Ulja e temperaturave në ditët e fundit ka sjellë rikthimin e virozave që shpesh herë janë shkaktare të komplikacioneve të shumta në rrugët e frymëmarrjes. Komplikacione të cilat mund të sjellin edhe vdekjen. Të shumtë janë ata që i drejtohen vaksinave të gripit si një alternativë për t’iu shmangur prekjes nga ky virus apo edhe komplikacioneve të tij. Por Prof. Dr. Elez Selimi…një pneumolog që ka kaluar një jetë duke kuruar sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes tregohet skeptik teksa na thotë se vaksina e gripit ka treguar se nuk ka efikasitet. Ai tregon ndryshimin mes gripit dhe infeksioneve polmonare që në të shumtat e rasteve janë bashkëshoqëruese të tij. Ndër të tjera ai tregon se të paktën për të shmangur komplikacionet ekziston një vaksinë që është treguar goxha efikase. Kjo vaksinë nuk lufton gripin por ndihmon që personat me sëmundje kronike ta kalojnë atë më lehtësisht. Doktori thotë se për këtë vaksinë në Shqipëri është kryer një studim 7-vjeçar që ka sjellë rezultate pozitive.
Profesor këto ditë të ftohta kanë sjellë si zakonisht rastet e para të virozave dhe shumë njerëz që kolliten nëpër rrugë. Nga shkaktohet kolla profesor a është sinjali i parë i prekjes nga i ftohti a duhet ta marrim atë seriozisht dhe kush janë më të rrezikuarit?
Duhet thënë se njeriu nuk ambientohet menjëherë me ndryshimet e temperaturës. Prandaj me të ftohtin shfaqen edhe shenjat reaguese të trupit. Reagimi i parë vjen nga aparati i frymëmarrjes, pasi ky aparat ka një veti të veçantë që komunikon direkt me ambientin e jashtëm. Oksigjeni që ne marrim vjen nga jashtë, pra nga ambienti që na rrethon, ndaj ndryshimet klimaterike reflektohen menjëherë nga ky organ si fillim. Kur prekemi nga virozat, ndër reagimet e para është shtimi i sekrecioneve në aparatin e frymëmarrjes, çka më pas sjell edhe kollën. Kolla s’është gjë tjetër veçse një reagim i aparatit të frymëmarrjes për të nxjerrë jashtë sekrecionet e tepërta që përmbajnë edhe mikrobet e mukozës. Në këtë drejtim më të rrezikuarit janë ata njerëz që vuajnë nga sëmundjet kronike në aparatin e frymëmarrjes. Këta njerëz janë të rrezikuar sepse vetë sëmundja i ka bërë më të prekshëm pasi si pasojë e sëmundjes kronike u janë dëmtuar mushkëritë, frymëmarrja nuk kryhet mirë, kanë nivel të ulët të oksigjenit në gjak dhe prandaj fizikisht janë më të dobët. Kështu, pak temperaturat e ulëta të ambientit, pak edhe një kollë me sekrecione të shtuara, këtyre njerëzve u përkeqësohet relativisht shëndeti dhe të paktën këta duhet ta marrin medoemos shumë seriozisht.
Profesor po ftohja nga dallon nga një grip i zakonshëm?
Simptomat ngatërrohen nga njerëzit e thjeshtë dhe kjo ndikon edhe tek neglizhenca e tyre për t’iu drejtuar mjekut. Gripi zakonisht përtej simptomave të njëjta me të ftohjes, siç janë kolla apo sekrecionet nga hundët, shoqërohet me temperaturë të lartë dhe me prerje, dhimbje të trupit, dhimbje të qafës, çrregullime të aparatit tretës. Këto simptoma zakonisht zgjasin 3-4 ditë, pas kësaj periudhe temperatura bie, ndërsa ftohja ka shtrirje më të gjatë.
Por çfarë rrezikojmë nga neglizhenca në këtë drejtim?
Neglizhenca ka dy rrugë. E para kur është organizmi i fortë, personi neglizhon, por e kalon. Domethënë vuan për disa ditë por organizmi e lufton dhe e merr veten. Rruga tjetër është që kur organizmi nuk është dhe aq i fortë, personi neglizhon dhe ndodh një ndërlikim që çon në bronkit, bronkopneumoni ose komplikacion akoma më të madh e të rëndë siç është vdekja.
Po si parandalohen këto Profesor? A na mbron nga gripi dhe komplikacionet e tij vaksina e gripit?
Parësorja është të qëndrohet në të ngrohtë dhe të kesh një dietë të mirë me vitamina dhe lëngje. Ndërkohë duhen shmangur dhomat e mbyllura në të cilat ka grumbullime njerëzish dhe nuk ka ajrosje, është kjo që favorizon përhapjen e virusit. Në këto hapësira më të prekurit janë fëmijët që janë të detyruar të ndodhen aty, më pas janë të moshuarit që nuk kanë mundësi të lëvizin shumë. Sa për vaksinën mua më vjen keq ta them, por vaksina e gripit nuk ka vërtetuar se ka efikasitet as për të parandaluar prekjen dhe as komplikacionet e tij. I gjithë komuniteti shkencor është skeptik në këtë pikë, pasi rezultatet janë të dobëta.
Pse?
Po sepse vaksina e gripit bazohet tek bërthama e këtij virusi. Në një kohë që virusi formohet nga bërthama dhe haptenët dhe në imunitet influencojnë pikërisht ato, haptenët, të cilët janë të ndryshueshëm pothuajse çdo stinë. Për këtë arsye nuk ka shumë vlerë vaksina kundër gripit, nuk ka efikasitet. Eshtë deri diku e vërtetë që kjo vaksinë e forcon imunitetin, por nuk e shmang prekjen nga gripi. Nëse ne do të bënim një vaksinë për haptenët e një gripi të këtij viti, kjo vaksinë nuk do të kishte efekt për virusin e vitit tjetër pasi haptenët do të kenë ndryshuar.
Por nuk ka ndonjë mënyrë tjetër që të mbrohemi të paktën nga komplikacionet që shkakton gripi?
Në radhë të parë duhet të tregojmë se nga se shkaktohen komplikacionet. Eshtë vërtetuar se gripi dëmton mukozën e bronkeve të aparatit respirator duke krijuar faktorë të favorshëm që mikrobet saprofite si streptokoku, stafilokoku, e të tjerë, të infektojnë aparatin respirator. Nga këtu e në vijim nuk kemi më të bëjmë me grip por me infeksion polmonar. Këto mikrobe shkaktojnë infeksione që më pas japin bronkitin, bronkopneumoninë e me radhë. Infeksione të ndërlikuara që në personat e sëmurë kronikë mund të shkaktojnë edhe vdekjen. Në këtë pikë, ekziston një mundësi që të shmangen komplikacionet që shkakton gripi duke rritur imunitetin përmes një vaksine tjetër. Vaksina polivalente bakteriale është ajo që i mbron këta njerëz nga shtrimi në spital. Kjo vaksinë që quhet “Lantigen B”, nuk i bën gjë gripit por lufton infeksionet e rënda. Ajo krijohet me bazë mikrobet që popullojnë rrugët e frymëmarrjes. Kështu ajo mundëson që të sëmurët kronikë edhe nëse preken nga gripi të mund ta kalojnë atë në mënyrë të lehtë, pra pa komplikacionet e zakonshme.
A është efikase kjo vaksinë?
Ne kemi kryer një studim 7-vjeçar në Shqipëri për t’i dëshmuar efikasitetin dhe unë mund t’ju them me bindje të plotë, të vërtetuar, se ne kemi pasur shumë të sëmurë nga të gjitha grupmoshat, por synimi ka qenë aplikimi tek personat e sëmurë me sëmundje kronike polmunare dhe mund t’ju them se rezultatet kanë qenë bindëse. U përqendruam tek ata të sëmurë kronikë të cilëve për shkak të gripit u takonte të shtroheshin të paktën dy-tri herë në vit në spital me infeksione të rënda që arrinin madje deri në vdekje. Ne i vaksinuam këta njerëz që kishin spok, pra sëmundje kronike bronkiale dhe është e vërtetë që ata shpëtuan nga spitali, pra nuk u shtruan më. Tashmë që e kemi mbaruar këtë studim mund t’ju them se të paktën kjo vaksinë, pra polivalente bakterialja, është efikase. Na ndodhte që kur e shpërndanim në tetor, pacientët vinin vetë dhe thonin: “Shpëtuam nga spitali! Duam atë vaksinë, na sillni atë vaksinën!”
Më shumë se 35 vite në shërbim
Prof. Dr. Elez Selimi ka një përvojë mbi 35-vjeçare dhe është ndër mjekët më të vlerësuar në Shqipëri. I specializuar në sëmundjet e brendshme, për Pneumologji dhe për Fiziopatologji, ai është një studiues i palodhur me rreth 8 libra shkencorë. Themeluesi i specialitetit të Pneumologjisë në vitin 1976-të është. Pionier i shumë trajtimeve mjekësore të sëmundjeve polmonare në vendin tonë. I palodhur dhe megjithëse 74-vjeç vazhdon t’u gjendet pranë njerëzve në nevojë duke ofruar shërbimin e pneumologjisë, çdo ditë për të paktën dy orë, në një klinikë private.
Rezultatet në punë
Themelues i specialitetit të Pneumologjisë në vitin 1976 -Drejtues i këtij specialiteti nga viti 1976 e në vazhdim. -Ka aplikuar për herë të parë në Shqipëri elektroforezën e proteinave më 1962. -Drejtues i grupit studimor të Epidemiologjisë së hipertensionit arterial në Shqipëri, gjatë të cilit u depistuan 84 000 persona, në grup mosha të ndryshme të popullsisë. -Ka aplikuar ekzaminimet funksionale pulmonare për herë të parë në Shqipëri, më 1976. -Ka aplikuar për herë të parë në Shqipëri, studimin me izotope radioaktive të mushkërive, si Shentigrafinë pulmonare dhe gjurmimin e metastazave kanceroze në kancerin pulmonar. Këto metoda aplikohen me sukses për diagnozën e sëmundjeve pulmonare që nga viti 1977.
Publikuar te “Shekulli” më 28/11/2014