Tre studentë, nga Universiteti më prestigjoz në botë sikurse është ai i Harvardit, vizituan këtë fundjavë Shpellën e Pëllumbasit dhe Kanionet e Erzenit në Tiranë. Në një udhëtim të organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Klubi Discover Albania, miqtë nga Harvardi mbetën me plot mbresa nga natyra dhe potenciali turistik që mund të ofrojë kryeqyteti.
Natasha Hicks, Alice Armstrong dhe William Baumgardner, janë tre të rinj amerikanë, të cilët muajin e fundit kanë bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës mbi implementimin e tre projekteve madhore, sikurse janë “Bulevardi i Ri”, “Tirana policentrike” dhe “rikonceptimi urban i ish-Kombinatit të Tekstileve”.
Të qeshur, tejet miqësor dhe jashtëzakonisht të dashuruar me profesionet e tyre, Natasha, Alice dhe William na thanë se kishin vizituar disa vende të Shqipërisë. Natyrisht Jugu dhe Riviera ishin vendet që u kishin lënë mëshumë mbresa.
Por për ta edhe Tirana nuk mbetej prapa. “Përgjithësisht, për arsye të punës, kemi vizituar zona urbane, por nga kryeqyteti kemi qenë te Liqenin e Tiranës, te ai i Farkës apo dhe në Dajt. Na pëlqen! Tirana ka shumë potenciale për zhvillim” – na tha William, 25-vjec me origjinë nga Ostini i Teksasit. Williami më vonë na rrëfeu se i pëlqenin shumë peizazhet dhe shpesh merrej edhe me shtegëtime në natyrë. Në fakt nga tre miqtë tanië, vetëm ai ishte kujdesur të kishte një kamera profesionle.
Natasha, gjithashtu 25-vjece, nga Los Anxhelesi i Kalifornisë, tha se i pëlqente shumë arti dhe ana sociale dhe për këtë kishte dëshirë të punonte më shumë në të ardhmen. Ajo na zbuloi se po punonte për fasadat në Tiranë në implementimin e disa ideve “ad-hoc”. Interesante ishte se ndryshe nga perceptimi stereotipik shqiptar i arkitektit “lekist dhe vetëm pallatbërës” tre miqtë amerikanë na përçuan idenë e një arkitekti më pranë shoqërisë dhe natyrës.
Alice, moshatare me Natashën dhe Williamin, tha se në Bashki, po punonte për ri-konceptimin e zonës industriale në Kombinat. Ajo tha se kishte plot mbresa nga përvoja në këtë punë. “Mund të them se këtu në vendin tuaj ka plot arkitektë të rinj e të talentuar. Kam besim se këtu mund të bëhen gjëra të mëdha. Gjatë qëndrimit kemi mundur të shohim disa prej tyre, si për shembull Sheshin Skënderbej” – tha Alice, me origjinë nga Bostoni i Masaçusetsit.
Udhëtimi nisi me furgon nga xhamia e Et’hem Beut në qendër. Në më pak se 1 orë u gjendëm në fshatin Pëllumbas rreth 20 kilometra në juglindje të Tiranës. Që nga qendra e fshatit e deri te Shpella e Zezë, ose sic njihet ndryshe ajo e Pëllumbasit, shtegëtuam, lehtë dhe ngadalë duke soditur peizashin, për rreth 1 orë.
Në Shpellën e Zezë, të tre miqëve amerikanë u bëri përshtypje fakti se ajo është një nga gjashtë shpellat e vetme në Evropë që kanë një aktivitet karstik aq të lashtë dhe ku është dëshmuar që në të kanë jetuar njerëzit e rreth 10 mijë viteve më parë. “Nuk kisha qenë kurrë në ndonjë shpellë të këtillë” – tha Williami, ndërsa Alice shtoi se në Boston, andej nga ajo vjen, as që mund ta kishte menduar se mund të kishte vizituar ndonjë shpellë të tillë.
Pas emocioneve dhe freskisë së shpellës, radhën e kaluam te lumi Erzen. Morëm për poshtë, për nga kanjonet. Shtegëtimi ishte me një zbritje rreth 200 metra, disi e vështirë, por më se e përballueshme për tipa si Natasha, Alice dhe William, të cilët e donin natyrën.
Pasi arritëm kanionet, panorama aty qe edhe më mbreslënëse për miqtë tanë. Masivet e gurëve dhe uji me nuanca nga e gjelbërta në blu të thellë ua hoqi menjëherë lodhjen e rrugës. Gocat përfituan nga vaskat që ka formuar Erzeni në kanionet e tij, dhe u lanë, ndërsa William preferoi ta sodisë pamjen nën hije aty buzë kanionit.
Pas një momenti të gjatë shplodhjeje nën freskinë e lumit, nisëm kthimin. Kthimin e bëmë buzë kanioneve në mënyrë që miqtë tanë të kishin mundësinë e ta shihnin më të plotë vijën mahnitëse të rrjedhës së Erzenit. Tek-tuk u ndalëm përballë thellësisë së dy pikave të kanioneve. Pas rreth 2 orëve ecje të lehtë dhe soditjeje pafund, plotësuam një itenerar rreth 6 kilometrash, që i la tejet të kënaqur miqtë tanë.
“Ishte një shtegëtim tejet i bukur, edhe pse ishte disi i lodhshëm. Pamja, lumi, apo dhe shpella të bënin ta harroje distancën” – tha Natasha. Për Alice, problemi për lodhjen kishte të bënte me diellin, por që siç tha ajo, me pak ujë gjithçka ishte e kalueshme.