Të darkosh në një vend me ish-kryeministrin

Shumëkujt prej nesh, qytetarëve të rëndomtë të këtij qyteti, nuk na ndodh shpesh të ndeshemi me njerëz të rëndësishëm, apo me personalitete të njohura. Fjala vjen, je me miqtë e tu në një restorant periferik të Tiranës dhe befas në sfond ai që hap derën është një ish-Kryeministër.

Shtatshkurtër. E njëjta fizionomi e fillim-viteve 2000, por ca më i vjetëruar në fytyrë, ca më i thinjur në flokë… Fatos Nano është ai që shoqëron me xhentilesë bashkëshorten. Darkë çift. Ulen në një tryezë anës murit. Aspak siklet nga rrethimi nga njerëz të rëndomtë a thua se i rëndomtë është tashmë edhe ai… Por a mundet të jetë e vërtetë? A mundet që një ish-Kryeministër si ai të jetë kthyer vërtetë në një “të rëndomtë”? A ekziston vërtetë një metamorfozë e tillë për politikanët?!

Jashtë një makinë me po atë targë simbol… “007”-ta e tij… që të bënte të mendoje se s’ka asgjë të rëndomtë këtu, Nano mbetet Nano. Megjithatë…

Një shishe verë e kuqe. Sallatë… më duket edhe rizoto. Një tavolinë e thjeshtë në dukje, por e pasur me prezencë. Kaq për detaje nga tavolina përtej, ndërkohë në tavolinën tonë debati që nisi ishte ai i ne të rinjve të rëndomtë të këtij vendi. “Çfarë do të bëjmë për të ardhmen?! A do të bëhet ky vend apo jo?! A ja vlen të rrimë këtu, apo të ikim edhe ne jashtë shtetit?!”

E ndërsa dyzimet dhe argumentat mes nesh thyheshin dhe forcoheshin me shembuj dhe kundërshembuj nga njëri-tjetri, ajo që më trazonte teksa shihja përtej tavolinën tjetër ishte: “Po ish-Kryeministrin a e trazon ndopak kjo temë? Çfarë do të mendonte ai për këtë pjesë? Çfarë do të na këshillonte ai ne pesë të shkolluarve, pesë të rinjve në mes të të njëzetave, të cilët njëjtë sikurse moshatarët tanë, po thyhemi nga mungesa e shpresës dhe meritokracisë që po dominon këtë vend.

Isha i vogël kur pashë Nanon për herë të parë. Mbaj mend ishte një aktivitet te Piramida, mos gaboj te Këmbana e Paqes. Aktivitet për fëmijë. Ishte koha e bujshme e “Muçi-Naçi-Baçi”-it dhe konflikteve të njohura politike brenda Partisë.

E kush mund ta mendonte atëherë. 15 vite më vonë. Edhe pse vetëm 66-vjeçar… ja tashmë datkat Nanon e zënë jashtë politikës, jashtë vëmendjes mediatike, apo trysnisë gazetareske. Ndërkohë pyetja që bëjm ne mes miqsh, mbetey “ku do të na zënë ne darkat pas 15 vitesh”… në Tiranë, Munich, Amsterdam…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.