Këshilla! Si të shmangim dehidratimin në hiking

Kur merresh me bjeshktari (#hiking) një nga problemet më thelbësore, që mund të të ndikojë për keq gjithë shtegtimin, është dehidratimi*. Shpesh në disa nga shtegtimet e mia më ka ndodhur që jam kapluar nga momente këputjeje, dobësie, etjeje të madhe dhe e vetmja gjë që kërkoja ishte pushimi. Si fillim duhet pasur parasysh se kur je në grup, pushimin nuk mund ta diktojë vetëm njëri dhe kurrësesi nuk mund të bëhesh pengesë për ritmin e përgjithshëm të ecjes, për këtë ja katër-pesë këshilla për t’i pasur parasysh në mënyrë që simptomat e dehidratimit të të rrijnë larg:

Rikupero lëngjet e humbura: Kur jemi në gjum, zakonisht humbasim 500-600 gram nga pesha jonë, kjo për shkak të djersitjes dhe proceseve të tjera fiziologjike që ndodhin teksa trupi është në gjendje të fjetur. Kështu për të rikuperuar lëngjet dhe kripërat e humbura, përpara se të nisesh për në guidë mund të pish diçka më pak se një shishe të vogël ujë (rreth 0.3-0.4l) ose çaj të ftohtë.

Pi shpesh nga një gllënkë ujë: Sigurisht kur nisim aventurat tona, çdokush ka një konstrukt dhe sjellje të ndryshme fiziologjike, ashtu sikurse ka bjeshkëtarë (#hikers) që ecin për 2-3 orë pa pirë as dhe një gllënkë, ka dhe të tjerë që s’ia dalin dot pa mbushur as 60 minuta. Për këtë s’ka asgjë për t’u intimiduar dhe këshilla ideale është që të mos e rëndosh trupin me sasi të mëdha lëngjesh por të fiksosh intervale të shpeshta. 3-4 gllënka uji/lëng frutash çdo 20 minuta do të të mbajë të fortë deri në majë!

Uji i malit, të freskon dhe pihet: Shpesh ndodh që të të mbarojë uji. Njerëz jemi, nuk mund t’i llogarisim të gjitha! Por nëse shtegtimi është në ndonjë mal, e sigurt është se ndonjë burim uji do të të dalë përpara. Në të shumtat e rasteve burimet që janë të rrjedhshme dhe që dalin/kalojnë nëpër shkëmbinj, janë të pijshëm. Në këto burime mund të rimbushësh shishen dhe pse jo të freskohesh duke ulur ndjeshëm nivelin e djersitjes. Kujdes! Nëse uji nuk është i rrjedhshëm dhe në të ka gjallesa (psh:larva bretkosash) mos pi!

Ushqehu me ndonjë gjë të shpejtë: Karbohidratet janë çelësi kryesor për të furnizuar këmbët me energji dhe ritëm. Thuhet se çdo gram karbohidrate mund të stimulojë deri në 3 gramë lëngje në sistemin tretës dhe për rrjedhojë të nxisë hidratimin e trupit. Kështu e këshillueshme është që në çdo pushim që mund të bësh me grupin të konsumosh ndonjë gjë të shpejtë: fruta; biskota; çokollata apo ndonjë ushqim të lehtë. Shmang në mënyrë kategorike të ushqehesh rëndë në pushime, kjo pasi do të të bëjë dëm dhe do të të shkaktojë dhembje/sforcim të aparatit tretës ndërsa je në ecje!

Mos i neglizho shenjat: Dhembjet e kokës, marramendjet apo vështirësitë në të përqendruarit janë simptoma të dehidratimit. Ilaçi më i mirë është: pushimi, ushqimi dhe pirja e lëngjeve. Ndjesitë e ankthit, pulset e shpeshta apo edhe të dobëta të rrahjeve të zemrës mund të jenë gjithashtu shenja të dehidratimit. Po kështu edhe lëkura e thatë, dhe trashja e pështymës janë shenja që nuk duhen neglizhuar pasi nëse shoqërohen me të gjitha simptomat që thamë, tregojnë për dehidratim serioz. Nëse po vuan ndjesi të tilla teksa po shtegton me miqt e tu, dhe gjërat nuk po shkojnë drejt përmirësimit, mos vazhdo më tej! Ndalu! Pusho! Ndërprite udhëtimin! Në shtëpi/apo kamp mundohu të pushosh, konsumo një vakt të ngrohtë dhe përpiqu të rifitosh sa më shumë lëngje!

Asgjë nuk duhet të na i prishë humorin, dëshirën dhe ndjesitë që na ofron një shtegtim në natyrë, prandaj këshillat më lart janë për t’i paraprirë çdo lloj situate.


*Doktoriim.com//Dehidratimi është humbje e tepruar e lëngjeve të trupit. Trupi ka nevojë për një sasi të caktuar lëngjesh, për të ruajtur të gjitha sistemet fiziologjike të tij.

2 Comments

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.