
Eshtë një nga monumentet e natyrës dhe zonat më të frekuentuara të turizmit në Gramsh, por Kanioni i Holtës prej dy muajsh është kthyer në kantier ndërtimi. Një kompani po ndërton një hidrocentral duke vënë seriozisht në kërcënim, në mos mjedisin, së paku zhvillimin e turizmit atje.
Në qershor të vitit 2016, në mbështetje të Programit Italo-Shqiptar të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim (IADSA), Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN) nisi një projekt bashkëpunimi me Bashkinë Gramsh për “Planifikimin dhe nxitjen e investimeve për kohezion social dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Gramsh”.
Përmes një pune intesive, projekti arriti së paku një nga qëllimet kryesore: “promovimin e turizmit në Gramsh si një destiancion të ri dhe të pazbuluar”. Nën hastagun “#ejanëgramsh, peizazhet fantastike të Liqenit të Dushkut, Liqenit të Zi, Kalasë së Irmajit, Ujëvarës së Sotirës apo dhe Kanionit të Holtës u bënë atraksione të vërteta turistike.
Sipas auditit të “Menazhimit të Parqeve Kombëtare” të vitit 2016 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, deri në fund të gushtit, pikat më interesante të turizmit natyror të Gramshit, kishin mundur të tërhiqnin rreth 1600 vizitorë: Ujëvara e Sotirës 702 vizitorë; Bredhi i Sotirës 360 vizitorë; Liqeni i Zi 382 vizitorë; Shpella e Kabashit 70 vizitorë; Kanioni i Holtës 60 vizitorë; Liqeni i Dushkut 70 vizitorë.

Për vitin 2017 Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të raportonte se numri i vizitorëve qe shumfishuar. Ujëvara e Sotirës pati 1617 vizitorë; Bredhi i Sotirës 420 vizitorë; Liqeni i Zi 843 vizitorë; Kanioni i Holtës 722 vizitorë e kështu me radhë.
Shifrat mund të mos jenë të sakta, por tregojnë trendin rritës.

Ujëvara e Sotirës dhe Kanioni i Holtës, ishin dy nga destinacionet më të frekuentuara të Gramshit për guidat turistike. Edhe këtë vit, postime të ndryshme në rrjetet sociale lajmëronin gati çdo fundjavë për udhëtime në këto vende, nga fillimi i pranëverës e deri në mes të vjeshtës, duke rezultuar kështu në një “bum” të vërtetë për turizmin e këtij rajoni.

Paralelisht me punën e Co-PLAN-it dhe Bashkisë Gramsh për të zhvilluar turizmin në këtë rajon dy vitet e fundit, të tjerë punuan gjithashtu por me drejtim tjetër, zhvillimin hidroenergjitik!

Në vitin 2016 Qendra Kombëtare e Biznesit do të rregjistronte 3 shoqëri me përgjegjësi të kufizuara (shpk) të cilat do të kishin në plan ndërtime hidrocentralesh! “Klaudia Konstruksion shpk”; “AM-RES shpk” dhe “ERA-Hydro shpk” themeluan aktivitetet e tyre në këtë vit dhe nën interesimin e shoqërisë “ERA-Hydro” u angazhuan që të ndërtojnë hidrocentralin “Strori” në përroin e Holtës dhe Seltës. Pavarësisht mungesës së përvojës, pavarësisht edhe faktit se kishin as më shumë se 1 vit aktive si biznese, kjo nuk i pengoi aspak këto shoqëri që të merrnin dritën jeshile, si fillim për studimin arkeologjik të zonës, më pas për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe në fund në muajin prill 2018 firmën nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Fatkeqësisht HEC-et nën 2MW nuk konsiderohen si koncesione tipike dhe ato kalohn “pa burokraci”. Një i tillë rezulton të jetë edhe ky që po ndërtohet në përroin e Holtës. Hidrocentrali atje ka tashmë dy muaj që ka nisur ndërtimin. Punimet do të zgjasin deri në vitin 2020.

Projekti që thuhet se ka vlerën e 460 milionë lekëve, shkaktoi fillë reagime sapo u publikuan fotot e para. Por nga Ministria e Energjitikës u nxitua të thuhej se “HEC-i nuk prek monumente natyrorë”.

Duke bërë publike një seri dokumentesh, (disa prej të cilave mbajnë mbishkrimin e inxhinierit të mjedisit Ekrem Xhafëri administrator i shoqërisë “AM-RES” projektuese dhe mbikqyrëse të projektit) u kërkua të thuhet se hidrocentrali nuk “prek monument natyre” dhe për këtë nuk ndikon në mjedis. Mbase është e vërtetë, mbase po, mbase jo, por ajo që askush nuk mund të mohojë është ndikimi që kjo vepër do të ketë në turizëm. Sepse punimet për dy vitet e ardhshme atje ndikojnë që çke me të!
A do të lejohen vizitorët në kanion? A do jetë kanioni i pandryshueshëm si rrjedhojë e punimeve dhe vetë HEC-it në hyrje të tij?
A tha ndokush diçka për këto pjesë? Ncuq!
Nuk duhet harruar se HEC ka dhe në Sotirë dhe se vizitorët për të parë një nga ujëvarat më të bukura të vendit tonë duhet t’i bien anash një rrethimi dhe dige që ka bërë kompania e cila ka fituar të drejtën për të ndërtuar hidrocentral atje.
Kush janë ndikimiet më të rëndomta në mjedis gjatë një hidrocentrali?
Nga përvoja me ndërtime hidrocentralesh në zona të tjera, dihet tashmë se kantieri i një hidrocentrali si dhe punimet për të ndërtuar në shtratin e një lumi shkaktojnë ndryshime topografike të tokës, ndotje me mbetje të ngurta, prodhim pluhri, ndotje të ajërit, ujit, ujërave nëntokësor me llumra të ndryshme, ndotje akustike, nivel të lartë zhurmash për kafshët, përçarje ose izolim të habiteteve natyrore.
Me punimet që tashmë do jenë edhe më intensive buzë kanionit të Holtës, turizmi zor se do të jetë me të njëjtin hov sikurse ka qenë në dy vitet e fundit me shumfishime të numrit të vizitorëve.
Afërmendsh që askujt s’i zgjohet interesi për të parë një kantier ndërtimi. Promovuesit e turizmit të zonës tanimë do të duhet të fshehin kantierin në çdo foto nëse duan që të vazhdojnë e të merren me turizëm atje. E nëse kjo s’mund të bëhet, në thirrjet për guida nëpër rrjete sociale do përdoren fotot e vjetra.
Fatkeqësi!
Rasti i këtij hidrocentrali dëshmon edhe njëherë politikat boshe që ka sot Shqipëria në zhvillimin e qëndrueshëm. Në njërën anë shpenzohen para të majme për të iniciuar dhe zhvilluar projekte që kërkojnë ta nxisin turizmin dhe nga ana tjetër u jepet dorë e lirë ndërtimeve të vazhdueshme të veprave hidroenergjitike. I njëjti rast është ky me Valbonën dhe plot të tjera.
Ndërkohë duhet thënë se shoqëria “ERA-Hydro” ka aplikuar për të marrë dritën jeshile edhe për një hidrocentral tjetër, po në Gramsh, në fshatin Shëmrizë më në jug, në aksin e pellgut ujëmbledhës të lumit të Tomorricës, degë e Devollit. Hidrocentrali quhet HEC Blineta!