U ideua 10 vite më parë, por Tirana s´ka ende Bulevard të Ri

Nisi si projekt madhor që do ta plotësonte Tiranën me infrastrukturë, shërbime moderne transporti dhe mundësi më të mëdha për zhvillim policentrik, por sot afro dhjetë vite më pas i ashtuquajturi “Bulevardi i Ri” është veçse një segment qindra-metrash me qarkullim të kufizuar, i cili shërben më së shumti si pedonale, si parking dhe aspak si zhvillim ekonomik pasi anët e tij nuk lidhin me asnjë rrugë. Dhjetë vite nga projekt-ideimi dhe pesë vite nga fillimi i punimeve, qytetarët janë përballë një paqartësie të theksuar se çfarë forme ka ky projekt i zgjatimit të bulevardit dhe se kur do të përfundojë ai.

Në vitin 2007 u mendua për herë të parë vazhdimi i “Bulevardit Zogu I”, ndërsa në 2011 u prezantua me bujë një projekt që parashikonte investimin e mbi 60 milionë eurove në zhvillimin e mëtejshëm, jo më vetëm të bulevardit, por të gjithë të ashtuquajturit aks-qendror dhe verior të Tiranës. Dhënia vazhdimësi në veri u tha se do t’i sillte kryeqytetit një zhvillim më të gjerësishëm si dhe plot mundësi të reja. Por lufta politike bëri që projekti të vonohej për t’iu nisur punës, ndërsa disa vite më vonë të shoqërohej me plot ndryshime që nuk u bënë kurrë me transparencë. Ende sot projekti nuk ka përfunduar ndonjë fazë të caktuar, përveçse qindra metra asfalt, gjelbërim dhe një parking nëntokësor.

Plani “i vjetër”
Duhet thënë se ideja e zgjatimit të aksit qëndror të bulevardit është e kahershme. Por këtë vazhdimësi zhvillimi Bashkia Tiranë do ta konkretizonte në planet e saj vetëm pas vitit 2007 përmes të të ashtuquajturit “Plan Francez”. Sipas këtij plani “Stacioni i Trenit” mbetej po aty, por vendqëndrimi i trenave rimodelohej dhe modernizohej, ndërsa hidhej për herë të parë ideja e tramvajit si mjet transporti për linjat kryesore. “Bulevardi i Ri” konceptohej si një park i madh linear me dy rrugë paralele pergjatë saj.

plani-francez-2007-2008.png
Bashkia Tiranë//Masterplani për zonën e “Stacionit të Trenit”, 2008.

Zbatimi i “planit të vjetër
Zbatimi i projektit të “Planit Francez” rezultoi tejet i cekët ku më së shumti iu dha përparësi vetëm lejeve të ndërtimeve.

PLANI FRANCEZ 2007-2008 2
Bashkia Tiranë//Masterplani për zonën e “Stacionit të Trenit”, 2008.

Plani “i ri”
Në vitin 2011 për zgjatimin e Bulevardit, Bashkia Tiranë njoftoi shpalljen e një konkursi ndërkombëtar nga i cili fitues u shpall projekti i ideuar nga “Grimshaw Architects”. Ai parashikonte zgjatjen e “Bulevardit Zogu I” deri në Paskuqan – kalohej “Lumi i Tiranës” – dhe e kthente liqenin e atjeshëm – pas parkut të Liqenit Artificial – në park të dytë për kryeqytetin. Projekti nuk fokusohej vetëm me zgjatimin e bulevardit. Ai merrej seriozisht me rehabilitimin e “Lumit të Tiranës”. Shtrati dhe skarpata e lumit sistemohej dhe përgjat tij krijoheshin zona rekreative, ndërtoheshin disa ura dhe kështu pjesa veriore e kryeqytetit integrohej me pjesën tjetër, qoftë nga ana ekonomike po ashtu edhe nga ana social-kulturore.

GRIMSHAW Tirana
Grimshaw Architechts//Masterplani për zgjatimin e bulevardit, 2011.

Në zgjatimin e bulevardit parashikohej ndërtimi i disa objektesh të rëndësisë së veçantë si “Pallati i Drejtësisë” komplekse tregtare apo dhe ndërtesa me funksione publike, kulturore dhe sociale. Ndërkohë nga pikat kryesore që parashikonte projekti ishte largimi i “Stacionit të Trenit” dhe vendosja e tij në një “Stacion multimodal” në dalje të Tiranës, në “Kthesën e Kamzës”. Ky projekt u reflektua më pas edhe në planin e përgjithshëm vendor të kryeqytetit që u miratua në vitin 2013.

Zbatimi i “planit të ri”
Fillimi i punimeve për bulevardin e ri nisi në shtator të vitit 2013 duke zbatuar vetëm një pjesë të projektit të “Grimshaw Architects” dhe që kapte koston e 26 milionë eurove. Ndryshimi i Qeverive në zgjedhjet e vitit 2013 bëri që Bashkia të mos kishte më të njëjtën përkrahje. Lufta politike e la projektin në vendnumëro. Shpronësimet nuk kaloheshin nga Qeveria qëndrore dhe gjithashtu nga ajo nuk miratohej kredia për pjesën e nevojshme të projektit. Gjithashtu përdorimi “politik” i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të çonte në bllokimin e punimeve edhe për disa muaj të tjera deri sa në vitin 2015 Bashkia Tiranë të ndryshonte kryetar. Me ndryshimet në Bashki dhe përkrahjen politike nga Qeveria Qëndrore punimet në bulevard nisën me ritme të kënaqshme.

PLANI PERGJITSHEM VENDOR 2013.png
Bashkia Tiranë//Masterplani për zgjatimin e bulevardit, 2013.

Plani “i ri” i ri…
Reforma administrativo-territoriale e miratuar nga mazhoranca e dalë nga zgjedhjet e vitit 2013 rrëzoi poshtë të gjitha planet vendore dhe çdo bashkie iu la një afat ligjor për të hartuar planet e reja. Si rrjedhojë edhe plani i përgjithshëm vendor i Tiranës, miratuar në vitin 2013 dhe që parashikonte plan-projektin e “Grimshaw-Architects” do të shfuqizohej. Por krejt ndryshe nga ç’duhej të ishin praktikat, asnjë konkurs ndërkombëtar nuk u thirr për ta zhvilluar sërish idenë sipas ndryshimeve që diktonte reforma administrativo-territoriale dhe plani i ri vendor. Ndërkohë, në fillim të vitit 2016 nisën të përmendeshin elementë që do t’i ndryshonin zbatimit të projektit. Në disa dalje për publikun të asaj periudhe, kryetari i Bashkisë Tiranë do të bënte me dije se në zgjatimin e bulevardit do të vendosej Bashkia e Tiranës, se në këtë pjesë do të mendohej edhe për një “bllok” ambasadash dhe se gjithashtu, këtij segmenti, do t’i rikthehej treni me një “stacion terminal, por jo si parkim për vagonat”. Tjetërsimi i projektit të bulevardit do të faktohej me prezantimin gjashtë muaj më vonë – korrik 2016 – të masterplanit “Tirana 2030” ose ndryshe “TR030” i punuar nga Stefano Boeri Architetti. Në këtë masterplan theksohej rikthimi i Stacionit të Trenit në zgjatimin e bulevardit, ndërsa parashikohej një “zhvillim kaleidoskopik”.

Zbatimi i “planit të ri, të ri”…
Edhe pse u ndryshua plani i përgjithshëm vendor për Tiranën, projekti i zgjatimit të bulevardit u vazhdua pa hapur një garë të re ndërkombëtare. Në prill të vitit 2017, teksa punohej pa ndonjë publikim konkret të ndonjë projektit “të ri”, përmes një ligji të posaçëm Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe Avokatura e Shtetit u ngarkuan të negociiojnë me shoqërinë e sheikut Khalaf Ahmad Al Habtoor për ofertën e tij të ndërtimit të një hoteli 250 milionë eurosh në një hapësirë të bulevardit. Shtypi raportoi se investitorëve të huaj mendohej t’i propozohej përjashtim nga taksat në këmbim të një hapësire të lëshuar për institucionin e Bashkisë. Pak muaj më vonë Bashkia Tiranë prezantoi projektin e “Parkut të madh” në mes të Bulevardit të ri, teksa prej saj tha se ky projekt ishte ideuar nga “arkitektë të Harvardit”.

Projekti-per-Parkun-Qendror1
Bashkia Tiranë//Projekti i Parkut të Madh në zgjatimin e Bulevardit, 2017.

Gjithashtu pa zbardhur ndonjë konkurs apo garë projektimi, Bashkia bëri publike disa foto ku thuhej se si do të ishte fundi i zgjatimit të bulevardit, që tanimë nuk shkonte përtej Lumit të Tiranës.

Fundi i Bulevardit, Tirane
Bashkia Tiranë//Projekti i sheshit në fund të Bulevardit të ri, 2017.

Kjo është historia e 1 600 metrave rrugë me 300 vende parkim, 400 pisha dhe 30 mijë shkurre, për të cilat janë dashtur më shumë se 10 vjet dhe ende nuk janë përfunduar së ndërtuari.

Kjo është historia tipike e çdo projekti madhor të kryeqytetit, që për t’u jetësuar do ndryshuar disa herë dhe do kaluar vite e vite… ata që paguajnë në fund janë gjithmonë qytetarët.

Projekti i ndryshuar i Qendrës së Tiranës, rrethrrotullimit të Zogut të Zi, Unazës së Re, mbikalimit të Kamzës, apo projekte të tjera të ndryshuara për institucione publike e shtetërore si për shembull ai i Piramidës, Hotel Dajtit, Parlamentit e Bankës së Shqipërisë janë të tjerë shembuj se si bëhet çorbë paraja publike sistematikisht nga politika dhe se si çohen për dreq vite e vite zhvillim të kryeqytetit.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.