Alpet e Shqipërisë janë një ndër destinacionet më të preferuara turistike në Shqipëri, por edhe pse ky rajon ka tashmë një plan kombëtar sektorial zhvillimi (2017-2030 në pritje për t’u miratuar), nuk ka ende një mekanizëm të qartë se si nxirren të dhënat në lidhje me numrin e vizitorëve.
Shifrat që referojnë institucionet janë të luhatshme vit pas viti dhe për rrjedhojë shihen me sy skeptik, çka mund të vërë në diskutim edhe vetë planin afatgjatë të zhvillimit për këtë zonë dhe më tej edhe për të gjithë vendin.
Si fillim duhet thënë se parku i Alpeve është më i madhi në vend. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 2 000 km² dhe përmban në të dy parqe kombëtare (Lugina e Valbonës; Parku i Thethit) dy parqe natyrore rajonale (Nikaj-Mërtur; Shkrel) dhe një rezervat strikt natyror (Lugina e lumit të Gashit). Ka gjithsej 33 liqene akullnajore, dhe më tepër se 8 lumenj kryesorë (Lumi i Valbonës, Lumi i Shalës, Lumi i Tropojës, Lumi i Gashit, “Përroi i Thatë”, Lumi i Cemit, Lumi i Vermoshit, Lumi i Kirit). Eshtë kontrasti i jashtëzakonshëm i relievit dhe pikërisht natyra tejet e larmishmeqëi tërheq më së shumti vizitorët në këto anë. Por sa është numri i tyre?
Sipas Drejtorisë së qarkut Kukës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), numri i vizitorëve në Alpe për këtë vit ka qenë rreth 120 mijë persona. Ishte Besnik Hallaçi, drejtues i kësaj drejtorie, që e përmendi këtë shifër gjatë një prezantimi të Parkut të Valbonës në muajin gusht. Ai qe i ftuar si ekspert në shkollën verore të organizuar nga GIZ (1-8 gusht, Valbonë) për raportimin e çështjeve që kanë të bëjnë me mjedisin.
I pyetur se në çfarë mënyre ishte përftuar kjo shifër, Drejtori i AKZM-ës për Kukësin tha se qe përdorur një teknikë e veçantë, të cilën ai nuk e specifikoi konkretisht. Në vitin 2016-të në këtë rajon numri i vizitorëve qe raportuar se kishte qenë 67 mijë. Pra sipas AKZM numri i vizitorëve është dyfishuar për vetëm dy vite, gjithmonë nëse edhe shifrat e dy viteve të mëparshme kanë qenë të sakta…
Duke folur më tej në prezantimin e tij dhe ballafaqimin me studentët e shkollës verore, Besnik Hallaçi përmendi si metodologji informacionin e përcjellë nga infopoint-et, kapacitetet akomoduese dhe pikat doganore.
Në këtë pjesë shifrat e tij u vunë edhe më tej në diskutim pasi aktualisht në Luginën e Valbonës infopoint-i nuk është në punë. Nga parqet në Alpe, një strukturë e tillë funksionon vetëm në Theth. Kjo zonë e gjerë ende operon si park i hapur, që do të thotë se, për të hyrë në të, në asnjë sit të saj turistik, nuk ka tra, apo sistem pagese.
Pjesa më e madhe e bujtinave, përgjithësisht nuk mbajnë regjistra për vizitorët dhe disa prej tyre funksionojnë në mënyrë gjysmë-formale. Ndërkohë, jo të gjithë vizitorët udhëtojnë për në Alpe duke kaluar në pikat doganore. Shtetasit shqiptarë shpesh i vizitojnë parqe të Alpeve edhe pa kaluar pikat-doganore. Kështu duke pasur parasysh këto detaje mund të themi se metodologjia e përllogaritjes së shifrave është tejet e diskutueshme.
Por pse kanë rëndësi shifrat?
Parku i Alpeve ka brenda tij territore nga 4 bashki dhe përfshin në të 12 zona administrative vendore (Bajram Curri; Bujan; Kelmend; Lekbibaj; Margegaj; Pult; Shalë; Shkrel; Shllak; Shosh; Temal; Tropojë).
Shpesh të cilësuara si disa nga zonat më të varfëra të Shqipërisë – sidomos zonat e izoluara gjeografike – popullsia e këtyre njësive administrative sipas “censusit” të vitit 2011 ka qenë 28 mijë banorë. Ka qenë sepse situata ka ndryshuar.
Njësitë administrative | Popullësia (banorë) | Sipërfaqe (km²) | Densiteti Censius 2011 (banorë/km²) |
Bajram Curri | 5340 | 3 | 1 749 |
Bujan | 2550 | 110 | 23 |
Kelmend | 3056 | 376 | 8 |
Lekbibaj | 1207 | 175 | 7 |
Margegaj | 2346 | 259 | 9 |
Pult | 1529 | 132 | 12 |
Shalë | 1804 | 219 | 8 |
Shkrel | 3520 | 262 | 13 |
Shllak | 671 | 63 | 11 |
Shosh | 304 | 65 | 5 |
Temal | 1562 | 113 | 14 |
Tropojë | 4117 | 205 | 20 |
Totali | 28006 | 2003 |
Vazhdimisht “mungesa e fondeve” ka qenë justifikimi për autoritetet qëndrore dhe vendore për mungesën e investimeve dhe shërbimit të qytetarëve të këtyre zonave. Kushtet e vështira të jetesës ishin faktorët kyç që detyruan pjesën më të madhe të banorëve të shpërnguleshin, në fillim-vitet ’90, ‘2000 e më tej.
Por pavarësisht se nuk kanë patur përkrahjen e institucioneve, banorët ekzistues të Alpeve kanë mundur ta zhvillojnë vetë njfarë infrastrukture të turizmit duke investuar në banesat e tyre dhe duke i hapur shtëpitë për vizitorët. Ky ishte fillimi…
Në 10 vitet e fundit kjo frymë ka bërë që shumë familje t’i rikthehen këtyre zonave për të bërë të njëjtën gjë sikurse patriotët apo bashkë-fshatarët e tyre. Shumë shtëpi të vjetra u rindërtuan si bujtina, ndërsa shumë të tjera të reja zunë vend krah tyre duke u kthyer në hotele.
Situata aktuale tashmë është ndryshe. Në Alpe tashmë është tejkaluar koha e mungesës së shërbimeve ndaj turistëve. Tashmë ka plot mundësi akomodimi.
72 bujtina janë sot vetëm në Theth me afërsisht 1000 shtretër. Kjo gjë ka bërë që, sipas institucioneve, numri mesatar ditor i vizitorëve të arrijë në 300-500 njerëz dhe gjatë fundjavave korrik-gusht, Thethi të presë edhe 1000 vizitorë në ditë (burimi AdZM Shkodër 2017; Gazeta Vija Nr.13, Botim i organizatës GO2).
Pikërisht duke hulumtuar në terren zhvillimin e zonave dhe duke studjuar ndryshimet që ndodhin herë pas here në to, arrihet në të dhëna që më pas mundet të jenë bazë për politikat zhvilluese. Diçka të tillë kreu Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke hartuar Planin Kombëtar Sektorial të Alpeve (2017-2031).
Në këtë plan sektorial Fondi ka mundur të përllogarisë edhe “nivelin optimal të akomodimit” duke shpërndarë pak-a-shumë edhe fluksin e turistëve në 22 lokalitete. Kështu në parkun më të madh të vendit, këto 22 destinacione do të kenë afërsisht 10550-11650 shtretër.
Tabela 1 – Burimi: Gazeta Vija referuar Planit Sektorial të Zhvillimit, Nr.12, Botim i organizatës GO2.
Lokalitetet | Niveli optimal i akomodimit |
Theth | 1500-1550 |
Valbonë | 1600-1650 |
Vukël-Nikç | 500-550 |
Çerem | 150-200 |
Rragam | 150-200 |
Sulbicë | 150-200 |
Grykëderdhja e Shalës | 200-250 |
Dushaj | 100-150 |
Lekbibaj | 250-300 |
Curraj i Epërm | 250-300 |
Tropojë e Vjetër | 650-700 |
Lepushë | 550-600 |
Reç | 200-250 |
Bogë | 450-500 |
Lugina e Kirit | 150-200 |
Ndërlysaj | 150-200 |
Koman | 200-250 |
Koplik i Sipërm | 600-650 |
Bajram Curri | 500-550 |
Vermosh | 950-1000 |
Tamarë-Selcë | 600-650 |
Razëm | 700-750 |
TOTALI I ALPEVE | 10550-11650 |
Ja se përse kanë rëndësi shifrat, ato mundësojnë kuptimin e trendit të zhvillimit të një zone apo vendi të caktuar, dhe falë tyre duke u bazuar në to si të dhëna, mundet që të parashikohet më pas politika e duhur që mund ta drejtojë këtë zhvillim në drejtimin e duhur, drejtim i cili mundet të përkthehet në prosperitet për të gjithë.
Vizitorët, banorët dhe sidomos biznesmenët që kanë investuar në Alpe, duhet ta kuptojnë se nëse të dhënat që ata përcjellin janë të sakta, edhe zhvillimi që ata presin do të jetë gjithashtu “i saktë” për ta.
Por si mund të përftohen të dhëna të sakta për turizmin?
Të dhënat në ekonomi përgjithësisht përftohen falë kontrolleve që autoritetet fiskale kryejnë në terren, studimeve dhe sidomos nga bashkëpunimi me bizneset.
Pikërisht “bashkëpunimi” ka qenë i vështirë për zonën e Alpeve, pasi qytetarët që kanë zhvilluar turizmin atje kanë qenë të vetëm në iniciativat e tyre dhe sot ndihen të cunguar kur Shteti u aplikon taksa dhe shpesh i gjobit për kundravajtje fiskale.
Bizneset familjare të zonës së Alpeve janë ngritur kryesisht duke u përballur – në mos me problemet ekonomike – me probleme të infrastrukturës, probleme të pronësisë por edhe të zhvillimit (për një kohë të gjatë ka pasur mungesë të planeve rregulluese nga autoritetet lokale). Zona të thella ende sot janë pa rrugë, pa ujë të pijshëm, pa furnizim të rregullt me energji elektrike dhe pa mbulim me valë të komunikacionit.
Megjithatë bujtina të ndryshme kanë mundur të tërheqin vizitorë falë zotimit të vetë banorëve për t’i përballuar të gjitha këto mangësi me investime personale. Sistemim rruge. Shtrim tubacioni uji. Gjeneratorë. Lidhje me internet satelitor.
Të gjitha janë kosto, por s’janë marrë ndonjëherë parasysh nga politikat fiskale që zbatohen duke mos-favorizuar aspak formalizimin e bizneseve në zonë, por përkundrazi aktivitetin informal. Një aktivitet informal, s’i raporton asnjë instance, përkundrazi i shmang ato.
Prandaj nëse presim të dhëna të sakta për turizmin, në mënyrë që të ideohet më pas një plan-zhvillues i saktë, mund të themi se më parë duhet të presim formalizimin e bizneseve që veprojnë në këtë sektor dhe sidomos në zona me vështirësi ekonomike sikurse Alpet, që duhet të jenë me prioritet për pushtetet lokale dhe qëndrore.
Si mund të formalizohen bizneset në Alpe?
Ka shumë mënyra. Si fillim duhet që të nxitet fryma e duhur që e nxit këtë proces.
Një frymë e tillë konsiderohet aplikimi i një pakete taksash “miqësore” përmes një politike të butë fiskale. Formalizimi i bizneseve më së shumti familjare mund të vijë vetëm kur ky lloj biznesi të favorizohet kundrejt bizneseve të mëdha që shfaqen në të njëjtin sektor, në rastin konkret po flasim për turizmin dhe veçanërisht Alpet.
Aktualisht Qeveritë e ndryshme kanë treguar se në sektorin e turizmit po favorizojnë më shumë investimet e mëdha, duke krijuar nisma ligjore që i përjashtojnë nga taksat për vite të tëra. Ndërtimi i hoteleve me “5 yje” tashmë po konsiderohen “investime strategjike”. Atyre po u mundësohet përjashtim nga taksat dhe shërbim i të gjithë infrastrukturës nga ana e shtetit, ndërkohë për bizneset familjare, sidomos të Alpeve, sikurse e thamë më lart, s’ka ndodhur dhe s’po ndodh aspak kështu.
Pse mos të jenë të gjithë Alpet zonë e taksës zero? (Sigurisht duke ndaluar më parë investimet dhe ndërtimet e mëdha, tipit resorte, apo hotele shumëkatëshe që nxisin më së shumti turizmin aspak autentik dhe në vetëm një zonë se sa zhvillimin e gjithanshëm të krejt rajonit).
Bizneset në Alpe mund të formalizohen fare lehtë duke u zgjidhur fillimisht problemi i pronësisë. Në këtë rajon, pjesa më e madhe e banorëve nuk kanë çertifikata të pronësisë dhe kjo ia bën atyre të pamundur shfrytëzimin e kapitalit si agregat për të përfituar kredi, kjo në mënyrë që të zgjerojnë investimin e tyre. Nga ana tjetër procesi i legalizimit nuk ka ecur sipas pritshmërive fillestare. Kjo zonë nuk ka patur aspak prioritet sikurse, fjala vjen, në zona informale në qytete.
Po kështu formalizimi mund të arrihet falë aplikimit të subvencioneve. Për shembull ata që kanë investuar në shtëpitë e tyre, shteti mund t’iu subvencionojë koston e rindërtimit. Subvencionimi i shtretërve si njësi akomoduese është gjithashtu një mënyrë e mirë që mund t’i shtyjë pronarët e bujtinave të mbajnë rregjistra dhe të raportojnë çdo vizitor që pushon në ambientin e tij.
Nëse këto çështje zgjidhen ose së paku merren në konsideratë dhe aplikohen për t’u zgjidhur, atëherë në Alpe mund të mbizotërojë klima e duhur për të bërë biznes dhe në këtë mënyrë mundet të përftohen edhe të dhëna më të sakta, edhe plane-zhvillimi më të drejta e optimale për zonën.
Vetëm kështu më pas do të mund të kemi të dhëna të sakta edhe për vizitorët… vetë “bizneset” mund t’i numërojnë dhe raportojnë vizitorët në ambientet e tyre.
One Comment