Dikur te Selvia në Tiranë kanë qenë nja 4-5 qofte mu në kryqëzim. Tymi dhe shamata e çdo kafshate qoftesh dhe e çdo gllënke birre atje ishte praktikisht pasqyra e të bërit biznes në Shqipëri. Shifte tjetri-tjetrin dhe vetëm se atij po i ecte mirë, shkonte dhe ia hapte ngjitur të njëjtin lloj biznesi…
Kështu për vetëm dhjetë pijetarë dhe fiksimaxhinj qoftesh, “Selvia” kishte futur në konkurrencë katër skajet e trotuareve të kryqëzimit, që lëshonin tym dhe piper për çdo qofte të pjekur. Fatkeqësisht me kalimin e kohës, pijetarët zunë vend në një lagje tjetër – Rruga e Kavajës – dhe biznesmenët e qoftes te Selvia ngelën me gisht në gojë. Dalë ngadalë u shpërngulën që aty, ose e kthyen biznesin te trendi i ri, sallon bastesh, ose lojrash fati.
Pikërisht kjo periudhë – e rreth dhjetë viteve më parë – mu kujtua kur po kthehesha nga një udhëtim në Alpe. Ç’ne mu kujtua kjo gjë?! Rrugës teksa po kthehesha me disa miq, në aksin rrugor Fushë-Krujë-Kamëz, na bëri përshtypje fakti se pjesa dërrmuese e bizneseve atje ishin mobilieri. Sa në njërin cep, në tjetrin. Ngjitur e ngjitur. Madje edhe në një godinë. Sallone pafund, me emra nga më të ndryshmit.
Mobilieri Abaz Ulliri… Afrimi, Afmeti, Albeni, Alberti, Albori, Andi, Arali, Arbi… S’po tallem! Disa nga emrat ua mbajta shënim. Janë vërtetë emra sallonesh mobilierie dhe të gjitha e kishin të shkruar gabim… “Mobileri”…
“Mobileri” Bajram Luka… Ballkani, Bariu, Besi, Biondri, Bruno, Caca, Cani, Dashi, Doku, Donat, Edi, Edisoni, Emiljano, Endri, Enis, Epika, Eri, Geri, Gerti, Globi, Golden, Halili, Ideari, Ilgari, Joti, Juli, Keli, Kena, Klajdi, Koçi, Koli, Kristi, Kurti, Leo, Luxi, Pllumi, Reli, Rraja, Rudi, Sajmiri, Sela, Selmani, Sinani, Topalli, Tosi, Valteri apo Vath-Xheka.
More po kishte popullore, italiane, madje edhe turke. Kur u ktheva në shtëpi, nga kurioziteti, renda t’i shoh edhe njëherë me “Google-Street”. Njëri ndërkohë quhej edhe “Mobileri Inter”… teksa e pashë i thashë një shokut tim, tifoz të Milanit, “do t’i pranoje dhuratë ca mobilie shtëpie të porositura te kjo mobilieria?!”.
Nga fshati Arrameras i Fushë-Krujës, ku dikur bënin hije drurët e rrapit, e deri në Kamëz – gjithsej rreth 10 km – numëruam 88 mobilieri. Për ta kuptuar kontrastin me llojet e tjera të biznesit, pamë vetëm 13 lavazhe dhe 15 karburante apo pika servisi.
S’kam asgjë kundra kësaj zone – jam i sigurt se pjesa më e madhe e banorëve janë tepër punëtorë, pasi shumica e bizneseve ishin me investime të mëdha – por teksa i shihja më vinte ndërmend koha e qofteve te Selvia dhe ajo puna e të prishurit punë njëri-tjetrit duke ia hapur të njëjtin lloj biznesi ngjitur.
Pyes veten çfarë potenciali do të ishte nëse të 88-ta këto biznese të së njëjtës zonë do të ishin nën të njëjtën markë, apo kompani… Eh çfarë “IKEA” fantastike do të ishte! Por sikurse thashë në fillim… kam përshtypjen se ky mikrobi i “qofteve” bën shumë tym dhe s’i lë idetë e mëdha të zhvillohen!