Po atë ditë, më 24 maj ora 13:30, Aranit Çela, në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë raportoi përpara Haxhi Lleshit, kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, nënkryetarëve Rita Marko, Mylsym Peza, Shefqet Peçi, sekretarit Bilbil Klosi dhe anëtarëve Pilo Peristeri, Kahreman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi, Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.
Aranit Çela foli përballë 12 personave, po aq sa ishin të dënuarit e grupit të parë të revoltës së Spaçit. Foli për fatet e katër prej tyre të cilët u dënuan me pushkatim, por askush nga anëtarët e Kuvendit s’figuron të ketë folur qoftë dhe një fjalë në procesverbalin e mbajtur për atë mbledhje. As intelektuali Dhimitër Shuteriqi nuk tha një fjalë për jetët e katër të rinjve të cilët, fundja-fundit, në burg që në burg ishin. Ç’rrezik mund të përbënin për pushtetin? Ndërkohë në asnjë pjesë nuk shkruhet se ndonjë nga anëtarët e Presidiumit i lexoi letrat e katër të dënuarve me vdekje.
Procesverbali
Haxhi Lleshi: Këtë mbledhje e bëjmë për të parë disa të dënuar me vdekje. Kemi thirrur kryetarin e Gjykatës së Lartë, shokun Aranit Çela, për të na referuar.

Aranit Çela: Në kampin 309 në Spaç, ditët e fundit u bë një revoltë nga të burgosurit që përfshiu rreth 500–600 veta. Në fillim u dukën se shfaqën kërkesat e tyre si gjysmëpolitike: kërkonin që të largoheshin nga miniera, kërkonin të faleshin nga dënimet, kishin disa ankime të tjera rreth trajtimit të tyre etj. Mbasi plasi revolta, kërkesat e tyre u rritën dhe doli hapur se ishte një revoltë politike kundër pushtetit popullor. Tani të gjithë elementët që janë në këtë kamp janë nga ata politikë, janë njerëz që kanë kryer krime kundër shtetit dhe pushtetit popullor. Shkaku i revoltës ishte me parullën që të shpëtonin shokun që ishte një i dënuar që kishte shkelur rregullat e brendshme të kampit, i cili në përleshje u largua nga dhoma e izolimit që këta personat e tjerë nuk e dorëzonin. Kërkesat pra, në fillim qenë të tilla, pastaj u dual me parullat nga i dënuari Hajri Pashaj: “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Partia”, “Ju do të vini këtu dhe ne do të zëmë vendin tuaj” etj. Revolta zgjati tri ditë, më datë 21, 22, 23 maj 1973. Mbas përpjekjeve u desh të dërgonim forca e u rrethua kampi. Ata, sipas tyre, kishin krijuar një zonë të çliruar, vunë ligjet e tyre. U bë një demonstrim i fortë dhe u desh të hidheshin breshëri armësh dhe në fund iu dha ultimatumi. Nëse nuk do të dorëzoheshin, do përdornim armë. Mbas kësaj, nga ata u krijua njëfarë përçarjeje, sigurisht që në gjendjen që u krijua një pjesë e mirë u tronditën nga frika.
Pra, në mëngjesin e ditës së fundit, në orën e caktuar, u futën forcat tona dhe filluan të dalin të gjithë me përjashtim të 60 vetave kështu që u krijua një përleshje me ta, një përleshje e vogël dhe më në fund u kapën. Nga këta, 12 veta i prumë në Tiranë dhe mbas zhvillimit të hetuesisë shpejt e shpejt në orën 11 të natës u zhvillua gjyqi nga të cilët 4 i dënoi me vdekje. Mbajtën një qëndrim konsekuent armiqësor, të gjithë janë elementë që kanë qenë dënuar për krime kundër shtetit, tradhti kundër atdheut, janë nga familje reaksionarësh, familje denbabaden armiq tonë. Pra, nga 12 që u zhvillua gjyqi, 4 u dënuan me vdekje.
Haxhi Lleshi: Po ata atje filluan punën?
Aranit Çela: Sot atyre ju është shpallur vendimi i Gjykatës për dënimin me vdekje të këtyre të katërve dhe ju është thënë që në rast se shkelin disiplinën dhe rregulloren e brendshme të kampit, në rast se shkelin disiplinën më të vogël, do të kenë përgjegjësi, do të kenë konsekuenca. Siç duket situata u qetësua, turni i parë doli në punë.
Tani zhvillimi i gjyqit u bë me 12 që janë nga kryesorët, por që nuk është çudi të ketë shpëtuar ndonjë tjetër. Përfundimisht u dënuan 4 me vdekje, ndërsa të tjerët domethënë 8 të tjerët me 25 vjet burgim. Ishte shumë e vështirë të ndaheshin, të bëhej dallimi, por megjithatë u pa që këta të katër të dënoheshin me vdekje dhe ata janë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pashaj.
Haxhi Lleshi: Tani shpjegimet janë të mjafta, prandaj si mendoni, të mbeten këta të katër me pushkatim.
Aranit Çela: Ne themi që të dënohen me vdekje (pushkatim) dhe të pushkatohen jo përpara të tjerëve, jo përpara kampit.
Haxhi Lleshi: Për këtë vendim, gjykoni ju, ku t’ju vijë mirë.
Rita Marko: Edhe unë jam dakord që këta të katër të dënohen me vdekje (pushkatim).
Vendoset që t’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës.

4 dënime me vdekje, 1 000 vite burg. Si i ndëshkoi regjimi organizatorët e Revoltës së Spaçit?
Publikuar në “Observatorin e Kujtesës” më 25 qershor 2018.
!!!Materiali është përgatitur për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Çdo ri-publikim, duhet të shoqërohet duke u cituar!!!