Dyzet e pesë vite më parë, në “Repartin nr. 303” ndodhte ajo që në histori njihet si “Revolta e Spaçit”; prej mëngjesit të datës 21 deri mëngjesin e datës 23 maj. Tri ditë rebelim brenda një kampi ku të burgosurit politikë shfrytëzoheshin për punë të rëndë në galeritë e piritit dhe bakrit. Tri ditë liri të cilat drodhën themelet e pushtetit të diktatorit Hoxha. Pikërisht 45-vjetori i kësaj ngjarjeje u kujtua javën e katërt të majit të këtij viti dhe nxiti jo pak arsye për reflektim.
Spaçi u konceptua nga mendja e Mehmet Shehut në vitin 1967 dhe pas vetëm tre muajsh diskutime – gusht-tetor – u vendos që kampi të ndërtohej me synimin që atje të vendosej i ashtuquajturi “Reparti nr. 303” i të burgosurve politikë, të cilët shfrytëzoheshin për krah pune. Dosjet Nr. 50 dhe 139 të mbajtura atë vit nga Ministria e Ndërtimit tregojnë që në fillim se u mendua që pjesa më e madhe e punëtorëve atje të ishin të burgosur politikë dhe vetëm 600 të ishin “punëtorë të lirë”. Ata do të nisnin si fillim të ndërtonin uzinën e pasurimit të bakrit në Reps e më pas godinat në Spaç, ku përfundimisht do të vendoseshin vitin e ardhshëm.

Njëzet ton tel me gjemba u porosit që të rrethonte kampin dhe pjesa tjetër dihet. Keqtrajtime, tortura psikologjike dhe fizike… Të burgosurit ridënoheshin me vite të tjera shtesë për çdo “thyerje të rregullores”. Po ashtu shtoheshin edhe normat e nxjerrjes së mineraleve.
Për t’iu rikthyer historisë së “Revoltës”, ajo ndodhi pesë vite pas hapjes së kampit. Shkas u bë dhuna ndaj 33-vjeçarit Pal Zefi, i cili nuk kishte pranuar të punonte në galeri dhe për këtë kishte vuajtur një muaj izolim. Ai shfrytëzoi momentin kur rojat u hiqnin të dënuarve batanijet – gjë që zakonisht kryhej çdo mëngjes – për t’iu bashkuar me nxitim grupit tjetër të të burgosurve. Dhuna në sytë e tyre dhe kapja me forcë për ta rikthyer Zefin në izolim nxitën revoltën që më pas solli edhe përfshirjen e të gjithë të tjerëve. Përfshirja e të gjithëve bëri që komanda të zmbrapsej dhe kështu ta dorëzonte kampin për afro tri ditë, derisa me forca ushtarake të shumta ai do të rimerrej sërish nën kontroll.
Kjo është ajo që dihet përgjithësisht nga “Revolta e Spaçit”, por shumë pak për personat që morën pjesë në të, fatet e tyre dhe reagimin që bëri regjimi për t’i ndëshkuar. Ende nuk ka një analizë të përkthyer në një faqe historie në shkolla për të rinjtë, përse regjimi iu hakërrye ashpër disa të burgosurve politikë, duke dënuar 60 prej tyre me 1 000 vite shtesë burg dhe katër të tjerë me vdekje. Ç’rrezik ishin ata për shoqërinë?! Pse u frikësua regjimi?!
Ende shoqëria shqiptare nuk ka reflektuar sa duhet për të edukuar brezin e ri me atë model frymëzues të vlerave demokratike që përcjell e shkuara. Është ironike po ta mendosh që të rinjtë e sotëm dinë më tepër për historinë e Alkatrazit në Shtetet e Bashkuara sesa për një kamp-burg shqiptar në të cilin edhe ata që mundën t’i kalojnë telat me gjemba nuk e gëzuan dot lirinë pasi u pushkatuan nga togat ushtarake.
Publikuar në “Observatorin e Kujtesës” më 25 qershor 2018.
!!!Materiali është përgatitur për Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC). Çdo ri-publikim, duhet të shoqërohet duke u cituar!!!
One Comment