shekulli, e premte datë 18 prill, fq. 4-5
[4] Gazeta MAPO, e martë datë 22 prill, fq. 4-5
[5] Gazeta Panorama, e hënë datë 21 prill, fq. 5
[6] Gazeta Panorama, e hënë datë 21 prill, fq. 4-5
[7] Gazeta MAPO, e martë datë 22 prill, fq. 5
[8] Gazeta MAPO, e hënë datë 29 prill, fq. 5
[9] Gazeta Shqip, e shtunë datë 3 maj, fq. 5
[10] Gazeta Panorama, e hënë datë 5 maj,  versioni online: http://goo.gl/E3XfJH
[11] Denoncuar gjithashtu nga emisioni Italian Le Iene në vitin 2009-të.
[12] Gazeta MAPO, e premte datë 9 maj, fq. 3
[13] Sipas rindërtimit të ngjarjes nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, bërë publik të mërkurën datë 14 maj.
[14] Gazeta MAPO, e hënë datë 12 maj, fq. 4-5
[15] Gazeta MAPO, e hënë datë 12 maj, fq. 4-5
[16] Gazeta Dita, e martë datë 13 maj, fq.2-3
[17] Gazeta Panorama, e enjte 22 maj, fq 2

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.