Të darkosh në një vend me Kryeministrin

Ke parasysh, je me pushime verore, ke lëvizur lart e poshtë Rivierës dhe mbrëmja të ka zënë në Vlorë, ku do darkosh?! Kjo është pyetje që zor se ia di përgjigjjen nëse nuk ke ndonjë të njohur të zonës dhe je ca problematik kur vjen puna për t’u ushqyer. Të gjendur në një situatë të tillë një shoqja jonë na rekomandoi një restorant diku në fund të Lungomares. Për arsye etike, nuk po ia përmend emrin…

Pasi bëmë shëtitjen nga fillimi e deri në fund të Lungomares – një taksist, një ditë më parë na pati thënë se shëtitje bulevardit bëjnë vetëm ish-vendet komuniste, gjë krejt interesante me të cilën u pajtova me të kur e kreva shëtitjen – u gjendëm përpara këtij restorantit. Asgjë e zakontë. Njerëz që hynin, njerëz që dilnin. S’u menduam dy herë. Hymë. Por që në hyrje ndjemë një atmosferë sikleti. Pse?!

Të gjithë kamarierët ishin në këmbë. Në të njëjtin ambient po darkonte Kryeministri. Një nga kamarierët na adresoi fillë për të zënë vend diku në cep afër tavolinës së tij.

Kur u ulëm, vura re që jashtë, në rrugë, një grup fëmijësh nuk largoheshin që aty. Qëndronin duke parë Kryeministrin. Me gjasa ai ishte njeriu i parë i rëndësishëm, të cilin deri përpara atyre çasteve e shihnin vetëm në televizor. M’u kujtua dhe mua, hera ime e parë kur pashë në bulevard Presidentin. Ishte Meidani, viti 1999. Ishte çast fëmijëror, por i paharrueshëm.

Kryeministri ishte i shoqëruar me të shoqen. Për rreth kishte miq dhe disa të huaj. Atmosfera ishte me një përpjekje për t’u mbajtur në gjendjen “normale” edhe pse nuk është dhe aq normale që Kryeministri të darkojë në restorantin tënd, apo dhe ti si individ të gjendesh në të njëjtin ambient çlodhës me këtë personalitet.

Më bëri përshtypje sepse, të gjithë “shtireshin”, apo bënin sikur nuk e shihnin Kryeministrin aty dhe përpiqeshin të silleshin si “normalja”. Ne s’u orvatëm të bëjmë foto, pasi krahas tavolinës sonë, qenë vendosur edhe dy – të vetmit që dukeshin – truprojat personale të Kryeministrit. Sikur ndodh rëndomtë, portalet janë ato që ushqehen më së shumti me foto të drekave apo darkave të politikanëve, dhe duke pasur këtë gjë parasysh, nuk kërkuam telashe.

Teksa darkoja me shoqen time, përpiqesha të mos thyeja rregullin e heshtur që mos të ktheja kokën prapa. Njëjtë bënte edhe tavolina përballë. Njëri nga ata të tavolinës së Kryeministrit u ngrit. Iu afrua njërit prej kamarierëve dhe kërkoi në gjuhë të huaj – anglisht – se ku ndodhej tualeti. Ky nuk dinte anglisht dhe kërkoi ndihmë nga kamarieri tjetër.

Nga ajo tavolinë aq e rëndë për nga prezenca, nuk dëgjohej asnjë nga bisedat që zhvilloheshin aty, edhe pse shpesh, sinqerisht përpiqesha të pikasja ndonjë fjalë. Ndërkohë pjatat kalonin para nesh, një e nga një.

“Si është me oreks Kryeministri?” pyeta me ironi dhe me gaz veten. Të njëjtën pyetje mund të keni dhe ju, përgjigjja që mund t’ju jap është se atë mbrëmje u konsumuan arragosta, fruta deti “fritto” plot pije të ndryshme dhe si pjatë e fundit, një miks frutash.

Në kulmin e një debati “turistik” për omletën e shtrenjtë, apo çmimet stratosferike te ky restoranti buzë Lungomares mund t’ju them se çmimet nuk ishin dhe aq ndryshe nga ato restorantet e zonës së qendrës në Tiranë. Asgjë më shumë. Një darkë për 2 persona tre mijë lekë.

Kur u çuam. Kryem punë me pagesën. Thjesht një shikim drejt Kryeministrit dhe kaluam përtej në turmën e njerëzve të shëtitores. Kaluam edhe fëmijët që mbeteshin aty.

Ajo që më bëri përshtypje ishte niveli tejet i ulët i prezencës së policisë. Jo se dua të them se protokolli kryeministror s’ishte i duhuri. Por nuk kishte asnjë postobllok, asnjë polic qarkullimi që tjetërsonte, apo kufizonte trafikun e makinave. Nuk kishte asnjë prezencë polici të rendit, ndërsa në hyrje të restorantit ishte vetëm një punonjës i sigurisë së Krysiministrit.

Ka shumë legjenda për punën e ruajtjes së zyrtarëve të lartë – nga kalecat e deri te agjentët e shumëfishtë me snajperë – unë di të them se e vetmja prezencë e rëndë – jo prej personit që është por për nga pozita që përfaqëson – ishte Kryeministri.

Edhe mbrëmjen tjetër, vajtëm sërish aty. Kryeministri s’ishte, kamarierët ishin sërish në këmbë. Shërbimi po i njëjti. Çmimet po të njëjtat. Si duket prezenca e Kryeministrit kishte sjellë siklet apo ndjesi “anormaleje” vetëm te klijentët dhe në asnjë prej stafit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.