Këshilla për hiking! Ç’të bësh kur ke humbur?

Një nga shqetësimet më kryesore për fillestarët e shtegtimeve (#hiking) – madje edhe për prindërit – është rreziku se mos duke u endur nëpër natyrë të mund të humbasësh. Zakonisht shtigjet qëllojnë të jenë në zona pa mbulim valësh dhe për rrjedhojë celularët janë jashtë funksioni. Kjo ndodh më së shumti në lartësitë e mëdha. Në të tilla rrethana dita të kalon shumë më shpejt se sa e mendon. Frika nga errësira në një ndjesi humbjeje është makthi i maktheve për cilindo që është fillestar në shtegtime dhe shumfish makth për prindërit që nëse e marrin vesht këtë gjë u bëhet gjaku ujë.

Personalisht më ka qëlluar dy herë të humbas rrugën dhe një herë tjetër të më zërë nata teksa shtegtonim po të humbur. Fillimisht na ndodhi kur po ngjisnim malin e Gamtit – jo nga pjesa e shkëmbinjve, por nga shtegu i gjatë që kalon te labirinthi i shkurreve dhe tre qafat e malit. Në fillim më zuri frika. Por prej faktit se isha me një grup të madh miqsh dhe shtegtarësh, u qetësova fillë. Humbja u kthye në qejf – ndonjëherë edhe ke qejf të humbësh! – dhe nuk zgjati më shumë se çerek ore.

Hera tjetër na ndodhi në kthim nga Bukaniku. Ngatërruam shteg dhe i ramë aq gjatë, saqë nata na i mpiu sytë dhe kur pas nja dy orësh ecje – përtej programit – kur dolëm në rrugë, ishte sikurse çantat të mos na peshonin më, aq ndjesi gëzimi pata.

E di… duket ca si fëmijërore… por të tilla ndjesi t’i ngjall natyra, pasi përballë saj gjithmonë ndihesh i vogël.

Por çfarë duhet të kemi parasysh në rast se humbasim? Ja disa gjëra që duhet t’i mbash mend:

Fillimisht më kryesorja e kryesoreve, mos merr përsipër udhëtime vetëm! Minimalisht duhet të jesh me një ose dy persona të tjerë. Pavarësisht mendimeve të ndryshme, shprehjen “delen që del nga tufa e ha ujku” e gjej fiks me vend në këtë pikë.*

Më tej kujdesu që në çantën tënde të kesh me vete, një elektrik dore, një paketë të ndihmës së shpejtë, një bateri – power-bank – për karikim celulari dhe medoemos edhe një bilbil. Në rast se humbet dhe situata ka kaluar në serioze – më shumë se 12 orë i humbur – elektriku do të të ndriçojë rrugën, paketa e ndihmës së shpejtë do të të jetë për ndihmë nëse je lënduar, bateria do të ta rikarikojë celularin dhe bilbili do të të shërbejë për sinjalizues nëse janë duke të të kërkuar.

Nëse je përpjekur prej kohësh të gjesh një shteg dhe ndjesia e të humburit nuk të ka ikur, ulu diku dhe pusho. Pi pak ujë. Përpiqu të qetësohesh. Armiku kryesor në këto raste është paniku!

Teksa përpiqesh të qetësohesh, mundohu të kalosh nëpër mend se nga erdhe, si ishte rruga kur ti kalove dhe kush ishte ndonjë shenjë identifikuese e shtegut. Në këtë mënyrë mundesh që të paktën të gjesh shtegun e kthimit.

Mos harro! Përpara se të lëvizësh sinjalizo – duke vënë tre-katër gurë pirg, së bashku – vendin ku je aktualisht, apo se nga kalon. Në këtë mënyrë do e kuptosh nëse je duke u kthyer në të njëjtin vend ose je duke përparuar. Shenjat do të të duhen për t’u kthyer aty ku ishe, nëse shtegu që ke marrë përsipër ta provosh nuk të çon gjëkundi.

Nëse është ende ditë, mundesh të dallosh dy drejtime lindje-perëndim dhe jug-veri vetëm prej pozicionit të diellit. Nëse është natë dhe përfundimisht ke humbur, bën mirë të mos endesh së tepërmi me grupin, por të vendoseni diku për kamping.

Se harrova… gjatë këtyre situatave kontrollo shpesh për valë. Ka raste ku tek-tuk mund edhe që të ketë sinjal, kështuqë nëse keni humbur, celulari është si të thuash miku më i mirë. Pasi me sistemin e “gps” mund të lokalizoni menjëherë vendndodhjen tuaj të saktë e për rrjedhojë të gjeni edhe nga të shkoni.

Aventura janë edhe këto raste dhe jua siguroj që janë pjesët që mbahen mend më së shumti nga shtegtimet, kështuqë mos u dekurajoni!


*Më kujtohen nja dy filma “Into the Wild (2007)” dhe “127 Hours (2010)” ku përjetohen situata tejet të vështira gjatë shtegtimeve vetëm. Nëse s’i keni parë, jua sugjeroj!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.