Rrëqebulli specia legjendare e pyjeve të Ballkanit

Në Shqipëri jetojnë sot mbi 55 mijë kafshë të egra, por nga ky numër rezulton i inventarizuar vetëm 1 rrëqebull. Klasifikuar në rrezik për zhdukje, rrëqebulli përbën  sot vetëm 0.002 përqind të të gjithë kafshëve që janë mundur të inventarizohen në territorin shqiptar. Të dhënat vijnë nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, por mjedisorët besojnë se numri i këtij lloji autokton për rajonin e Ballkanit mund të jetë nga 10 deri në 20 individë në vendin tonë. Megjithatë gjuetia pa fre, shpyllëzimi masiv dhe mungesa e një drejtimi afatgjatë politik kundrejt çështjeve mjedisore e bëjnë klimën pesimiste për rastin e rrëqebullit.

This slideshow requires JavaScript.

I vetëm rrëqebull i inventarizuar rezulton të jetë një individ në Parkun rajonal Nikaj-Mërtur në Tropojë, fotografuar me “kamera-kurth” fillimisht në prill 2016 dhe sërish në nëntor 2017 nga shoqata PPNEA (Shoqata për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri). PPNEA, së bashku me shoqata të tjera të ngjashme në Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, prej më shumë se 10 vitesh koordinon programin e rimëkëmbjes së rrëqebullit për vendin tonë. Vitin e fundit ajo ka mundur të vendosë një “kuti-kurth” për të kapur një rrëqebull në mënyrë që ta pajisë atë me gjurmues-satelitor, çka do ta ndihmonte grupin e studiuesve për ta kuptuar më mirë shtrirjen territoriale të rrëqebullit në Shqipëri.

rreqebulli
PPNEA//Foto e kapur nga kamera kurth më 26 mars 2016.

Për herë të parë PPNEA fotografoi një rrëqebull me “kamera-kurth” në vitin 2011. Fotoja u fiksua në Malin e Munellës në kufirin mes Pukës dhe Mirditës. Pikërisht në këtë zonë mendohet se jetojnë rreth 4-6 individë.

Harta e shtrirjes se rreqebullit ne Ballkan
EuroNatur Foundation//Mendohet se individë që gjenden në parkun e Mavrovës në Maqedoni, kanë klonizuar territore të tjera, si për shembull pjesët veriore të Shqipërisë.

Në Munellë, në vitin 2015 PPNEA bëri me dije gjetjen e një rrëqebulli të pajetë. Fotoja e publikuar nga shoqata ngjalli reagime pasi vinte në periudhën e shpalljes së ndalimit të gjuetisë. Megjithë zemëratën e gjerë të dashamirësve të natyrës kjo gjetje vërtetoi pretendimet e mjedisorëve se në këtë zonë gjenden individë riprodhues, pasi rrëqebulli i pajetë ishte i vogël.

rreqebulli-ngordhur
PPNEA//Vogëlush i një rrëqebulli gjetur i pajetë në Malin e Munellës, Pukë.

Konsideruar si “streha e fundit e rrëqebullit në Shqipëri” Mali i Munellës ka kohë që është kërkuar të kthehet në “Park Kombëtar”. Mjedisorët besojnë se mbrojtja me ligj e kësaj zone do të ndihmonte në zgjatjen e jetës së kësaj specie.

Ndërkohë një habitat i rrëqebullit mendohet se është gjithashtu parku i Shebenik-Jabllanicës në Librazhd.

Por pse nuk shpallet park kombëtar zona e Malit të Munellës?
Një nga kundërshtitë që has ideja e parkut është fakti se kjo zonë është e pasur me mineral bakri dhe mund të përkthehet në vlera të majme parashë nëse shfrytëzohet si duhet. Por në periudhën e gjatë të tranzicionit sektori minerar në vend kaloi në krizë të plotë. Nga qeveritarët për ta zgjodhur këtë gjendje është parë si alternativë vetëm koncensionimi, ndërsa investimet për të rehabilituar zonën, sidomos nga shpyllëzimi dhe erozioni masiv, kanë qenë zero.

Po rrëqebulli pse po zhduket?
Në vitin 1950 në Shqipëri numëroheshin 86 individë të rrëqebullit, por vetëm 50 vite më vonë 70% e kësaj popullate u zhduk. Në vitin 2000 Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave (DPPK) raportonte si numër 26 individë duke dëshmuar qartë rrezikun që po i kanosej kësaj specie. Specialistë të AKZM i kanë vënë në diskutim shifrat e deklaruara në të kaluarën me pretendimin se metodologjia e inventarizimit ka qenë aspak profesionale. Por sidoqoftë në vitin 2017 inventarizimi i AKZM nxorri vetëm një individ çka e klasifikon përfundimisht rrëqebullin në potencialisht në rrezik për zhdukje.

Sigurisht shifrat e kohës mund të mos jenë të sakta, por ato japin gjithësesi trendin dhe e bëjnë më të kuptueshme dinamikën e situatës.

Rrëqebulli, një nga kafshët më ikonike të rajonit të Ballkanit, ushqehet kryesisht me të vegjlit e dy-thundrakëve si kaprolli, dhia e egër, derri i egër, por edhe me shpendë të ndryshëm apo dhe brejtës si lepuri, miu, ketri etj. Fakti është se me vite në Shqipëri janë pakësuar ndjeshëm edhe këto kafshë, çka shpjegon logjikisht edhe zhdukjen e rrëqebullit. Gjuetia pa fre është ndër shkaqet kryesore.

Sipas të dhënave të DPPK për periudhën 1950-2000 disa prej këtyre kafshëve pësuan një reduktim të frikshëm. Për shembull numri i popullatës së kaprollit, u reduktua me mbi 80% nga 4300 në vitin 1950 në 470 individë në vitin 2000. 17 vite më vonë AKZM raportoi të inventarizuar vetëm 102 kaproj. Pra ka një zhdukje të rreth 97% të kësaj specie në vendin tonë. Çka afërmendsh ka dhënë ndikim edhe në popullatën e rrëqebullit.

Gjithashtu një nga arsyet më të forta të zhdukjes së kësaj kafshe të rrallë, ëshgë edhe fenomeni i shpyllëzimit.

Sipas Bankës Botërore në vitin 2005 Shqipëria kishte 7824 km katrorë pyje. Dhjetë vite më vonë u tha se vendi ynë kishte 109 km katrorë më pak.

Harta e shtrirjes se rreqebullit ne Shqiperi
EuroNatur Foundation//Mali i Munellës zona e vetme ku është konfirmuar tashmë riprodhimi i rrëqebullit në Shqipëri.

Kështu me zhdukjen e shumë pyjeve dhe të shumëllojshmërisë së kafshëve, habitatet për rrëqebullin janë minimizuar drastikisht. Edhe habitati i fundit i mbetur, zona e Malit të Munellës, është në rrezik nga mos-miratimi i planit për ta kthyer atë në park kombëtar dhe mungesa e një plani të qartë për rijetësimin e kësaj zone.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.