Shtegtim në Sotirë, drejt ujëvarës më të bukur në Shqipëri

Ujëvarat janë skulpturat më të bukura të natyrës dhe Shqipëria fatmirësisht ka plot të tilla. Nëse s’i keni vizituar – apo s’i njihni ende – mund t’ju përmend disa. Ujëvara e Grunasit (Theth), Bogovës (Skrapar), Vinjës dhe Peshturës (Kurvelesh), Valbonës (Valbonë), Shëngjinit (Tiranë), Selcës (Malësi e Madhe); Belës (Kukës) ujëvarat e kanioneve të Osumit (Skrapar) e plot të tjera në zona të thella të vendit. Disa prej tyre kam mundur t’i shoh nga afër dhe mund t’ju them se si “Ujëvara e Sotirës” nuk kam parë gjëkundi. Prandaj duhet ta vizitoni me patjetër!

E pagëzuar si “Niagara e Shqipërisë” për nga rrëkeja e stërmadhe e ujit që formon në dy burime fare pranë, kjo ujëvarë gjendet 19.4 kilometra në jug të qytetit të Gramshit dhe është një nga më fantastiket. Emri i kësaj perle të natyrës vjen nga fshati Sotirë, që ndodhet 5 kilometra pranë. Burimi është prej ujërave nëntokësorë të malit të Tomorrit që shtrihet rreth 6 kilometra më tutje në jug.

Por, për të vajtur te “Ujëvara e Sotirës” nuk është dhe aq rrugë e lehtë. Në total duhen rreth 4 orë. Dy orë rrugëtim prej 80 kilometrash (Tiranë-Elbasan-Gramsh) mund të bëhen lehtësisht me makina të çfarëdoshme. Rruga është e mirë! Por për 15 kilometrat për në fshatin Sotirë bën mirë të kesh makinë të lartë pasi nuk ka rrugë. Madje në një segment të duhet edhe të kalosh shtratin e një përroi që i bashkohet “Lumit Tomorrica”.

Nga Gramshi deri në fshat të duhet rreth 1 orë me makinë. Me të mbërritur në Sotirë pjesa tjetër për te Ujëvara bëhet vetëm me këmbë dhe zgjat rreth 1 orë me ecje normale.

Rrugës për në Sotirë, të bie në sy mundi i banorëve për t’i bërë ballë erozionit të tokës dhe po kështu kushteve të vështira ekonomike. Prej këtyre vështirësive pjesa më e madhe e tyre janë shpërngulur. Por pavarësisht kësaj, ata pak që vazhdojnë të jetojnë në ato anë janë punëtorë dhe miqësorë. Kultivojnë livando dhe sherebelë. S’të thonë kurrë “Kush je? Ç’do këtej?”, por gjithmonë të pyesin se “Si ju shkoi udhëtimi?”; “Si t’u duk ujëvara?”…

Në vizitën time të fundit në Sotirë më bëri përshtypje një çift nga Presheva. Ata kishin ardhur enkas për të parë ujëvarën, pas 500 kilometrash që andej. Ju siguroj se u larguan plot mbresa!

Pas 5 kilometrash ecie mes bokërimash dhe terreni tejet të rrëshqitshëm për shkak të përbërjes argjilore të tokës, fundi i shtegut të ngjit mbi një kodër të gjelbëruar mirë. Aty që aty mundet ta dëgjosh zhurmën e rrëkesë së ujëvarës. Pasi ke ngjitur kodrën e vogël, të shfaqet një lëndinë që përballë ka një masiv shkëmbor. Nga ky masiv rrjedhin fort dy rrëke të mëdha. Njëra në të majtë dhe një tjetër më në të djathtë. E para bie direkt nga kreshta e shkëmbit, ndërsa tjetra del nga një e çarë në mes të faqes.

Nga ajo kodër mund të zbritet lehtësisht poshtë përmes një shtegu tjetër dhe pjesa që mbetet është thjesht zhytja në mbresa e syrit të lirë. Dielli është çelësi i kësaj zhytjeje në mbresa. Bëni të pamundur ta vizitoni ujëvarën përpara pasdites, sepse me të kapërcyer dielli përtej masivit shkëmbor, ai miksi magjik i ngjyrave nga blu në të gjelbër errësohet dhe uji i ftohtë të nxit mërdhi.

Eshtë interesante sepse me sa më thanë, banorët ujëvarën që del nga faqja e shkëmbit e quanin edhe si “Burimi i Kuçedrës”. Arsyeja?! Shpesh uji që rrjedh që andej pakësohet apo shtohet papritur, çka ka nxitur folkun mitik ta shpjegojë me një kafshë të përbindëshme që mund të jetojë brenda në shkëmb.

Ujëvara e Sotirës është perfekt edhe për “camping”. Lëndina që ju fola pak më sipër, është mjaftueshëm e hapur sa për t’u vendosur në të shumë çadra. Prej lëndinës mund ta soditësh ujëvarën për shtatë palë qejfe.

Kështu me pamjet dhe me këtë shkrim modest, për ju që keni qejf natyrën dhe sidomos ujëvarat, jua këshilloj si të detyrueshme vizitën e kësaj perle të shpallur prej vitesh si monument natyre.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.