
Njeriu është një qënie e çuditshme, gjithmonë kërkon më tepër, kjo edhe kur s’e di se çfarë ka përpara. Ata që synojnë majat e maleve duhet ta dinë më mirë se për çfarë e kam fjalën. Ja po mundohem ta shpjegoj me rastin tim, shtegëtimet, marrja me hiking – kosovarët e kishin fiks shqip, bjeshktari, këtë do përdor dhe unë tani e tutje – të cilat i nisa me fillimin e vitit, më shtuan oreksin për një sfidë të vërtetë.
Por ngaqë mali i Gamtit, Brarit, Dajtit apo ngjitje e marshime nëpër Qafë-Shtamë, Skutërrë, Sotirë e Kërrabë nuk i kalonnin disnivelet 400-800 metra, shija që të linin në fund ishte gjithmonë e më pak përmbushëse. Domethënë, në njëfarë mënyre, të zbehej entuziazmi. Duhej një sfidë edhe më emocionuese, prandaj, për këtë qe parashikuar ngjitja në Korab.
Korabi qe programuar të ishte në fillim të korrikut, por në moment të fundit një ndryshim plani bëri që aventura e radhës të ishte në Alpe në një tjetër mal po aq të njohur, Jezerca. Pikërisht “kërkesa për më shumë” shtyu te kjo sfidë tjetër, edhe pse, realisht as që ia kisha idenë se çfarë do më priste. Nga misioni për të ngjitur malin më të lartë, përfundova te ideja për të ngjitur majën më të rrezikshme në Shqipëri.
Jezerca dhe Korabi kanë një diferencë prej vetëm 70 metrash. Maja e gurtë e saj, e shenjuar nga një kryq, kap kuotën e 2694 metrave dhe është maja më e lartë e Alpeve. Duke pyetur për kuptimin e emrit, mësova se Jezerca s’ka të bëjë mirëfillti me fjalën serbokroatishte, që do të thotë “liqen/pellg”, por më së shumti me fjalën “jezer” që në gegënisht do të thotë mjergull. Pra ajo ishte “Maja e Mjergullt” dhe e tillë më rezultoi të ishte vërtetë.
U nisëm nga Tirana të shtunën në drekë dhe rreth darkës mbërritëm në fshatin Rrogam në Luginën e Valbonës. Ngjitja për në Jezercë do të niste pa aguar e diela, rreth orës 3:30 dhe ideja se do të shtegëtonim në errësirë më entuziazmoi së tepërmi.
Fillimisht më takon të them se mali është vend i përkryer për të zënë miq. Të tillë më rezultuan udhërrëfyesi ynë Sajmiri, Edmondi, Regipi, Albana, Andeli dhe i gjithë grupi. Edhe pse duhet ta them se si fillim udhëtimi nisi me një ndërgjegjësim të beftë, që unë isha ndër të vetmit me më pak përvojë në grup.
Pyetjes se në kisha ngjitur ndonjë mal më parë, iu përgjigja, por u përballa me një nënqeshje miqësore nga të gjithë dhe paralajmërimit se më priste një ngjitje rraskapitëse. Tek-tuk u zu të flitej për kthetra – këpucë me thumba të përshtatshme për ngjitje mbi borë – për litar e për kazma, këtu kuptova se atje lart mund të ndeshnim borë dhe një sprovë që mund të konsiderohej “alpinizëm”.
Edhe pse më ngjalli disi frikë, sprova më entuziazmoi dhe me atë entuziazëm e nisa marshimin mëngejsin e së dielës. Ishte fantastike të ecje në errësirën që qartësohej ngadalë-ngadalë nga lindja e diellit mbi Alpe. Pikërisht rrezet e diellit i jepnin ngjyra magjepsëse të gjitha majave përreth ndërsa pjerrtësia zinte menjëherë për lart. Lam pas pishat dhe pyllin e vogël buzë malit dhe pas 5 kilometrash bimësia e lartë nuk ishte më.
Ishte interesante, sepse përgjatë – më shumë se – treçerekun e ngjitjes ti s’mund ta shihje dot majën e Jezercës. Kjo gjë ndodhte pasi maja ishte e rrethuar me plot male të tjera, të cilat ta bënin të pamundur ta shihje direkt që nga shtegu i Rrogamit.
Duke u ngjitur, përtej një rrëpire bari – në rreth 1500 metra lartësi – panorama ndryshoi rrënjësisht. “Tash e tutje do kemi vetëm shëmb e vende-vende borë” – na tha udhërrëfyesi ynë, e në fakt u duk qartë, pasi sytë të shtangeshin nga grija shumllojshmërisht e pafund.

Në këtë pjesë të ngjitjes të kujtohej rëndomtë ndonjë orë mësimi nga lënda e gjeografisë. Ke parasysh ato akullnajat që s’shkrijnë kurrë e që të binte t’i mësoje në gjimnaz, ja, i kisha përballë. Në fakt kuptova që do më duhej të ecja edhe mbi to dhe prandaj duheshin “kthetrat, litari dhe kazmat”. Ishte tejet emocionuese të bëheshe rresht për një dhe të ecje pa vënë shumë peshë mbi ato akullnaja.
Në këtë pikë besoj mund të kishim qenë mbi 2000 metra lartësi. Deri në atë moment s’e kisha idenë mirë, por ishim mu në qendër të të ashtuquajturave “Bjeshk’t e Namuna”.
Më tej, krejt pa paralajmërim, më zuri rraskapitja. Ecja mbi borë, soditja e syve, mushkërive apo dhe e veshëve me atë qetësi s’kish më hiç vlerë. Kërkoja si e si të gjeja mundësi për të pushuar. Por ishte e rëndë pasi, siç thash fakti që majën e Jezercës, e shihje vetëm pas – më shumë se – treçerekut të udhëtimit, nuk të motivonte hic.
Kur ora e kishte kaluar drekën, erdhëm në pjesën që grupi e identifikonte me emrin “kavoja”. Ishte një masiv i madh shkëmbor që kishte një të çarë në mes ku qe vendosur një kavo çeliku për t’u ndihmuar në ngjitje. Një organizim i përpiktë i Sajmirit, Edmondit, Regipit dhe Andelit bëri që i gjithë grupi ta kalonte atë ngjitje pa problem. Që aty më pas na u shfaq në një cep, shumë lart, maja.
Një super-motivim, shfryu duf rraskapitjen dhe dhembjet e kyceve të këmbëve. Shprehja e Sajmirit që “s’është t’u t’ra më rruga këtej, por forca me vajt n’majë” u kthye në shtrëngim dhëmbësh në të gjitha gurët formë shkallare që kishte maja atje lart.
Ishin 200 metrat e fundit për t’u ngjitur, por panorama ishte marramendëse. Ngado që ktheje kokën shihje qiell dhe vetëm maja malesh. Krejt pa-frymë. S’dije cfarë të bëje. Të ecje kishe frikë se humbisje pamjen, të ndalje, kishe frikë se do vonoheshe.
Ju thashë që Jezerca nënkuptonte “Majën e Mjergullt”?! Ja që sapo mbërritëm majën, zuri fillë një mjergull hiçi. Një mjergull që solli dhe ca re, të cilat sikur u nxehën me ne për faktin se kishim ngjitur majën edhe na shfrynë shi.
S’patëm as kohë që të shkruanim qetësisht emrat në blloqet e guximtarëve. Dy-tri foto edhe me vrap për t’i ikur shiut. Ishte një zbritje fantastike pasi jo vetëm që shihje qiellin tek nxihej nga retë, por kuptoje vërtetë se ç’do të thotë mal.
Nuk e di, mbase nga lodhja – mbase nga mungesa e përvojës, ose mbase ngaqë një pjesë të rrugës e kishim bërë në terrin e mëngjesit të herët – por zbritja m’u duk me një rrugë më të gjatë se ngjitja. Ok! E pranoj isha i dërrmuar! Totali ishte rreth 15 orë ecje me diku te më shumë se 20 kilometra rrugë të përshkruar në një diznivel 1700 metra, por sfida u kalua, maja e Jezercës u shkel! Tani radhën e ka Korabi, edhe pse si rend duhej bërë ndryshe.
Një falenderim i veçantë shkon për Saimir Kalbajn dhe gjithë grupin.
Shume frymezues 🌞
Shumë faleminderit për komentin! 🙂
Frymëzimin më të madh ta jep natyra, të siguroj për këtë!