Ndëshkimi i atyre që morë pjesë në “Revoltën e Spaçit” është i dokumentuar në arkiva. Dinamika e turrjes gjakatare të pushtetit ka mbetur në dosjen “tepër-sekret” nr. 38 të vitit 1973 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në 28 faqe të kësaj dosjeje, paraqitet vendimi i dënimit – të grupit të parë, nga pesë që u dënuan në tërësi – të 12 personave, 4 prej të cilëve me pushkatim. Relacioni i gjykatës dhe po kështu edhe lutjet e katër të dënuarve me vdekje.
Pal Zefi, Hajri Pashaj, Dervish Bejko dhe Skënder Daja ishin tejet të rinj në moshë kur u pushkatuan: 33, 28, 27 dhe 23 vjeç. Të gjithë ishin të dënuar për tentativë arratisjeje apo për agjitacion dhe propagandë dhe më 23 maj 1973 do të akuzoheshin edhe për përpjekje/organizim për të rrëzuar pushtetin popullor, krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, akte terrori dhe sabotim, dënimi për të cilat ishte pushkatimi.
Gjyqi u bë menjëherë. Brenda ditës 23 maj “grupi i parë” (nga pesë grupe) i revoltës u dërgua në Tiranë dhe më pas në orën 23:00 nisi punën “Gjykata e Lartë”, që në të vërtetë ishte thjesht zëdhënësja e dënimeve të shkruara nga udhëheqja. Dënimi u dha direkt, por vendimi zbatohej vetëm pasi të merrej mendimi i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili kishte mundësinë që t’i falte… por nuk e bëri.
Pasi iu komunikua dënimi, duke u gdhirë dita e 24 majit, të katër të rinjve iu tha të shkruanin nga një lutje për Presidiumin Popullor. Ndalemi pak e ta imagjinojmë atë moment. Je 23 apo 33 vjeç. I pamartuar… ose edhe i martuar dhe madje me fëmijë. Ke gjithë jetën përpara. Deri dje mund të ëndërroje se çfarë do të bëje pasi të dalësh nga burgu. Kë do të takosh, kë do të përqafosh?! … Ndërsa tani të thuhet se do të të fusin plumbin pas koke! Do vdesësh! “Do të të vrasim pa gdhirë!”
Tmerr rrëqethës!
Letrat me kërkesë për falje drejtuar Presidiumit.
Skënder Daja, dënuar për tentativë arratisje, sipas akuzës “u bëri thirrje shokëve për të shpëtuar gjoja Palin nga masa e arrestit që ishte marrë ndaj tij. Ai u tha se duhet të shpëtojmë shokun tonë, vëllanë tonë që po e mbysin. Ai shkatërroi dhomat e izolimit dhe veproi vetë i pari. Mori pjesë drejtpërdrejt në veprimet e kundërligjshme që u organizuan dhe u udhëhoqën nga Hajri Pasha e Paulin Vata. Rezistoi të dorëzohej e u mundua të përdorte forcë ndaj forcave tona në kohën e operacionit në kapjen e tij.” Kush e di çka menduar 23-vjeçari Daja kur ka shkruar ato rreshta. Kush i ka ardhur ndërmend?! E ëma, babai… A besoi ai vërtet se do t’i falej jeta? Thonë se kur përballesh me vdekjen, edhe në qofsh ateist beson në Zot sepse askush nuk do të vdesë:

“Presidiumit të Kuvendit Popullor
Un i nënshkruari Skënder Daja i datlindjes 1950 me arsim 8 vjeçar lindur në Tiran me origjin fshatar i varfër. Sot ndodhem në kampin 303 spaç i dënuar me 10 vjet heqje të liris më 1971 më 30 mars për tentativ arratisje dhe sot jam i dënuar me vdekje. I akuzuar me nenin 72-76 dhe 73. Në fakt un kam pranuar se i rebeluar kam bo propagand atë dit ashtu siç bërtitën e gjith kampi dhe nuk jam bo ndonjë her penges për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kurse kur mbaroi revolta ne kishim frik se do t’na rrihnin prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll kët letër lutje me shpres që të ma falni jetën si i ri që jam dhe si njeri i penduar për gabimet e fajet e mija.
Me nderime dhe respekt, Skënder Daja.
Dat 24-V-1973
Ju lutem përgjigje.”
Dervish Bejko, sipas akuzës “ka marrë pjesë aktive që nga grindjet me nënoficerët, e më pas me anë të parullave gjoja për liri të shokëve, e kundër Partisë, pushtetit, si dhe duke përdorur forcën dhe duke mos u bindur për t’u dorëzuar si shokët e tjerë në kohën që u krye operacioni brenda në repart. Ai u bëri thirrje të tjerëve që të mos dorëzohen: ‘ky është shtet gjakatar e nazist’.” Nga letra tronditëse e Bejkos 27-vjeçar lexohen qartë kushtet e rënduara psikologjike. Fjalët nuk lidhen mirë me njëra-tjetrën dhe në letër, teksa kërkon mëshirë, ai rrëfen se ka dy fëmijë:

“Presidumit të Kuvendit.
Lutje
Unë i dënuari Dervish Bejko, emri i babës Enver, lindur në Pogradec dhe banues në Korçë. Mbasi u dënova për veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor dënim që (nuk lidhet mire me vazhdimin…) jam i ri me datlindje 1946 dhe në vitin 1971 jam dënuar nga dega e Elbasanit për përgatitje arratisje ndërsa tani e kam hongër kot meqë unë (nuk lidhet mire me vazhdimin…) dhe më vjen keq ose si të ju them jam një njeri me ndjenja por çdo gjë e kemi bërë pa koshjencë, dhe për këtë mbasi duhet të keni mëshirë për mua dhe dy fëmijët që kam lënë. Unë kam dhënë gjithmonë në çdo punë dhe në ushtri kam marrë fleta lavdërimi tani ju kërkoj mëshirë juve të presidjumit të K.V.P.SH se do të jem gjithmonë i gatshëm dhe do të punoj për pushtetin popullor çka shpresoj që lutja të merret parasysh.
Me nderime Dervish Bejko
Lutem përgjigje.”
Hajri Pasha, i dënuar për arratisje, sipas akuzës “ka qenë kryesor në organizimin e kësaj revolte, ka nxitur dhe ka marrë pjesë në nxjerrjen e të burgosurve të tjerë nga qelitë, heqjen e flamurit dhe ka mbajtur parulla dhe fjalime kundër Partisë e Pushtetit.” Në letrën e tij drejtuar Presidiumit, Pashaj shfaqet tejet i tronditur. Rreshtat e tij janë shumë të pjerrët dhe në letër ka edhe gabime të shkarravitura. Në të përmendet fort fakti se është i ri, vetëm 28 vjeç:
“Presidumit të Kuvendit Popullor
Lutje
Unë i dënuari Hajri Zenel Pashaj parashtroj lutjen sa vijon.
U dënova me vdekje pushkatim nga gjykata e lartë për veprimtari armiqësore kundra pushtetit popullor këtu në burg. Duke pasur parasysh se jam vetëm 28 vjeç i lutem të nderuarit Presidium që të ketë mirësinë dhe të më falë dënimin me vdekje. Do të jem i gatshëm për pushtetin popullor. Shpresoj se lujta ime do të merret në konsiderat.
Repart. Spaç
24-IV-73
Me nderime Hajri Pashaj.”
Pal Zefi, i dënuar për agjitacion e propagandë, sipas gjyqit “doli arbitrarisht nga dhoma e izolimit dhe refuzoi urdhrin e oficerit të rojës për t’u futur përsëri në dhomë. Kur u ndërhy nga nënoficerët për ta marrë i goditi ata edhe operativin me një hekur që mbante në dorë. I pandehuri shërbeu si shkas për të burgosurit e tjerë që të mos dilnin në punë dhe filluan të organizohen në protestat e tyre.” Në letrën e tij, 33-vjeçari Pal Zefi tregohet më i prerë. E pranon një pjesë të akuzave dhe tregon se nuk qëndrojnë të gjitha. Letra është më e shkurtër se e të tjerëve. Si duket ai nuk priste gjë nga Presidiumi dhe mbase ka qenë i detyruar ta shkruajë:

“Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.P.SH
I nënshkruari Pal Gjergj Zefi i datlindjes 940 me arsim 3 vjeçar mjekësi me origjinë fshatar i varfër lindur në sektorin Sukth-Shijak, sot në kampin 309 Spaç, i dënuar në vitin 1971 me dhjetë vjet burg për veprimtari propagandistike kundër Partisë dhe tani i dënuar me vdekje, pasi akuzohem se kam kryer krimin e parashikuar nga neni 72 dhe 76 dhe 73. Në fakt, ne e pranojmë se kemi kryer një rrahje me nënoficerët e repartit 303 dhe kemi zhvilluar propagandë, por nuk kemi marrë pjesë në ndonjë organizatë kundër Partisë. Prandaj ju lutem të kini mirësinë që t’na falni jetën.
Me nderim dhe respekt Pal Zefi.
Dt. 24.V.1973
Ju lutem përgjigje.”
Si u diskutua pushkatimi i 4 të burgosurve që bënë revoltën e Spaçit?
Publikuar në “Observatorin e Kujtesës” më 25 qershor 2018.
!!!Materiali është përgatitur për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Çdo ri-publikim, duhet të shoqërohet duke u cituar!!!