Vizitë në Theth në zemrën e Alpeve

Edicioni i dytë i “Zâ-Fest” më nxiti dëshirën për të vizituar Thethin. Kisha dëgjuar për këtë festival, por shumë më shumë për bukuritë e asaj zone të Alpeve, të cilën ende nuk e kisha parë.

Të gjitha ato që kisha dëgjuar, rezultuan më se të vërteta!

Si fillim duhet thënë se Thethi ndodhet në zemër të Alpeve dhe prej Luginës së Valbonës ndahet nga vetëm një masiv malor i lartë 1700-1800 metër (rreth 200 metra më i lartë se Dajti) që quhet Qafa e Valbonës. Kur munda të ngjis Jezercën munda të përshkroj vetëm një pjesë të shtegut – kalimit – Valbonë-Theth, një aventurë që nuk duhet humbur dhe duhet provuar me patjetër!

Nga Tirana, Thethi është 177 kilometra larg dhe mund të arrihet për rreth 4 orë e gjysmë – Tiranë-Shkodër-Koplik-Bogë-Theth. Pjesa e fundit e rrugëtimit me makinë, nga Qafa e Thorës deri në Parkun Kombëtar të Thethit, ishte dërrmuese. 17 kilometra rrugë e pa rregulluar, për të cilën duhej më tepër se 1 orë e gjysmë për ta përshkuar. Sidoqoftë kur mbërrije në Theth e harroje gjithë atë rrugë. Panorama mes maleve ishte hipnotizuese. Luginën e rrethojnë disa nga majat më të larta të Alpeve, si Jezerca (2,694 m) në veri-lindje, Maja e Kakisë (2,357m) dhe Maja e Boshit (2, 371m) në jug-lidnje, Biga e Gimajve (2,232m) në jug-perëndim dhe Maja e Radohimës në veri-perëndim (2,568m).

Për faktin se u nisëm të premten pasdite, nuk mundëm ta kapnim natën e parë të festivalit. Por kishim edhe të shtunën përpara.

Kështu dita e parë e fundjavës nisi me rreth 30 minuta lëvizje me makinë për në fshatin më jugor të Thethit, fshatin Ndërlysaj (8 km larg).

Lumi i Thethit – që më tej, për shkak se përshkon gjithë rrajonin dhe bashkohet me një lum tjetër, quhet lumi i Shalës – kishte formuar një kanion fantastik të quajtur Kanioni i Grunasit. Më tej, në fshatin Ndërlysaj këtij lumi i bashkohej edhe Lumi i Zi që vjen nga më tutje, në perëndim. Pikërisht duke ndjekur rrjedhën e këtij të fundit – për në Kaprrej – vizituam dy nga vendet më mahnitëse të Alpeve.

Vaskat Ndërlysaj dhe Pusin e Zi, apo siç njihet ndryshe Syrin e Kaltër të Thethit.

Aktiviteti gërryes i ujit dhe gurët gëlqeror kishin formuar një pamje të jashtëzakonshme dhe vende-vende formoheshin fiks vaska uji.

Me rreth 40 minuta ecje mes gjelbërimit pafund dhe nën zhurmën e rrjedhës së lumit mbërritëm te perla e Alpeve. Banorët e zonës e kishin sistemuar rrugën mirë dhe kishin vendosur me punime druri vende edhe për të pushuar, kjo që vizitorët ta shijonin sa më shumë atë ujëvarë të vogël të Lumit të Zi dhe syrin si pus që formonte fillë aty.

Kisha parë edhe Syrin e Kaltër në Sarandë, por këtë e ndjeva më shumë, mbase ngaqë për të vajtur deri aty, e sodita më shumë natyrën duke qenë se atje shkohet vetëm në këmbë.

Në vaskat Ndërlysaj mund të bëje edhe plazh, ndërsa aty rrotull kishe mundësi edhe të drekoje në restorante të zonës.

Pasi vizituam këto vende, në darkë shijuam natën e dytë të “Zâ-Fest”-it. Shijuam muzikën e dyshes Redi Hasa dhe Maria Mazzotta, interpretimet e Ema Andreas, këngët e Vlashentit dhe si qershija mbi torte Andrrën. kisha.jpgIshte atmosferë fantastike që nën yjet dhe kurorën e maleve të bënte të ndiheshe super.

Për mua, kënga e vërtetë ishte natyra! U përhumbën nga ora. Në fakt s’e kishim parë fare orën kur rreth orës 2 u gjendëm në bujtinë.

Të nesërmen, diela ishte sërish me vende të tjera fantastike.

E patëm parë vetëm në darkë, por në mëngjes e pamë më mire kishën e Thethit, aty ku 1 shekull më parë Atë Shtjefën Gjeçovi do të hapte të parën shkollë shqipe për zonën. 800 metra më tutje, vizituam “Kullën e Ngujimit”, të cilën trashëgimtari i familjes Koçeku preferoi ta quante “Kulla e Pajtimit” pasi funksioni kryesor i saj kishte qenë pikërisht zgjidhja e konflikteve të ndryshme. Ai na tregoi shumë për zonën, zakonet dhe sidomos për rendin e kaluar. Atë kohë aq të keqkuptuar sot që i di vetëm “gjakmarrjen”.Kulla e Ngujimit

Ishte interesante të hasje dëshmi të gurta dhe orale të atij rendi të cilin Atë Shtjefën Gjeçovi e pati arkivuar duke e përcjellë me shkrim rreth një shekull më parë… kanunin e Lekë Dukagjinit.

Vzhduam më tej…

Por ajo që ma rrëmbeu më tepër zemrën për natyrën fantastike, ishte ujëvara e Grunasit. E fshehur mes gjelbërimit buzë një shpati tejet tëthepisur, hidhte ujë me freski dhe bollëk një mrekulli e natyrës. Ishte mahnitëse, të shihje kaq shumë vende të bukura në aq pak distancë larg njëra-tjetrës.

Ika plot mbresa dhe i sigurt se këto që vizitova janë veçse një pjesë e Thethit, zemrës së Alpeve!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.