E kanë quajtur “Tajlanda Shqiptare” apo dhe “Karaibet e Alpeve”, por Lumi i Shalës nuk mund t’i shpëtonte “duarve” të këqija.
Ndërtime pa leje, prerje pemësh, ndryshim të shtratit të lumit, beton dhe një projekt me 3 hidrocentrale që rri në sirtar.

Sezoni turistik në veri të Shqipërisë nisi këtë vit me një promovim të bujshëm të Lumit të Shalës nga organizata jofitimprurëse “Eko-Mëndje”.
Më 19-20 maj atje u mbajt një festë ku mbi 300 persona iu drejtuan të ashtuquajturit Blini-Park, vendosur buzë lumit në Shosh.
Pikërisht ky “Park” dhe një tjetër ca më tutje, janë ndërtime pa leje dhe madje te “Blini-Park” është ndërhyrë duke ndryshuar edhe rrjedhën e lumit.
Në një konsultim të thjeshtë në portalin “e-Planifikimi” të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) kuptohet qartë se gjithçka në atë zonë është jashtë çdo plani të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT).
Ngjyra jeshile në hartë është përcaktuar të jetë zonë natyrore, çka nënkupton zero ndërtim!

Dihet se në basenet ujore, si për shembull liqene, rezervuare, përroje apo dhe lumej, nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, kjo për shkaqe sigurie.
Ndërkohë duhet theksuar se objektet në Lumin e Shalës janë ndërtuar pas vitit 2016-të, çka vërtetohet nga pamjet satelitore të vetë hartës së AKPT-ës, e cila nuk i pikas gjëkundi.

Por ndërtimet atje nuk kanë mbaruar.
Nëse shohim vetëm pamjet në internet, kuptojmë se rrjedha e lumit është devijuar.
Në pamjet nga lart mund të vërehet qartësisht sipërfaqja “e përftuar” nga Blini-Park përmes devijimit të rrjedhës së lumit.
Me ç’është devijuar? Me mjete të vogla, si për shembull një eskavator “Mini JCB” që të gjithë 300 personat që u vendosën më 19-20 maj paten “shansin ta shohin të parkuar buzë lumit”.
Gjurmët e zinxhirëve të këtij eskavatori shihen qartë edhe në pamjet nga fotografitë sipër.
Duke hulumtuar nëpër internet ishte e trishtë të shihja një foto të shkrepur nga Petrit Ibrahimi vitin e kaluar.
Mbi lum, atje ku sot po ndërtoheshin me beton kabina pushimi, vjet kishin qenë kosheret e bletëve.



Por ironia është se ata që kanë zënë vend atje s’janë të vetmit me oreks.
Babëzia është edhe nga shteti që këtë lum “e ka shitur” prej kohësh.
Vitin e kaluar u miratua koncensioni për të ndërtuar në Lumin e Shalës tre hidrocentrale “dy me derivacion dhe një me digë nivel ngritës“.
Paradoksale po ta mendosh, në vend që ta mbrojnë, të organizojnë protesta dhe të sigurojnë një mënyrë shfrytëzimi ligjërisht “ok” dhe pa-ndikim ndaj zonës dhe lumit, shkojnë e bëjnë këtë që po i bëjnë natyrës atje… dhe jam i sigurt se kur të vijë koha e ndërtimit të HEC-eve, do të bëjnë thirrje për protesta dhe vetë s’do lëvizin as dhe një qime floku.
Deri atëherë, ata do të numërojnë paratë e paligjshme që po nxjerrin nga betoni buzë Shalës!
any new fall 2018 updates on the progress of Shala river hydro dams by 3powersla and Cinir-San?