“Fund marrëzisë!” ishte fushata nismëtare e pushtetit të Qeverisë “Rama 1” pesë vite më parë. Propaganda mëtoi t’iu ngjizë qytetarëve në mendje se Qeveria kishte si synim kryesor “shëndetin dhe largimin e popullit nga veset”. Ideja se po luftohej “bixhozi” krijoi simpati te qytetarët e thjeshtë, pavarësisht se përtej skenës, po luhej tjetër lojë. Por ky shkrim nuk ka si synim të diskutojë rreth politikës apo dhe rreth asaj fushate, më shumë se sa të tërheqë vëmendjen për atë çka po ndodh sot.
Muajt qershor-korrik të këtij viti kanë aktivitetin më të lartë të kompanive të basteve për shkak të edicionit të 21-të të botërorit. Pikërisht ky aktivitet ka nxitur të gjitha televizionet që të krijojnë/përshtasin emisione me vëmendjen te Rusi-2018. Por më shumë se sa vëmendja te futbolli në Rusi, vëmendja e televizioneve është te përthithja e sponsorizimeve, kjo sepse nuk ka asnjë lloj arsyeje tjetër se përse televizione si për shembull ABC-News – kanal krejtësisht informativ – të krijojnë nga hiçi emisione sportive.
Asgjë kundra sponsorizimeve, por në këtë kohë etika ka shkuar në plehra! Kompanitë e basteve, përveç reklamave, janë prezente edhe në studio. Prezantuesit/moderatorët ftojnë të ftuarit të vënë baste LIVE! dhe në asnjë moment nuk bëjnë thirrje apo lajmërim se bastet krijojnë varësi dhe nuk lejohen për të miturit*. Këtu nuk bën përjashtim as Radio-Televizioni Shqiptar, i cili, për më tepër, është edhe televizion publik.
Në kohën kur kompanitë e basteve janë shumfishuar edhe reklamimi nuk po ka kufij. “Superbast” quhet kompania që ka nxjerrë një reklamë ku dy të rinj që emërohen me nofka bullizmi “boli” dhe “qorri” vënë bast për vdekjen e një të moshuare! Vlera edukative e kësaj reklame është totalisht anti-vlerë për shoqërinë. Spoti në fjalë transmetohet pa problem në paketa digjitale apo në emisione ku sponsor është kjo kompani bastesh. Atë mund ta gjejmë edhe në “YouTube” dhe asgjë s’po thuhet për këtë!
Jashtë shtetit, bëri bujë dhe hapi mjaft debat spoti tejet diskriminues dhe pa-etikë i “Burger-King” që u ofronte në reklamat e saj shtetaseve ruse, shërbim falas nëse ato mbeteshin shtatzëna me ndonjë futbollist gjatë botërorit.
Autoriteti i Mediave Audiovizive por edhe Autoritet i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit duhet të lëvizin!**

Kështu, pesë vite pas “fund marrëzisë!” marrëzia vazhdon. Të bombarduar nga amplifikimi i studiove që reklamojnë koeficente dhe favoritë, fëmijë të shumtë shihen nëpër sallone bastesh, dhe me fatura nëpër duar!
Ku janë institucionet? Ku është AMA?! AMLF-ja?!
Fitofshi!
*Në pikën 1 të Nenit 6, Ligji nr.155/2015 “Për lojërat e fatit” thuhet se “organizatorit të lojërave të fatit i ndalohet të punësojë dhe të lejojë të futen apo të luajnë në mjediset e lojërave të fatit persona nën moshën 21 vjeç”.
**Në pikën “1.1” të Nenit 53, Ligji nr.155/2015 “Për lojërat e fatit” pjesa e “Kundravajtjeve administrative”, thuhet: Organizatori i lojërave të fatit dënohet me gjobë në masën 500 000 (pesëqind mijë) lekë, në rastet kur “ka të punësuar, të pranishëm në mjediset e lojërave të fatit ose lojtarë nën moshën e lejuar, sipas dispozitave të këtij ligji”.